Behgjet Pacolli kërkon sugjerime nga deputetët për Interpol, Vjosa Osmani i thotë se tani është vonë

Aktuale

Behgjet Pacolli kërkon sugjerime nga deputetët për Interpol, Vjosa Osmani i thotë se tani është vonë

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 13:45
Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme Sugjerime për qasjen në rastin e garës së Kosovës për anëtarësim në Interpol, por kryetarja e këtij komisioni Vjosa Osmani, në mbledhjen e zakonshme të komisionit, ka thënë se tani është shumë vonë për rekomandime pasi kanë mbetur pak ditë deri në votimin e aplikacionit të Kosovës në këtë organizatë.

Ajo tha se edhe pse ka insistuar që ministri Pacolli të raportojë, ky i fundit nuk është përgjigjur.

“Unë do të vazhdoj me insistu, sidomos në këtë fazë ku Serbia po e rritë destruktivitetin e vet, përkundër procesit të dialogut ata po vazhdojnë me ofensiva të tmerrshme. Qoftë sa i përket njohjeve qoftë kërkesave që shtete të caktuara të mos votojnë pro Kosovës në Interpol. Tanimë ka disa muaj që ministri i jashtëm për këtë temë nuk ka raportuar. Ndërsa sa i përket Interpolit, ministri ma ka dërgu një email ku thotë që ne si komision nëse kemi sugjerime t’jua dërgojmë. Unë personalisht do t’ia kthej përgjigjen dhe do t’i them që është vonë që pak ditë para se të votohet të kërkojë nga ne sugjerime”, ka deklaruar Osmani.

Në këtë mbledhje gjithashtu është diskutuar për caktimin e një eksperti për Strategjinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ndërparlamentar dhe zgjerimin e listës se ekspertëve për grupet punuese.

Vjosa Osmani tha se ekziston një listë me ekspertë që prej vitit 2008 dhe propozo tre emra të rinj për zgjerim të listës.

Të propozuarit e saj ishin tre ekspertët e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Qerim Qerimi, Kushtrim Istrefi dhe Donikë Qerimi.

Ndërsa Elmi Reçica nga PDK tha se ai propozon që vendimi për ekspertët të shtyhet për mbledhjen e ardhshme sepse sipas tij anëtarët e Komisionit “kanë nevojë që t’i shikojnë të gjithë emrat e propozuar dhe CV-të e tyre”.

‘’Unë propozoj që emrat e propozuar për votim ta bëjmë në mbledhjen e ardhshme sepse për ngut nuk jemi, mund ta lëmë për të premten’’, tha Reçica.

Gjatë mbledhjes, listës iu shtuan edhe Dren Doli dhe Blerim Reka.

Në këtë mbledhje u diskutua edh për Ligjin për Diasporën, ku deputeti Glauk Konjufca kërkoi që të mos ngutet për këtë ligj pasi, sipas tij  duhet të diskutohet më shumë që ligji i ri të mos jetë i ngjashëm me atë të mëparshmin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat