Shpenzimet marramendëse të Kuvendit

Aktuale

Shpenzimet marramendëse të Kuvendit

Nga: G.B Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 20:46
Kuvendi i Kosovës

Në pothuajse çdo seancë të kësaj legjislature është vërejtur mungesa e deputetëve, ku shpesh nuk ka pasur kuorum dhe shumë ligje kanë mbetur pa u votuar.

Por, gjërat janë ndryshe sa i përket shpenzimeve të Kuvendit dhe deputetëve për udhëtime jashtë vendit, të cilat janë mjaft të larta.

Për vetëm 6 muaj, Kuvendi ka shpenzuar 67 mijë euro vetëm për dreka zyrtare, ndërsa akomodimi i deputetëve në udhëtimet e tyre jashtë vendit, ka kushtuar 91 mijë e 187 euro.

E së fundmi Kuvendi ka miratuar dhe udhëtimet e disa deputetëve jashtë vendit, për punë që nuk kanë të bëjnë me Kuvendin.

Image
Skënder Zogaj

Njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se jemi dëshmitarë që paraja publike shpenzohet pa kriter dhe shumë pak për nevoja të qytetarëve e në këtë kampion për shpenzime ka dalë Kuvendi që shpenzon për raste të arsyeshme, siç është rasti i udhëtimeve të deputetëve.

“Institucionet e Kosovës në tërësi kanë dështuar në menaxhimin e financave buxhetore, sepse, jemi dëshmitarë se paraja publike shpenzohet pa kriter dhe shumë pak për nevojat jetike të qytetarëve të Kosovës! Në këtë drejtim, sa mund të jemi të informuar njëfarë kampioni në shpenzimin e keq të buxhetit na del edhe vet Kuvendi i Kosovës! Nuk e kam fjalën te shumat që shpenzohen por te qëllimi i shpenzimeve, që në shumë raste janë të pajustifikueshme, siç është rasti i miratimit të mjeteve për udhëtimet e deputetëve jashtë vendit por jo për qëllime të Kuvendit!?”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në një institucion si Kuvendi, pasi i jep hije të zezë atij, por që ai vlerëson se është faji i deputetëve.

“Kjo është absolutisht e palejueshme, që nuk do të duhej të ndodhte në institucionin më të lartë dhe më të ndjeshëm shtetëror, siç është Kuvendi i Kosovës! Këtu faji është i deputetëve të cilët siç po shihet, kur është fjala te “molla me sheqer” bëhen minj dhe u kruhet gjuha e u lëshon goja lëng, prandaj miratojnë shpenzime të pa arsyeshme! Kjo është më shumë se keqe, sepse i jep hije të zezë Kuvendit që harron se duhet të jetë pasqyra e pastërtisë shtetërore”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat