Opozita e konsideron shkelje kushtetuese thirrjen e seancës nga kryeministri

Aktuale

Opozita e konsideron shkelje kushtetuese thirrjen e seancës nga kryeministri

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 12:10
Kuvendi i Kosoves

Pas ndërprerjes së seancës së jashtëzakonshme ku po diskutoheshin pakot e ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendës integruese evropiane, deputeti i LDK-së, Arben Gashi kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për këtë seancë e ka konsideruar shkelje kushtetuese.

Sipas tij, veprimet e pahijshme të Qeverisë po e dëmtojnë punën e Kuvendit dhe interesin e Kosovës.

Gashi: Kryeministri nuk ka të drejtë të ftoj seancë për lexim të dytë

“Sot pat dështim të radhës për të mbajtur seancë, konkludimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është, se kryeministri nuk ka të drejtë që të ftojë seancë të jashtëzakonshme për lexim të dytë, sepse është në veprimtarinë e Kuvendit ajo çështje dhe ka qenë një tendencë për shkelje kushtetuese, prandaj ne kemi paralajmëruar kryeministrinë që kjo është e pamundur dhe e theksuam sot edhe në seancë. Po ashtu, mund të themi se veprimet ad-hoc të bëra nga Qeveria janë veprime që po e dëmtojnë edhe punën e Kuvendit, por edhe interesin e Kosovës. Kjo sjellje dhe këto veprime janë të pahijshme, dhe Kuvendi duhet ta bëjë punët e veta, në bazë të parashikimeve kushtetuese, dhe jo në bazë të presionit  që vjen nga Qeveria”, u shpreh ai.

Gashi ka komentuar takimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Gashi: Nëse është biseduar për kufijtë, është problem

“Pozitiv apo negativ unë nuk po jap vlerësim, çështja është se është në detyrat e kushtetuese të presidentit, të kryeministrit, të ministrit të Jashtëm, që të përfaqësojnë Kosovën brenda dhe jashtë dhe në këtë hapësirë mendoj se është në rregull, por nëse është biseduar për korrigjimin e kufijve, atëherë është problem”, ka thënë ai.

Jo kushtetuese seancën e thirrur nga kryeministri e ka konsideruar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Ajo u shpreh se brenda Kuvendit të Kosovës po bëhen keqpërdorime dhe  lojëra  të vazhdueshme.

Haxhiu: Në Kuvend po ndodh një lojë

“Konsiderojmë që ka qenë një kërkesë pa objekt dhe ne konsiderojmë kërkesë në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për faktin se është e vërtet që kryeministri ka të drejtë që të thërras seancë të jashtëzakonshme, por jo që seancë të jashtëzakonshme që të kërkoj nga deputetët e Kuvendit apo të caktoj për deputetët e Kuvendit se kur të shqyrtoj projektligjet që janë pronë e Kuvendit. Këtu është njëfarë loje dhe njëfarë papërgjegjësie e vazhdueshme që po ndodh në Kuvendin e Republikës së Kosovës, keqpërdorim të Kuvendit të Kosovës. Ne kemi insistuar edhe dje gjegjësisht në orën 15:30 që kjo seancë të anulohet sepse e para nuk ka objekt, e dyta është jo kushtetuese, e treta bie ndesh edhe me rekomandimin e komisionit për legjislacion, mirëpo kjo nuk është bërë për shkak të urdhrave të Kadri Veseli”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka komentuar edhe njëherë takimin e presidentit Thaçi me atë të Rusisë, Vladimir Putin, duke thënë se Thaçi po mundohet të krijojë marrëdhënie të reja me Serbinë dhe Rusinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat