Sveçla: Janë evidentuar shkelje ligjore në deportimin e gjashtë shtetasve turq

Aktuale

Sveçla: Janë evidentuar shkelje ligjore në deportimin e gjashtë shtetasve turq

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 13:18
Shpend Maxhun

(E plotësuar) - Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ka përfunduar intervistimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni.

Intervistimi i Maxhunit zgjati mbi dy orë, ndërsa komisioni vazhdoi mbledhjen edhe për më shumë se gjysmë ore.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i këtij komisioni Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se deri më tash kanë gjetur mangësi dhe kanë identifikuar shkelje ligjore.

Ai nuk ka dashur të flasë në detaje, por ka shtuar se ka institucione të cilat nuk kanë dërguar të gjitha dokumentet që kanë në dispozicion lidhur me rastin.

Ai ka përmendur edhe lëvizjen e disa zyrtarëve nga një pozitë në tjetrën, me ç'rast ka thënë se mbetet të shihet nëse kanë qenë të qëllimshme ose jo.

Policia e Kosovës  kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.

Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.

Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi. 

Në fund të muajit tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuar nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, pati deklaruar për media se ky komision dëshiron ta kuptojë të vërtetën se çfarë ndodhi ditën e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Ndryshe,  deri më tani janë intervistuar tre zyrtarë policorë të aeroportit, ndërkohë që Sveçla pati thënë se do të vazhdojnë intervistimet edhe të zyrtarëve tjerë policorë.

Deklarata të deputetëve pas intervistimit të Maxhunit (Drejtpërdrejt)

Deklarata të deputetëve pas intervistimit të Maxhunit.

Intervistimi i Maxhunit po bëhet me dyer të mbyllura

Ka filluar intervistimi i ish-drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunit, para deputetëve, anëtarë të Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Me kërkesë të deputetit të AAK-së Muharrem Nitaj, u vendos që intervistimi të bëhet pa praninë e mediave.

Deputetët nuk kanë bërë të ditur për kohëzgjatjen e intervistimit. Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla ka thënë se  kjo varet nga përgjigjet që do të marrin.

Edhe herën e kaluar kur u morën në pyetje disa policë,  gazetarët nuk janë lënë brenda.    

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq pa asnjë procedurë ka ndodhur në mars të këtij viti, në kohën kur Shpend Maxhuni ka qenë drejtor i Policisë.

Ai është emëruar drejtor i AKI-së pas shkarkimit të Driton Gashit nga kjo pozitë pikërisht në lidhje me këtë rast.

Maxhuni merret në pyetje nga deputetët në lidhje me shtetasit turq

Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe ish drejtori i Policisë Shpend Maxhuni do të merret në pyetje nga deputetët, anëtarë të komisionit hetimor parlamentar në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti.

Në kohën kur ka ndodhur ngjarja ku shtetasit turq pa kurrfarë procedure janë dëbuar për në Turqi, Maxhuni ka qenë drejtor i Policisë së Kosovës.

Në lidhje me këtë rast në atë kohë janë shkarkuar ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe Driton Gashi, i cili ka qenë shef në AKI.

Në vend të Gashit shef i AKI-së është emëruar Maxhuni ndërsa Gashi tash është emëruar sekretar në Presidencën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat