Zyrtari i PDK-së: Partia në Ferizaj është zaptuar, komuna po keqqeveriset

Aktuale

Zyrtari i PDK-së: Partia në Ferizaj është zaptuar, komuna po keqqeveriset

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 13:45
Nehat Mustafa e ka denoncuar Agim Aliun se e ka shndërruar komunën në vend të punësimeve të paligjshme

Partia e Kadri Veselit po shkon drejt ndarjes edhe në Ferizaj. Atje, Nehat Mustafa e ka denoncuar Agim Aliun se e ka shndërruar komunën në vend të punësimeve të paligjshme. Ka thënë se në gjendje edhe më të keqe ka rënë partia. Ndaj këtyre akuzave ka heshtur Shefi i i degës së PDK’së dhe i Komunës së Ferizajt.

PDK e Ferizajt është zaptuar. Komuna po e keqqeveriset dhe është shndërruar në institucion i punësimeve të jashtëligjshme. Ky është konstatimi i Nehat Mustafës, Nënkryetar i kësaj Dege dhe anëtar i organit më të lartë të Partisë së Kadri Veselit në qendër.

Mustafa thotë që Agim Aliu mund ta ketë fatin e Muharrem Sfarqës, nëse vazhdon ta keqqeverisë komunën e Ferizajt.

Në anën tjetër, Agim Aliu ka refuzuar të komentojë akuzat dhe denoncimet e Mustafës. Media i ka dërguar edhe pyetje me shkrim për të marrë qëndrimin tij, por i njëjti s’ka pranuar të flasë.

Megjithëkëtë, ish-Zëvendësministri i Brendshëm e i Arsimit paralajmëro se shpejt mund të ketë largime nga partia e dytë në nivel të Kosovës nëse udhëheqja qendrore nuk reagon.

“Pakënaqësitë janë shumë të mëdha dhe nuk do jetë befasi që nëse vazhdohet kështu , reagimet do rriten, mbase edhe me veprime konkrete siç ka qenë rasti kur komplet kryesia e një nëndege ka dhënë dorëheqje, dorëheqje e pa trajtuar asnjëherë deri më tani në strukturat e degës”, ka thënë Mustafa.

Bashkëpartiaku i Kryetarit të Ferizajt e ka denoncuar Agim Aliun se e ka shndërruar Komunën në vend ku ka punësime familjare, klienteliste. E ka akuzuar edhe për punësime me kontrata mbi vepër, punësim ky që nuk bazohet në asnjë ligj të Republikës.

“Kam qenë, jam dhe do të jem kundër marrjes së vendimeve duke trafikuar votën e disa këshilltarëve me premtime për punësime familjare, apo privilegje të tjera. Emërimet nëpër borde në të shumtën e herëve janë jo profesionale, familjare edhe klienteliste;  qindra punësime me kontrata në vepër;   mostranasparencë në shumë projekte, e shumë e shumë arsye të tjera për të cilën kam folur në të kaluarën”, ka shtuar ai.

PDK është në proces të zgjedhjeve të brendshme. Deri tash në disa degë ka pasur pakënaqësi dhe akuza. Së fundmi, në bastionin e kësaj partie, në Skenderaj, dolën dy grupe, njëri i Sami Lushtakut e tjetri i Nuredin Lushtakut, i cili përkrah Kryetarin e Komunës Bekim Jashari. Probleme të ngjashme ka edhe në Drenas ku Naim Bacaj po e akuzon Kryetarin Ramiz Lladrovci se e ka uzurpuar partinë.

Sidoqoftë, nga Ferizaj vijnë paralajmërime se mund të ketë largime nga PDK’ja.

“Nëse nuk do këtë reflektim, sigurisht që mund të priten veprime tjera nga ana ime”, ka thënë Mustafa, pa e sqaruar nëse do të largohet nga PDK, do të shkojë në NISMA ose VV.

Ky zyrtar i PDK’së thotë se Partia e Kadri Veselit po degradohet për faktin se fatin e një organizimi vullnetar po e marrin dy tre persona.

“Prandaj, askush mos të befasohet nga ky kundërshtim i imi që po i bej këtij deformimi që po ndodhë me degën dhe partinë në tërësi”, ka shtuar tutje nënkryetari i PDK-së në Ferizaj.

Megjithatë ai thotë se nuk ka pretendime për të marrë kreun e partisë në këtë komunë.

Ai ka shpjeguar në detaje edhe arsyen e largimit të tij nga grupi i asamblistëve të PDK-së në Komunën e Ferizajt, duke thënë se shkaku për këtë largim ka qenë keqqeverisja dhe punësimet e jashtëligjshme të bëra nga kryetari aktual Agim Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat