Kosova në INTERPOL, mision i mundshëm - Bota Sot
Kosova në INTERPOL, mision i mundshëm

Aktuale

Kosova në INTERPOL, mision i mundshëm

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 18:24
INTERPOL

Në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila sivjet do të mbahet në Dubai, prej 18 deri më 21 nëntor, Kosova pret përkrahje të gjerë për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Sipas tyre, tashmë ekzistojnë sinjale mjaft të qarta se Kosova do ta ketë një përkrahje të tillë.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se një përkrahje të gjerë për pranim në INTERPOL, Kosova e pret jo vetëm nga partnerët e saj strategjikë dhe nga shtetet që e kanë njohur atë, por edhe të, siç i quan ai, shteteve të treta. Sipas tij, vendet anëtare të INTERPOL-it, tashmë e kanë marrë mesazhin e Kosovës se me pranimin e saj në këtë organizatë, fitojnë të gjithë.

“Humbësi i vetëm do të jetë krimi transnacional. Me këtë fitojnë që të gjithë. Rajoni, por edhe në aspektin global të sigurisë, fiton një partner të besueshëm, sepse strukturat e sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës e kanë ndërtuar praktikisht policitë më kredibile dhe me praktikat më të mira që sot, aktualisht, ekzistojnë në botë. Prandaj, ne shpresojmë që tashmë Kosova do të jetë anëtare e barabartë e organizatës policore që lufton krimin ndërkombëtar”, tha Matoshi.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar që Kosova tashmë ka arritur të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për anëtarësim në INTERPOL. Ai u ka thënë mediave në Beograd që, megjithatë, diplomacia e shtetit serb, do të përpiqet ta pengojë një gjë të tillë, pavarësisht se këtë e sheh si mision të pamundur.

“Na mbetet një mision i rëndë, gati se i pamundur, në INTERPOL, sepse ekzistojnë vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe janë nën presion të madh që të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL ose të jenë të rezervuara. Më pas, do të kemi ata që janë për ose kundër, në një raport 2 me 1. Duhet ta zvogëlojmë dhe të mos i kenë dy të tretat e atyre që do të votojnë në atë mënyrë. Do të jetë shumë vështirë për ne. Siç janë gjërat sot, atë shumicë, me dy ose tri vende më shumë, sesa shumica e nevojshme, ata e kanë. Ne do të luftojmë që ata të mos e mbajnë këtë shumicë. Vështirë që do të kemi sukses në këtë”, ka thënë Vuçiq.

Ndryshe, njohësit e aspekteve të sigurisë vlerësojnë se Kosova i ka përmbushur kushtet në aspektin teknik për të qenë pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.

Mentor Vrajolli, analist në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se lufta kundër krimit të organizuar në shkallë ndërkombëtare, kundër trafikimit të drogave, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, e bëjnë të domosdoshëm që Kosova, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, të jetë pjesë e INTERPOL-it dhe mekanizmave ndërkombëtarë të sundimit të ligjit.

“Ka shumë shtete, të cilat janë më të pazhvilluara se sa Kosova, që janë pjesë e INTERPOL-it. Prandaj, nëse e shohim nga këndvështrimi teknik, Kosova është e gatshme që të jetë pjesë e INTERPOL-it. Përveç kësaj, është në të mirën rajonale dhe më gjerë që Kosova të jetë pjesë e INTERPOL-it, për shumë arsye, për shkak se krimi i organizuar transnacional nuk mund të luftohet në qoftë se kjo luftë nuk ka shtrirje rajonale dhe më gjerë”, theksoi Vrajolli.

Ai ka shtuar që, institucionet e Kosovës kanë qenë mjaft aktive në lobim për anëtarësim në INTERPOL, por, megjithatë, ato duhet të vazhdojë të bëjnë përpjekjet maksimale në këtë drejtim edhe gjatë ditëve që kanë mbetur deri te Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar një letër, për të cilën ka thënë se e ka pranuar nga kancelaria gjermane Angela Merkel. Përmes kësaj letre, siç ka thënë Haradinaj, është shprehur “mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL”.

Aplikimin e parë për anëtarësim në INTERPOL, Kosova e kishte bërë në vitin 2010 dhe më pas e kishte përsëritur 5 vjet më vonë. Në vitin 2017, Kosova kishte hequr dorë nga kërkesa për pranim në INTERPOL, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për anëtarësim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test