Haradinaj sqaron arsyen pse kanë kërkuar amnisti për veteranët e rrejshëm

Aktuale

Haradinaj sqaron arsyen pse kanë kërkuar amnisti për veteranët e rrejshëm

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 10:36
Nasim Haradinaj

Është çështja për të cilën më së shumti flitet në Kosovës. Listat e fryra të veteranëve të luftës.

Me këto lista po dëmtohet imazhi i UÇK-së, por po vazhdon të dëmtohet edhe buxheti i Kosovës.

Në një intervistë për kp, nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj tregon se po kërkojnë që të bëhet riverifikimi i veteranëve, në këtë mënyrë të largohen të gjitha dilemat.

Temën me veteranë Haradinaj e quan më shumë politike dhe si mjet për të sulmuar veteranët dhe UÇK-në.

Haradinaj: Të implementohet ligji, të riverifikohen veteranët

“Kërkesat tona janë që të bëhet riverifikimi ashtu si në bazë të ligjit që është aprovuar në parlament, është ligji që është aprovuar në parlament. Dhe të implementohet ky ligj, ky ligj besoj do  t’i hjek shumë dilema të njerëzve, dokumentacioni i tyre është, verifikimet janë, kështu që mjafton ato dokumente të verifikohen edhe një herë dhe të bëhet plasimi i drejtë në kategorinë e parë, këtu ku po mendohet me pagesë. Sepse po mendoj që njerëzit e kanë më shumë për interes personal, interes të marrjes të pares, sepse ka qenë një kohë kur i kemi lut njerëzit që të vijnë t’i marrin kartelat e veteranit dhe nuk i kanë marrë. Unë jam i sigurt që një pjesë e tyre që kanë hi padrejtësisht, po t’iu ndalen të hollat, beso që në një far forme, as në shpi nuk e mbajnë vërtetimin e veteranit”, deklaron Haradinaj.

Por, nuk janë këto kërkesat e vetme. Haradinaj  ka sqaruar se çfarë kanë dashur të thonë me fjalën amnisti, kur kanë kërkuar një gjë të tillë.

Haradinaj: Ky proces duhet të kthehet në pikën zero, ose të bëhet një amnisti

“Unë e kom pa që kanë thanë jo nuk dojmë na amnisti. Amnisti u shpall këtu edhe për armë se nuk është puna këtu e kriminelit e çkriminelit. Ata që vërtetohen që kanë bërë keqpërdorime , ajo amnisti nuk e kap, e kap amnistia e atij të drejtit që mendon që ka qenë çfarë ka qenë, du mu tërhjek vet. Dhe pas asaj amnistie unë mendoj, kur të bëhet verifikimi atëherë merr përgjegjësi penale dhe juridike. Në këtë kuptim e ka menduar kryetari jonë kur e ka thënë fjalën amnisti, ne nuk e kemi thanë fjalën që të amnistohen kriminelët, ne nuk kemi thanë  që të amnistohen ata që kanë marrë pare me i regjistru njerëzit, nëse ka të tillë. Por, kemi thënë amnisti nga vet ata që janë veteranë, që e dinë saktësisht edhe  gruaja e tij edhe fëmija e tij që s’ka qenë kurrë veteran”, thotë Haradinaj.

Sipas tij, për këtë situatë, fajtor është edhe vet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që ka lejuar që “veteranët e rrejshëm” të përfitojnë nga ky status.

Javë më parë, veteranët e rajonit të Dukagjinit kishin protestuar para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës dhe dinjitetit të luftëtarëve të UÇK-së, ku kishin paralajmëruar se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre, do të organizojnë protesta jopaqësore.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur e madje nuk ka pasur as përkrahje nga organizata e veteranëve në qendër.

Haradinaj: Ne nuk merremi me ultimatume

“Ne nuk i kemi përkrahë ato, sepse janë ata që kanë dasht me marrë vendime që kryesia me qit para aktit të kryer, vetëm për këtë qëllim. Dhe ne nuk merremi me ultimatume, ne nuk merremi, e aq më tepër as në statutin tonë nuk ka as kryetar të rajonit të Dukagjinit, e as nuk ka veteran të Dukagjinit, ka vetëm veteran të Kosovës”, thotë Haradinaj.

Në lidhje me atë se a janë të gatshme institucionet e vendit që të riveferifikojnë këto lista, ai tha se përderisa institucionet shtetërore kanë miratuar këto ligje, të njëjtat duhet edhe t’i zbatojnë.

Haradinaj: Çuditna që nuk po aplikohet ligji që është miratuar

“Unë çuditna që ato nuk aplikohen, thashë  ligjet nuk janë gjithmonë më e mira, u pa edhe ligji për veteran që është për t’u falënderuar dhe është për t’u mburrë nisma e parë për veteran kur e ka bo , sado që ajo po sjell probleme, ajo është meritë e madhe që është bo për veteranët. Mirëpo, nëse ajo shihet që nuk i kap veteranët, jo 15 mijë po nuk dalin as 10 mijë ashtu me ligjin e parë, sepse nëse kanë vetëm një ditë shkëputje dhe nuk kanë arrit deri në ditën e fundit do të thotë s’e kap veteran, në bazë të nenit të parë që është, unë mendoj që ligji i dytë ua përcakton me kohën tamon sa ka qenë, por nëse edhe aty e sheh qeveria që nuk është adapt, organizata është prapë e gatshme mu ul me ta me punu në një ligj të ri tjetër që dojnë, për me pru një ligj që do të kishte me rehatu këtë çështje”, shprehet Haradinaj.

Haradinaj temën e veteranëve më shumë e quan politike. Siç tha ai, kjo më shumë po bëhet për zhvendosjen e vëmendjes së qytetarëve. Veteranët thotë se janë pikë sulmuese, e me këtë po fyhen dhe ofendohen edhe veteranët e vërtetë.

Ka theksuar se si organizatë kanë bërë kërkesë për një takim me kryeministrin, por që ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat