Bahtiri: Edhe baba me u çu prej varrit, se nuk e jap asnjë pëllëmbë të Kosovës – më parë hyj në varr të tij

Aktuale

Bahtiri: Edhe baba me u çu prej varrit, se nuk e jap asnjë pëllëmbë të Kosovës – më parë hyj në varr të tij

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 23:02
Agim Bahtiri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, në një intervistë për median ka thënë se do të vazhdojë të jetë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve dhe se nuk do të pranonte që të prekej asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës.

Bahtiri ka thënë se qëndrimin e tij kundër kësaj ideje ia ka thënë edhe presidentit Thaçi në katër sy, dhe se nuk do të ndryshonte qëndrim edhe po t’i çohej baba nga varri.

“Ia kam thënë Thaçit edhe në katër sy që jam kundër dhe do t’ia them sa herë të është nevoja, sepse ideja për negocimin e kufijve të Kosovës ka qenë qe 20 vite e serbëve. Ideja e tyre ka qenë çdo herë që për Kosovën të flasin Serbia e Shqipëria, duke harruar se Kosova tashmë i ka institucionet e veta dhe është shtet që njihet ndërkombëtarisht. Një ta dini se e kam dashur babanë shumë, e kam pasur një baba shumë të fuqishëm, i fjalës dhe besës. Por, edhe ai me u ngjall prej varrit edhe me më thanë që duhesh të ndërrosh mendim, unë i them babë po hi në varr tanin e këtë nuk e bëj sepse nuk dua  të preket asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës. Nuk dua t’ua lë barrë një gjë të tillë pasardhësve të mijë”, ka thënë Bahtiri.

Sipas tij, kjo ide e presidentit Thaçi ka shkaktuar shumë probleme dhe përçarje mes spektrit politik në Kosovë.

“Asnjëherë nuk guxojmë ta hedhim në tavolinë ndryshimin e territoreve. Agim Bahtiri do të jetë kundër gjithherë ndaj një marrëveshje të tillë. Ky territor u fitua me gjak të dëshmorëve, njerëzve që dhanë jetën për vend. Nuk kemi të drejtë të shkelim mbi gjak të tyre. Nuk kam kurrgjë personale me askënd, kam raporte të mira me të gjithë. Këtë nuk do t’ia lejoj vetes, do të jem i fuqishëm në këtë drejtim, unë kam kaluar edhe kufijtë e partisë shpeshherë. Serbët këtë e duan vetëm si negociatë por si do të jetë përfundimi nuk e di askush. E di fuqinë e serbëve që janë kompakt në qëndrimet e tyre. Miqtë e Kosovës ose nuk janë në pozita të larta, ose kanë vdekur krejt. Kjo teori duhet me ra”, deklaroi tutje Bahtiri.

Ai ka thënë se Thaçi duhet të ndalet me këtë proces, dhe udhëheqësit politik në Kosovë të bëhen burra  e të arrijnë një marrëveshje për platformën dhe delegacionin e Kosovës në këto bisedime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat