Haradinaj: Mungesa e vizave çon në nivel të diskriminimit

Aktuale

Haradinaj: Mungesa e vizave çon në nivel të diskriminimit

Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 20:36
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj, në ceremoninë përmbyllëse të Konferencës së Asamblesë së Përgjithshme “Prizreni 2018”, deklaroi se pavarësisht se qytetarët tanë ende nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes, Kosova dëshiron të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Në këtë event të organizuar nga Parlamenti Evropian Rinor, Haradinaj para delegatëve të shumtë, zyrtarë nga të gjitha shtetet e Evropës, e ambasadorë, tha se Kosova është rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila ishte shumë tragjike.

“Në zhvillimet e sotme politike, disa janë të djathtë, disa të majtë, disa edhe liberalë, por ne jemi evropianë, e duam Evropën, dëshirojmë t'i bashkohemi Evropës si Kosovë. Jemi me orientim euro-atlantik. Dëshirojmë të jemi pjesë e NATO-s dhe në këtë drejtim, ne kërkojmë mbështetje, kërkojmë miq, që t'ua përcjellim porosinë qytetarëve evropianë, duke filluar nga fqinjët tanë, veçanërisht Serbisë dhe qytetarëve të saj. Është e rëndësishme që ta njohin të vërtetën tonë. Tani është koha ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të ardhmen tonë”, tha Haradinaj.

Duke folur për vështirësitë që hasin të rinjtë kosovarë në gjetjen e një vendi pune, kryeministri Haradinaj, theksoi se fatkeqësisht jeta nuk është e përkryer, pasi të rinjtë tanë luftojnë për një punë dhe kjo, sipas tij, nuk është aspak e lehtë.

“Arsimi nuk është ende ashtu si duhet të ishte. Arsimimi dual nuk është ende ofertë për ta. Ta gjejnë një punë, për shumë prej tyre, është vërtetë e vështirë. Të mësuarit nga praktikat e mira të vendeve tjera, është e vështirë për të rinjtë tanë, pasi ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Jemi i vetmi shtet në Evropë që nuk kemi liberalizim të vizave. Kjo nuk është vetëm pengesë, por shkon deri në nivel të diskriminimit. Sidoqoftë, jemi evropianë”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkaq, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’ Connell, tha se të rinjtë mund ta bëjnë ndryshime vetëm duke folur për atë që nuk pajtohen ose e shohin gabim, pasi kjo mundësi, sipas tij, nuk përsëritet.

Ndryshe, qëllimi kryesor i këtij programi është aftësimi i të rinjve me historinë dhe punën e BE-së duke përfshirë të rinjtë nga pothuajse të gjitha shtetet anëtare të unionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat