Eliot Engel pritet të jetë kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan

Aktuale

Eliot Engel pritet të jetë kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan

Muhamet Hamiti Nga Muhamet Hamiti Më 9 nëntor 2018 Në ora: 08:45
Eliot Engel

Miku i moçëm i shqiptarëve dhe i Kosovës, kongresisti demokrat Eliot L. Engel, pritet të jetë kryetar i ardhshëm i Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan nga janari i vitit 2019. Prej shumë vitesh ai ka qenë përfaqësusi më i lartë (ranking member) i partisë së vet në këtë Komitet. Tash që Partia e tij Demokratike ka fituar shumicën ai do të marrë detyrën e kryetarit të Komitetit.

Kongresisti demokrat nga zona e 16-të e Nju-Jorkut, që përfshin edhe një pjesë të Bronksit (Bronx), ku jetojnë shumë shqiptarë, ka folur për planet e Komitetit për Politikë të Jashtme në një intervistë për gazetën “The Washington Post”, e cila e i referohet si “kryetari në ardhje” (the incoming chairman) i Komitetit.

Duke folur për planet për mbikëqyrje të politikës së jashtme amerikane që udhëheqin Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, Eliot Engel flet gjithë kohë në vetën e parë (unë) si kryetar i pritshëm i Komitetit të Jashtëm. Ai shpreh bindjen se Shtëpia e Bardhë do ta marrë seriozisht këtë Komitet, ndërsa në lidhje me Sekretarin e Jashtëm Mike Pompeo, herbreu amerikan Eliot Engel u shpreh kështu në intervistë kësaj të mërkureje, mbas fitores së demokratëve në Kongres një ditë më heret: “Unë e respektoj atë si Sekretar të Jashtëm. Ai duhet ta respektojë Komitetin për Politikë të Jashtme. Respekti është rrugë dykahëshe”.

Kongresist që nga viti 1989, Eliot Engel ka qenë mik dhe përkrahës i Presidentit Ibrahim Rugova dhe i lirisë e pavarësisë së Kosovës që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta. Presidenti historik i Kosovës i kishte akorduar Engelit “Medaljen e Artë të Lirisë” më 12 qershor 2004, në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë. 12 qershorin Rugova e kishte shpallur Ditë të Lirisë së Kosovës.

Në Kosovë ka një pullë postare me emrin dhe imazhin e Engelit, e inauguruar vitin e kaluar, por edhe bulevard që mban emrin e kongresistit amerikan e mikut të vendit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat