IKD kërkon përgjegjësi institucionale për vdekjen e Astrit Deharit

Aktuale

IKD kërkon përgjegjësi institucionale për vdekjen e Astrit Deharit

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 13:28
Astrit Dehar

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësimin e thellë që edhe dy vjet nga vdekja e dyshimtë e të ndjerit Astrit Dehari, në institucion korrektues, fatkeqësisht institucionet e drejtësisë ende nuk kanë një përgjigje zyrtare lidhur me këtë rast.

IKD thekson se moszbardhja e rastit Dehari, i cili para dy vitesh ka vdekur në institucionin korrektues, derisa po mbahej nën masën e paraburgimit, dëshmon për papërgjegjësi dhe koordinim jo profesional në mes të institucioneve vendore, të cilat në vend se të ndërmarrin veprime konkrete për zbardhjen e rastit, kanë luajtur rol të gabueshëm në publik, duke u bërë pjesë e luftërave politike.

“IKD ka reaguar për këtë rast dhe raste tjera të vdekjeve të dyshimta në sistemin korrektues në Kosovë. IKD rikujton se në çdo shtet demokratik duhet të aplikohen standardet minimale të kujdesit të personave që janë të privuar nga liria si rezultat i procedurave gjyqësore. Siguria dhe kujdesi i personave të arrestuar/paraburgosur apo atyre që janë në vuajtje të dënimit në institucione korrektuese apo qendra të paraburgimit është drejtpërdrejtë obligim dhe përgjegjësi e shtetit”, thuhet në reagim.

IKD vlerëson se mënyra e trajtimit të rastit Dehari, prej momentit të vdekjes së tij të dyshimtë, ka qenë krejtësisht e gabuar, duke interpretuar secilin veprim dhe mosveprim zyrtarët e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera në kundërshtim me obligimet ligjore.

“Trajtimi joprofesional i rastit prej momentit të vdekjes ka rënduar situatën në tërësi, duke vështirësuar hetimin e drejtë, të pavarur dhe të paanshëm. Fatkeqësisht, një qasje e tillë ende është duke vazhduar, ku lidhur me këtë rast është krijuar amulli, përderisa familja dhe publiku ende nuk kanë një përgjigje zyrtare, dhe të bazuar në fakte dhe prova të besueshme”, thuhet më tej në reagim.

IKD thekson se rasti Dehari duhet të trajtohet me prioritet dhe institucionet shtetërore duhet të kenë në dispozicion të gjitha resurset e nevojshme për zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti.

“IKD pati kërkuar që të ftohen edhe agjencione të specializuara dhe ekspertë të pavarur të huaj, për të kontribuar në zbardhjen e të vërtetës rreth kësaj vdekje të dyshimtë, dhe përkundër angazhimit në këtë drejtim, ende nuk ka rezultate konkrete për zbardhjen e këtij rasti. Në të njëjtën kohë, IKD kërkon që të gjithë të kursehen nga komentimet dhe interpretimet e këtij rasti, duke i lënë organet e ndjekjes që ta hetojnë rastin në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale. Prej momentit të informacionit të vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit, IKD ka kërkuar përgjegjësi institucionale për këtë rast, hetim të pavarur, profesional, të drejtë dhe urgjentë për të adresuar saktë përgjegjësinë dhe për të eliminuar mundësinë e keqkuptimeve dhe keqpërdorimeve rreth këtij rasti”, thuhet ndër të tjera në reagimin e IKD-së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat