Takimi i Thaçit me Vuçiqin pa marrëveshje - taksa për importet serbe, pengesë në dialog - Bota Sot
Takimi i Thaçit me Vuçiqin pa marrëveshje - taksa për importet serbe, pengesë në dialog

Aktuale

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Takimi i Thaçit me Vuçiqin pa marrëveshje - taksa për importet serbe, pengesë në dialog

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 18:13
Hashim Thaçi, Federica Mogherini, Aleksandar Vuçiq

(E plotësuar) - Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq. Edhe ky takim është lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Pas takimit, presidenti serb, Vuçiq, tha se nuk ka dialog me Kosovën përderisa nuk tërhiqet taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës prej 10 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

"Serbia është e gatshme për dialog, por para saj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet - të mos kërcënojë serbët me dërgimin e ushtrisë. Mos të vendosë tarifa të reja. Nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjerat?! Nuk janë në gjendje të formojnë Asociacionin, nuk mund ta respektojnë CEFTA-n, atëherë çka mund të respektojnë nga marrëveshjet e Brukselit", është shprehur Vuçiq.

Ai ka thënë se nuk ka folur për shkëmbim territoresh asnjëherë, mirëpo do të vazhdojë dialogun për të parë se çfarë fiton Serbia nga ky proces:

"Ne do të diskutojmë shumë gjëra dhe të shohim çka do të fitojë Serbia dhe pasi të shohim çka fiton Serbia, pastaj do të shohim. Nuk kam folur për shkëmbim të territoreve, unë nuk s’kam folur për këtë. Të respektohen marrëveshjet. Sapo të fillojnë t’i përmbushin obligimet që i kanë nënshkruar para 10 vjetëve dhe 5 vjetëve, ne do të diskutojmë".

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë pas takimit se “kishte plot ballafaqime dhe nuk ishte takim aspak i lehtë”.

“Janë tema aspak të lehta. Ishte takim i radhës i fazës finale të përmbylljes së këtij procesi jashtëzakonisht të vështirë, por interesi i të dyja vendeve është që të përmbyllet me një marrëveshje që siguron njohje reciproke”, ka thënë Thaçi.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që t’i bashkohen atij në këtë proces të dialogut.

“Mbetet të shihet në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat, por mund të them se është sfidë jo e lehtë që të ballafaqohemi me gjithë këtë aparaturë të Serbisë këtu. Do të ishte mirë që i gjithë spektri politik në Kosovë të unifikohet dhe të vijë këtu e të ballafaqohemi. Është momentum, shans historik që të sigurohet njohja e Kosovës nga Serbia”, ka deklaruar Thaçi.

“Unë i kam rezervat e mia, e di se do të jetë vështirë dhe ka një mundësi të vogël për marrëveshje, por duhet të punojmë”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, diskursi i Serbisë në dialog ishte agresiv dhe arrogant, kurse delegacioni i Kosovës, siç ka thënë ai, kishte diskurs të drejtë dhe të balancuar, që nënkupton njohjen reciproke dhe hapjen e rrugës për anëtarësimin e Kosovës në OKB, në BE dhe në NATO.

Ndërkaq, në një komunikatë të Federica Mogherinit për media thuhet se Bashkimi Evropian pret që Prishtina dhe Beogradi të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e raporteve ndërmjet tyre dhe perspektivës konkrete të aspiratave të tyre evropiane. 

Në diskutimet e saj me dy presidentët Federica Mogerini theksoi nevojën që Kosova dhe Serbia të sigurojnë një mjedis të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit. 

Ata diskutuan për hapat e nevojshëm në rrugën përpara dhe vendosën të mbesin në kontakt të vazhdueshëm në ditët në vijim.

Para takimit, Mogherini tha se pret nga dy liderët që të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Vuçiq: Ushtria e Kosovës në veri - kjo nuk do të ndodhë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se dialogu në Bruksel do të vazhdojë kur Prishtina të tërheqë vendimet e saja “të paligjshme”.

Pas një takimi trepalësh në Bruksel, Vuçiq tha për RTS se Serbia do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur popullin e saj.

Ai thekson se Serbia nuk dëshiron konflikt, por paqe me shqiptarët, por se nuk do të lejojë kërcënimin e lirisë dhe paqes së popullit të saj. Ai tha se Serbia gjithmonë dëshiron të vazhdojë dialogun, por kjo do të ndodhë kur Prishtina të tërhiqet vendimet e saj të ‘paligjshme’.

"Ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasin për çdo gjë -.të ardhmen, kompromisin, pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm edhe nga vetë Serbia, pasi ju gjithmonë keni ekstremistët në njërën anë dhe në anën tjetër, por ne nuk jemi të gatshëm për të biseduar me ata që na mashtrojnë çdo ditë," tha presidenti serb, duke shtuar se gjithçka që i thotë Federica Mogherinit, atë ia thotë edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Vuçiq gjithashtu komentoi deklaratën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, se Ushtria e Kosovës do të formohej këtë muaj dhe një pjesë do të vendoset në veri. Ai tha se kjo do të ishte në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, por edhe me një marrëveshje me NATO-n. "Ata që mendojnë se do të sjellin ushtrinë e tyre në veri të Kosovës - kjo nuk do të ndodhë," tha Vuçiq.

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar skenën politike te Kosoves që të bashkohen për dialogun, ndërsa ka deklaruar se në takimin e sotëm në Bruksel, pala serbe dhe Aleksandar Vuçiq kishin një diskurs agresiv dhe arrogant.

Këtë deklaratë presidenti Thaçi e dha pas takimit trepalësh që ka pasur në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti Thaçi i ka bërë ftesë tërë skenës politike në Kosovë, që të bashkohet dhe të vijnë në Bruksel për të qenë sa më të fuqishëm në dialog për ballë Serbisë, e cila siç tha nuk është e lehtë në dialog.

Thaçi: Është një sfidë jo e lehtë

“Mund të them përsëri se është një sfidë jo e lehtë me gjithë këtë aparaturë të Serbisë, të ballafaqohemi këtu dhe në hapësirat tjera. Për këtë arsye mendoj që është me interes që e gjithë skena politike kosovare të merr guximin, energjinë, vendosmërinë, që të vinë këtu të ballafaqohemi të gjithë, dhe të shëmojmë progres, në mënyrë që të jetë një proces i një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e pranueshme dhe mund të them se është një momentum i ri i cili duhet me u shfrytëzuar, është shansë historike që të ndodh njohja edhe nga Serbia për Kosovën”, tha presidenti i Ksoovës.

Ai po ashtu deklaroi se dëshiron të shpresojë në vullnetin dhe energjinë e njerëzve në Kosovë, të partive politike, shoqërisë civile, mediave, pasi është momenti i ballafaqimit dhe tejkalimit të kësaj pengese të madhe të quajtur Serbi dhe Aleksandër Vuçiq, përball një ofensive arrogante të tyre në raport me shtetin e Kosovës.

Image

Thaçi: Serbia dhe Vuçiq kishin një diskurs agresiv

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga delegacioni i Serbisë dhe Aleksandar Vuçiq, ndërsa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejte për arritjen e marrëveshje të balancuar, që do të nënkuptonte njohjen reciproke, dhe anëtarësim e Kosovës në OKB, gjithashtu me mundësi reale edhe të zëvendësimit të Rezolutës 1244. Kështu që janë gjerë të ndjeshme dhe të mëdha, këto që kemi para nesh në ditët dhe javët e ardhshme. Andaj unë mbes me shpresë se me një përfaqësim, bazë edhe më të gjerë politike, Kosova siç ja ka dalë edhe më herët do të ia dalë edhe kësaj radhe”, tha presidenti Thaçi.

Ai po ashtu pohoi se pozicioni i palës kosovare është i qartë, ku dialogu nuk ka alternativë, ndërsa alternativat e tjera janë izolimi dhe konfrontimi.

Thaçi: Dialogu nuk ka alternativë

“Dialogu nuk ka alternativë, alternativat e tjera janë izolimi, konfrontimi dhe zërat nacionalistë, populistë të destabilitetit, incidenteve, prandaj qëndrimi i shtetit të Kosovës do të jetë në përputhshmëri me interesin e shtetit, qytetarëve, mundësisë së arritjes së një marrëveshje”, tha presidenti.

I pyetur për ultimatumin e presidentit serb, Vuçiq, presidenti Thaçi deklaroi se dialogu dhe negociatat nuk shkojnë as me ultimatume, as me zëra agresiv, “atë që dua të them e them me pozicionin e shtetit të Kosovës do të jemi të përgjegjshëm, korret e konstruktiv, por shumë të vendosur në realizmin e aspiratës dhe së drejtës te shteti të Kosovës për një marrëveshje ligjërisht obligative, në rrafshin ndërkombëtar. E theksoj qëllimi madhor është të ndodh njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës, pas kësaj marrëveshje në OKB. Kjo do të ishte një mrekulli”.

Presidenti po ashtu njoftoi se takimi i radhës do të jetë në një afat të shkurtër.

Thaçi pas takimit me Vuçiqin dhe Mogherinin: Serbia pati diskurs agresiv dhe arrogant

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka vlerësuar shumë të vështirë takimin që zhvilloi në Bruksel me homologun serb Aleksandar Vuçiq.

Ai e ka quajtur arrogant diskursin e Vuçiqit.

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia dhe Vucic derisa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejtë për arritjen e një marrëveshje të balancuar që do të nënkuptonte njohjen reciproke dhe hyrjen në OKB dhe zëvendësimin e rezolutës 12/44’, tha Thaçi.

Tha se takimi i radhës do të mbahet se shpejti derisa shpreson në arritjen e një marrëveshje finale.

“Mbes me shpresë se me një përfaqësim me bazë edhe më të gjerë politike Kosova si edhe më herët do të ja dalë edhe kësaj radhe’, theksoi Thaçi.

Vuçiq nervoz: Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse s’respektojnë marrëveshjet e nënshkruara para 10 vjetësh

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me nervozizëm u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas përfundimit të takimit me homologun e tij nga Kosova, Hashim Thaçi në Bruksel, në takimin që është mbajtur nën lehtësimin e Federica Mogherini.

Vuçiqi ka thënë se “Serbia është e hapur për dialog, por edhe pala tjetër duhet të respektojë marrëveshjet”.

Një pjesë të madhe të diskutimit të tij, Vuçiqi e ka orientuar me kritika drejt vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.

“Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse nuk janë në gjendje të respektojnë marrëveshjet të cilat i kanë nënshkruar para 10 vjetësh”, ka thënë Vuçiq.

Image

Përfundon takimi Thaçi – Mogherini - Vuçiq

Sapo ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

I pari nga takimi ka dal presidenti serb, i cili  nuk është ndalur të flas për media që ishin duke pritur për prononcime, por ka zgjedhur të flas vetëm për një medium serb.

***

Sapo ka filluar takimi trepalësh në Bruksel mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mogherini së pari ka takuar ndaras, Thaçin dhe Vuçiq. 

Image

***

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se gjatë takimit që ka pasur me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherinin, janë për dinamizimin e dialogut.

“Sapo e përfundova takimin bilateral me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherinin. U pajtuam për dinamizimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

 Fillon takimi Thaçi - Mogherini

Sapo ka filluar takimi në Bruksel mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Mogherini pritet të takohet edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Image

Thaçi flet para takimit me Vuçiqin në Bruksel

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaron se do të bëjë të gjitha përpjekjet që të përafrohen qëndrimet me Serbinë, në interes të arritjes së marrëveshjes.

E ka ripërsëritur nga Brukseli teksa ka hyrë në ndërtesën ku pritet të ndodh takimi me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq, se arritjen e një marrëveshje që sjell njohjen reciproke e mbështet përveç BE-së edhe SHBA-ja.

Ai ka deklaruar se nuk do ta ketë aspak të lehtë në takimin që pritet të mbahet.

Thaçi: Do të bëjmë përpjekje të përafrojmë qëndrimet

 E di se nuk do të jetë e lehtë, përkundrazi ka vështirësi, ka pengesa, ka ballafaqime, por arritja e marrëveshjes është mundësia më e mirë për të lëvizur përpara drejt perspektivës evropiane të dy vendeve për popujt tanë. Prandaj do të bëjmë të gjitha përpjekjet maksimale që të përafrojmë qëndrimet në interesin e arritjes së marrëveshjes. Kjo është një mundësi e radhës e realizuar dhe e udhëhequr nga zonja Mogherini, nga BE, me mbështetjen e plotë të ShBA-së, prandaj edhe synimi i Kosovës është që të ndërtojë miqësi të mirë me te gjitha vendet, në kuadër të kësaj edhe me Serbinë, në mënyrë që të lëvizim drejt NATO-s, drejt BE-së dhe të hapim perspektivën globale për shtetin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ky ëhstë takimi i katër i procesit final të mundësisë së arritjes së një marrëveshje ne mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo obligative për të dyja vendet në rrafshin ndërkombëtar.

***

Hashim Thaçi, president i Kosovës, ka thënë se në takimin e së enjtes me presidentin serb Aleksandar Vuçiq do të bëjë përpjekje maksimale që të përafrojë qëndrimet me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obliguese.

Pak para këtij takimi në Bruksel, Thaçi ka thënë se me marrëveshje gjithëpërfshirëse nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ka përsëritur se nuk do të jetë lehtë dhe se ka pengesa deri në arritjen e kësaj marrëveshje.

“Jemi këtu për të zhvilluar takimin e radhës për procesin final të mundësisë për arritjen e marrëveshjes mes dy shteteve, marrëveshje ligjërisht obliguese për njëra-tjetrën në rrafshin ndërkombëtar. Marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombe të Bashkuara. E di se nuk është e lehtë. Por marrëveshja është mundësia më e mirë për të ardhmen evropiane të të dy vendeve. Do të bëjmë përpjekje maksimale për të arritur marrëveshjen. Është mundësi e radhës e organizuar nga Federica Mogherini, Bashkimi Evropian me mbështetjen e Amerikës”, ka thënë Thaçi para gazetarëve para hyrjes në takim.

***

Konferencë e presidentit Hashim Thaçi para takimit në Bruksel.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test