Procesi i deportimit të gjashtë shtetasve turq me shumë shkelje e mangësi

Aktuale

Procesi i deportimit të gjashtë shtetasve turq me shumë shkelje e mangësi

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 17:27
Gjashtë shtetasit turq

Në procesin e deportimit të gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti, Komisioni hetimor parlamentar ka identifikuar një varg shkeljesh me mangësish, të cilat po mundohet t’i kompletojë në mënyrë që të ndërtojë mozaikun e këtij rasti.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komisionit hetimor parlamentar lidhur me ndriçimin e rastit të gjashtë shtetasve turq, Xhelal Sveçla, ku në një konferencë për media pas intervistimit të ish-drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunit, ka lënë të nënkuptohet se intervistime të tilla do të vazhdojnë edhe në vijim.

Pa dhënë shumë detaje për intervistimin e ish-shefit të Policisë së Kosovës,  Sveçla ka thënë se  nuk mund të komentojë të dhënat konkrete të marra në komision, porse ka shtuar se Shpend Maxhuni ka dëshmuar ato që i di lidhur me rastin.

Sveçla tha se janë duke plotësuar mozaikun e krejt asaj çfarë ka ndodhë jo vetëm atë ditë, por prej momentit kur është marrë vendimi për deportimin e shtetasve turq e deri në ditën e përfundimit të raportit.

Duke mos dashur të bëjë publike se cilat institucione nuk kanë ofruar dokumentacionin e kërkuar, Sveçla premtoi se në rast se këto të fundit nuk i mbulojnë mangësitë, atëherë do t’i bëjë publik emrat e tyre.

Ai ka përmendur edhe lëvizjen e disa zyrtarëve nga një pozitë në tjetrën, me ç'rast ka thënë se mbetet të shihet nëse kanë qenë të qëllimshme ose jo.

Krejt në fund, Sveçla tha se nuk ka kurrfarë indikacioni që dëshmon se nuk ka pasur shërbime të huaja të infiltruara në këtë proces.

Ndryshe, më 29 tetor Komisioni Hetimor Parlamentar ka intervistuar 8 zyrtarë policorë, të cilët kanë qenë në krye të detyrës me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat