Tre Këshilltarë të Jashtëm të MASHT-it u paguan jashtëligjshëm për udhëtime

Aktuale

Tre Këshilltarë të Jashtëm të MASHT-it u paguan jashtëligjshëm për udhëtime

Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 12:31
Ministria w Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Dy muaj pasi që kishte marrë detyrën e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi kishte marrë një vendim në kundërshtim me Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive. Ai u kishte lejuar udhëtimet zyrtare tre Këshilltarëve të Jashtëm Politik, ani pse në bazë të kësaj rregulloreje, ata nuk duhet t’i shkaktojnë në asnjë formë shpenzime buxhetit të shtetit.

Më 2 nëntor të vitit të kaluar, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kishte marrë një vendim, i cili iu lejonte Këshilltarëve të Jashtëm Politik, që të realizonin udhëtime zyrtare.

Në bazë të këtij vendimi të cilin e ka siguruar Express, e i cili nuk figuron në faqen zyrtare të Ministrisë te vendimet e Ministrit, tre Këshilltarëve të Jashtëm Politik në MASHT, Arben Dërmakut, Ferim Gashit dhe Baton Dushit iu ishin lejuar udhëtimet zyrtare jashtë vendit deri në përfundim të detyrës, me qëllim të përfaqësimit të MASHT’it.

“Duke u mbështetur në dispozitat e lartëcekura, me qëllim të përfaqësimit  të Kabinetit të Ministrit dhe të MASHT, dhe të kontributit të tyre në ngritjen e cilësisë në arsim, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin që mban nënshkrimin e të parit të MASHT’it.

Por, ky vendim i Ministrit Bytyqi po del të ketë qenë në kundërshtim meRregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

Në bazë të Rregullores, ku përcaktohen qartë përgjegjësit e Këshilltarëve të Jashtëm Politikë, thuhet që ata nuk paguhen nga buxheti i shtetit, dhe nuk i shkaktojnë shpenzime buxhetit në asnjë formë.

“Këshilltarët e jashtëm politikë nuk paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe në asnjë formë nuk shkaktojnë shpenzime për Buxhetin e Kosovës”, thuhet në rregullore.

Tutje, aty thuhet se ata “nuk ushtrojnë kompetenca drejtuese ose kompetenca të tjera administrative të organit të lartë të administratës shtetërore, dhe se mandati i këshilltarëve politikë përfundon në momentin kur përfundon edhe mandati i eprorëve të tyre, përkatësisht ministrit.

E në Ministrisë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e pranojnë se atyre u janë lejuar udhëtimet zyrtare.

Zëdhënësi i MASHT’it, Valmir Gashi ka thënë se atyre iu është lejuar udhëtimi zyrtar, pasi që e kanë përfaqësuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Por, ka thënë se pa kaluar shumë kohë, Baton Dushi ka kaluar në këshilltarë të brendshëm, Arben Dërmaku thotë se nuk është më pjesë e kabinetit, ndërsa Ferim Gashi merr pjesë në organizime si ekspert.

Ndërsa, sa i përket asaj se në cilat shtete kanë qëndruar, sa ditë, dhe kush i ka paguar shpenzimet e akomodimit të tyre, në MASHT nuk kanë dhënë një sqarim të tillë. Derisa ka shtuar se një gjë e tillë lejohet. 

Më poshtë gjeni përgjegjësitë që kanë Këshilltarët e Jashtëm Politik, sipas Rregullores:

Neni 31. Këshilltarët e jashtëm politikë 

1. Këshilltarët e jashtëm politikë janë një kategori e veçantë e zyrtarëve qeveritarë, të cilët: 

1.1. Emërohen me Vendim nga Kryeministri, zv.Kryeministri(at),  dhe ministri (në tekstin në vijim: eprori) dhe u pushon mandati me përfundimin e mandatit të eprorit të tyre, nëse ky mandat nuk  ndërpritet më herët; 

1.2. Për veprimet e veta i përgjigjen eprorit të tyre; 

1.3. janë të obliguar të demonstrojnë lojalitet personal dhe përkushtim politik për eprorin e tyre. 

2. Këshilltarët e jashtëm politikë nuk ushtrojnë kompetenca drejtuese ose kompetenca të tjera administrative të organit të lartë të administratës shtetërore. 

3. Këshilltarët e jashtëm politikë nuk paguhen nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe në asnjë formë nuk shkaktojnë shpenzime për Buxhetin e Kosovës.

4. Sjellja, kompetencat dhe përgjegjësitë e këshilltarëve të jashtëm politikë është e njëjtë me sjelljen, kompetencat dhe përgjegjësitë e këshilltarëve politikë.

5. Pas secilit emërim, eprori përkatës duhet ta njoftojë Shefin e Stafit me  emrat e këshilltarëve të jashtëm politikë. Njoftimi për emërim të këshilltarëve të jashtëm politikë duhet bërë në afat prej 3 ditësh, nga dita e emërimit të tyre.

6. Qeveria mund të nxjerrë rregullore të veçantë në të cilën përshkruhen detyrat dhe përgjegjësitë e këshilltarëve të jashtëm politikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat