Gardianët kërkojnë të përfshihen në projektligjin për pagat

Aktuale

Gardianët kërkojnë të përfshihen në projektligjin për pagat

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 12:01
Zenun Sadikaj

Punonjësit e sistemit të drejtësisë, veçanërisht ata të Shërbimit Korrektues, po ndihen të diskriminuar me projektligjin e ri për pagat, kjo pasi mbi 1 mijë e 700 punëtorë nuk janë përfshirë në këtë projektligj.

Në këtë rast, bëhet fjalë për gardianët e burgut të Dubravës, të cilët i mbikëqyrë Shërbimi Korrektues.

I zhgënjyer me këtë është edhe kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj, i cili thotë se përkundër faktit se kaherë kanë paraqitur kërkesat e tyre, ende nuk është bërë asgjë për të përmirësuar pozicionin e tyre.

Sadikaj ka shpalosur disa nga kërkesat kryesore të kësaj sindikate.

Sadikaj: Të përfshihemi në projektligjin për pagat

“Ndër kërkesat më kryesore është Ligji i Shërbimit Korrektues, ku kemi pasur si premtim nga ish-ministri Hajredin Kuçi, i cili deri më tani nuk është bërë dhe, sipas mendimit tonë, shumë pak është bërë në këtë drejtim. Një kërkesë e dytë dhe me shumë rëndësi është që ne Shërbimi Korrektues nuk jemi të përfshirë në ligjin për paga, do të thotë të gjithë janë të përfshirë, Policia, FSK-ja, doganat, zjarrfikësit e të tjerë, ne nuk jemi fare të përfshirë”, tha ai.

Tutje, ai thotë se është e papranueshme që të jenë staf civil, e jo staf i uniformuar.

Sadikaj: MAP nuk po na njeh si staf të uniformuar

"Sipas Ministrisë të Shërbimeve Publike, po del se ne nuk jemi fare staf i uniformuar, por jemi staf civil. Sipas nesh, është e pranueshme që ne të jemi staf civil e jo uniformues. Pra, këtu është bërë një e padrejtë ndaj Shërbimit Korrektues, për këtë jemi të mllefosur dhe kemi bërë kërkesa me shkrim”, theksoi ai.

Sipas tij, krahas njohjes së punonjësve të këtij shërbimi, si staf i uniformuar duhet rregullohet edhe mosha e pensionimit të gardianëve.

Sadikaj: Mosha e pensionimit të jetë 55 vjet

“Si kërkesë tjetër del që mosha e pensionimit të jetë 55 vjet sikurse parashihet të jetë Policia, dhe si është për momentin FSK-ja. Dua t'iu informojë se mosha mesatare e shërbimit korrektues është 48-49 vite. Për këtë, stafi është i mplakur dhe nuk mund t'i kryej detyrat në Shërbimin Korrektues... Në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, qe 10 vite askush nuk është pranuar si punëtor i ri dhe mbi 190 veta e kanë lëshuar, kanë vdekur ose janë suspenduar e nuk është pranuar asnjë punëtorë i ri, gjë që dëshmon se me të vërtetë stafi është shumë i vjetruar", u shpreh Sadikaj.

Sadikaj shton se Shërbimi Korrektues përballet me një mori problemesh, përkundër raportimit të tyre tek institucionet përkatëse.

Sadikaj: Shërbimi Korrektues ka një mori problemesh

"Në shërbimin korrektues paraqiten një mori problemesh, të cilat ne si sindikatë jemi munduar që t'i zvogëlojmë apo t'i përmirësojmë, por nuk kemi arritur. Për problemet tona janë të informuar edhe zyrtarët e lartë, si Ministria, Drejtoria Qendrore dhe Drejtoria jonë këtu në Dubravë", tha ai.

Krejt në fund, Sadikaj tha se janë duke bërë përpjekje të pareshtura që problemet që dalin në këtë institucion të zgjidhen sa më parë. Porse shton se deri më tani nuk kanë arritur që të zgjidhin problemet aktuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat