Seanca e nesërme shtyhet për ndonjë ditë tjetër - Bota Sot
Seanca e nesërme shtyhet për ndonjë ditë tjetër

Aktuale

Seanca e nesërme shtyhet për ndonjë ditë tjetër

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 14:59
Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në takimin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i shoqëruar nga dy ministra tjerë, ai i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha janë takuar me anëtarët e Komisionit për Legjislacion me qëllim të çuarjes përpara të agjendës evropiane të Kosovës.

Gjatë këtij takimi kreu i ekzekutivit me kërkesë të anëtarëve të këtij komisioni është pajtuar që ta shtyhet për një ditë tjetër seancën e thirrur nga vetë ai, ku do diskutohej për pakon e ligjeve për agjendën evropiane.

Haradinaj ka kërkuar që me urgjencë të trajtohet projektligji për kodin penal, projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, ai për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale dhe projektligji për përgjegjësinë disiplinore, projektligje këto që lidhen me ERA dhe  liberalizimin e vizave siç është

Haradinaj: Kërkoj të përshpejtohen procedimi i ligjeve

“Me mujt me i përshpejtua punët në komisionin tuaj dhe komisionet tjera me ardhur tek një seancë plenare, me mujt një afat kohor sa më të shkurt të mundur, me mund me raportua për miratimin në lexim të dytë. Nuk po kërkojmë me prish cilësinë e ligjeve, por të paktën po kërkojmë në afat më të shpejt kohor se mundësitë janë reale me hy në agjendë, pra çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën  në agjendën e Këshillit të Evropës”, ka thënë Haradinaj.

Me këtë rast, kryetarja e komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu e ka kundërshtuar  seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Haradinaj.

Haxhiu tutje duke folur për akuzat drejt opozitës se po kundërshtojnë reformat në drejtësi, tha se Qeveria dhe ministritë përkatëse nuk po e pranojnë fajin e tyre në këtë drejtim.

Haxhiu: Kërkesa juaj për seancë ndërhynë në punën e Kuvendit

“Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme ndërhynë në punën e Kuvendit, unë e di që ju me Kushtetutë keni të drejtë që të thirrni seancë të jashtëzakonshme, por jo për çështjet që janë pronë e Kuvendit në këtë rast e komisionit. Ne si komision kemi të drejtë që të ftojmë komisionet tjera që të t’i përshpejtojnë, edhe kryesinë e Kuvendit, por edhe me propozua seancën e Kuvendit, prandaj ne kemi vullnet që menjëherë pas takimit tuaj të diskutojmë për këto vetëm na njoftoni se cilat janë saktësisht, sepse neve në kryesi na u tha katër projektligje, tash janë më shumë se katër”, ka thënë Haxhiu.

Seancën e nesërme e ka kundërshtuar edhe Arben Gashi, anëtar i këtij komisioni nga radhët e LDK-së,i cili kërkoi që kjo seancë të anulohet, pasi siç tha ai kjo është kompetencë e Kryesisë së Kuvendit, e jo e Qeverisë.

Gashi tha se katër ligjet për të cilat pritet të diskutohen nesër nuk janë të gatshme.

Gashi: Kërkoj të tërhiqet seanca e thirrur nga ju

“Unë mendoj se kemi një qasje të përmbysje të sistemit sepse ato ligje janë në pronësi të Kuvendit dhe Kuvendi duhet me thirrë seancë të jashtëzakonshme me i trajtuar këto çështje, por nëse bëhet fjalë për këto katër ligje të kisha lutur që seanca që është e thirrur për nesër me e tërhequr sepse duhet komisioni me i trajtuar këto çështje, me nxjerr rekomandimin dhe ne rekomandimin e vet me  i kërkua kryesisë së Kuvendit që këto çështje të trajtohen me urgjencë, dhe po ashtu komisioneve tjera kryesore që të trajtohen me emergjencë këto çështje”, ka thënë Gashi.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh i gatshëm për të anuluar këtë seancë, duke  kërkuar që kërkesat e tij, anëtarët e komisionit për legjislacion t’i bartin tek komisionet tjera përgjegjëse.

Haradinaj: Mundem me e shty seancën, për mua nuk është problem

“Nuk kam interes si me than jo vetëm me ndërhy në punën tuaj sepse nuk kam të drejtë dhe nuk mundem edhe me dashtë, se parlamenti nuk lejon, por edhe nuk kam interes me marrë punë tjera pos atyre që duhet me i krye, që i kemi me detyrë prej juve, prej parlamentit. Për mua është në rregull me u shty seanca, nuk është problem..Menjëherë e bëjmë, unë e bëjë një shkresë sapo të kthehem në zyrë edhe i kërkoj me anuluar njëherë edhe është në rregull kjo. Ajo që më konvenon është për shembull nëse mundemi me iu pas juve partner që ju me i përcjell tek komisionet tjera”, ka shtuar Haradinaj.

Anëtari i Komisionit për legjislacion nga PDK-ja , Hajdar Beqa u shpreh se seanca e jashtëzakonshme teknikisht  është e mundur që të  shtyhet për ditën e mërkurë.

E ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri u shpreh se nëse arrihet që Projektligji për Gjykatat, ai për Këshillin Gjyqësor dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial të diskutoheshin në një seancë të përbashkët me katër të tjerat që janë paraqitur të trajtohen me urgjencë do ishte pozitive për procesin e liberalizimit të vizave.

Anëtarët e Komisionit u pajtuan që ligjet që i përkasin këtij komisioni t’i trajtojnë me urgjencë, ndërsa, i rekomanduan Kryesisë së Kuvendit dhe komisioneve funksionale që të mbajnë mbledhje të jashtëzakonshme për t’i trajtuar këto çështje me prioritet.

Haradinaj: Jemi në urgjencë kohore për ta çuar përpara agjendën evropiane

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në takimin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, të thirrur nga vet Haradinaj me qëllim të çuarjes përpara të agjendës evropiane të Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj duke e falënderuar Kuvendin por edhe Komisionin për një qasje të kujdesshme, për gatishmërinë që të ndërhyjë në dinamikat përgatitore tha se megjithatë gjenden në një urgjencë kohore të veprimit.

“Ideja është që për shkak se jemi në kohë bukur ngushtë para rezultateve të nevojshme, tashmë të  duhura për të hyrë Kosova në agjendën e liberalizmit të vizave, është ERA, por është edhe hyrja në agjendën për liberalizim, kemi kaluar me sukses falë punës suaj dhe të gjithë të tjerëve, pra për etapat e deritashme, ato të Komisionit e të Parlamentit, por jemi prapë në një urgjencë kohore të veprimit edhe sikurse e dini disa ligje janë në evidencë të palëve në mënyrë që të quhet si avancim”, deklaroi kryeministri Haradinaj, para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj, i përmendi disa ligje që siç theksoi ai janë në kërkesë të shpejtë, duke kërkuar nga anëtarët e këtij Komisioni që ligjet që janë ERA, por jo vetëm ERA, e që janë të lidhura me liberalizimin e vizave, të përshpejtohen në Komision në mënyrë që të shkohet në një seancë plenare në një afat sa më të shkurtër kohor dhe Kosova të ketë gjasa të hyrjes në agjendën e Këshillit të Evropës për çështjen e vizave.

Kodi penal, Projektligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe projektligji për përgjegjësinë disiplinore, janë katër projektligje që kërkojnë prioritet për miratim në Kuvendin e Kosovës, ngjashëm siç janë edhe Projektligji për Gjykatat, ai për Këshillin Gjyqësor dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial.

Këto 7 projektligje sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, janë pozitive nëse mund të hyjnë në një seancë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. 

Anëtarët e Komisionit u pajtuan që ligjet që i përkasin këtij komisioni t’i trajtojnë me urgjencë, ndërsa i rekomanduan Kryesisë së Kuvendit dhe komisioneve funksionale që të mbajnë mbledhje të jashtëzakonshme për t’i trajtuar këto çështje me prioritet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test