Tri vite nga vdekja e Donjeta Pajazitaj, çfarë thonë familjarët dhe çfarë ka vendosur drejtësia

Aktuale

Tri vite nga vdekja e Donjeta Pajazitaj, çfarë thonë familjarët dhe çfarë ka vendosur drejtësia

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 11:30
Donjeta Pajazitaj

Janë bërë tri vjet nga vdekja e 24-vjecarës Donjeta Pajazitaj nga fshati Strellc i Decanit. E ndjera ishte zhdukur me 9 nëntor të vitit 2015, e më pastaj ishte gjetur pas gjashtë javësh në bjeshkët e Strellcit. Sot, familjarët dhe shoqëria e kujtojnë atë me dhimbje dhe mallë.

Për vdekjen e saj u pat arrestuar para tri vitesh kushëriri i saj, Naser Pajazitaj.

Janë mbajtur seanca gjyqësore e janë dhënë vendime, por lënda e Naserit është kthyer në rigjykim apo rivendosje, ku Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuza për veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa është shpallur fajtor për “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të pa autorizuar të armëve”.

Për këtë vepër ai u dënua me 2 vjet e 4 muaj burgim, ndërsa për akuzën për vrasjen është liruar tërësisht, me ç’rast familja e kundërshtoi një vendim të tillë për vajzën e tyre.

Familja e të ndjerës tani ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit për të kthyer rastin në rigjykim.

Vëllai i Donjetës, Shkelqimi për media ka treguar se seanca e rigjykimit do të mbahet me 19 nëntor të këtij viti.

“Kemi bë ankesë në Gjykatën e Apelit. Tash është kthyer në rigjykim me 19.11.2018 ku kemi seancën e parë. Po shpresojmë në marrjen e një vendimi të drejtë. Fakte ka pas, për qeta është edhe në burg. Na kemi shpresu që kanë më zbulu diçka ma shumë, po ata as nuk e dënuan, se ai ne atë gjendje si është nuk ka mundur me kry vet atë punë se është kane me kso me paterica që ju thonë, që i ndihmojnë me ece e tani në fakt nuk e di qysh kanë mundë me refuzu e mos mu bind kur edhe vajza e tij ka dalë kundër në fillim kur policia i kanë marrë ne pyetje. Tash ma vonë e ka ndryshua deklaratën se normal në publik sa do i poshtër me qenë prindi nuk mundet me kundërshto. Po, atëherë ajo e ka tregu të vërtetën, pastaj ka dëshmitarë që kanë dalë kundër tij, edhe kamera, po se di ishalla, edhe pse shpresë nuk ka”, ka thënë Shkelqimi Pajazitaj.

Kujtojmë që sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Naser Pajazitaj është përgjegjës për vrasjen e kushërirës së tij, Donjetës.

“I akuzuari Naser Pajazitaj dyshohet se me datë 09.11.2015, rreth orës 14:30, në bjeshkët e Strellcit, pikërisht tek kroi i quajtur “Kroni i Lajthisë”… me dashje dhe me armë të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza thotë se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në aktakuzë.

Mirëpo, sipas Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore lidhur me vërtetimin jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike, janë të bazuara, ngase provat e administruara, nuk janë vlerësuar në mënyrë të drejtë, prandaj edhe vlerësimet qe ka nxjerrë gjykata e shkalles se parë janë të gabuara.
Ndryshe, Donjeta Pajazitaj disa javë ishte shpallur e zhdukur derisa u gjet e vrarë në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat