Hashim Thaçi kërkon nga Ramush Haradinaj të deklarohet nëse e ka shumicën

Aktuale

Hashim Thaçi kërkon nga Ramush Haradinaj të deklarohet nëse e ka shumicën

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 18:47
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, Lista Serbe ka deklaruar se tani e tutje do të jetë opozitë dhe do të mbështesë çdo përpjekje për rrëzimin e Qeverisë. Por, kryeministri Ramush Haradinaj i cili po qëndron prapa vendimit të ekzekutivit, konsideron se çështja me taksën nuk mund të rrëzojë. Ndërkohë që, sipas presidentit të vendit, Qeveria e vazhdon punën vetëm nëse dëshmon se e ka shumicën. Partitë opozitare deklarojnë se nuk përkrahin Listën Serbe me kërkesën që ka, por Qeveria mund të bie, sipas tyre, nëse ista Serbe nënshkruan në favor të opozitës.

Vendosja e taksë prej 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës ishte përgjigje e shtetit të Kosovës ndaj Serbisë për fushata që kjo e fundit po i zhvillon kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga vendet e botës.

Këtë vendim e mori kabineti qeveritar i drejtuar nga Ramush Haradinaj, por që i njëjti ngjalli shumë reagime nga Serbia dhe Bashkimi Evropian, të cilët kërkuan kthim prapa të këtij vendimi.

I menjëhershëm ishte reagimi i Listës Serbe, parti kjo e komunitetit serb në Kosovë që është pjesë e Qeverisë, e cila deklaroi se do të kalojë në opozitë e të njëjtën kohë do të përkrahin çdo përpjekje për rrëzimin e qeverisë.

“Operacionet tona në parlament Prishtinës tani do të jetë në opozitë të plotë, ne nuk do të mbështesë sugjerimet nga qeveria, dhe ne do të mbështesë çdo propozim për të rrëzuar qeverinë, sepse masat e tilla dhe qëndrimin e autoriteteve ndaj interesave tona, ndaj Serbisë dhe rajonit. Nuk kërkojmë ndonjë gjë të re, por ne kërkojmë respekt për marrëveshjen ekzistuese të CEFTA-s, fillimin e fundit të implementimit të marrëveshjes së Brukselit në komunat serbe të Komunitetit dhe detyrimet e tjera ndaj popullit serb në Kosovë dhe të gjithë në rajon”, njoftoi kështu Lista Serbe.

E në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se qëndrimi i tyre nuk ka të bëjë me atë të Listës Serbe.

Xhelal Sfeçla thotë për KosovaPress se nuk bëjnë pazare me Listën Serbe, po që sipas tij, nëse ata japin nënshkrimin e tyre për rrëzimin e qeverisë “është diçka tjetër”.

Sfeçla: Nuk bëjmë pazare me Listën Serbe, po ata mund të japin nënshkrimet e tyre për rrëzimin e qeverisë

“Ne pazare me Listën Srpska nuk bëjmë. Tash nëse ata japin nënshkrimet e tyre për rrëzimin e Qeverisë pa kurrfarë pazari, atëherë është çështje tjetër. Por, si Lëvizje Vetëvendosje, pazare me Listën Serbe nuk bëjmë... 00’30“Qëndrimi jonë nuk ka të bëjë fare me qëndrimin e Listës Srpska. Ne kemi thënë se derisa nuk votohet rezoluta e iniciuar nga LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje për të ndalë Hashim Thaçin që të bëjë pazare me territor, ne nuk do të marrim pjesë në seanca të Kuvendit të Kosovës. Pra, rrjedhimisht ky bojkot do të vazhdojë”, thotë ai.

Por, kryeministri Haradinaj deklaron se nuk ka ndonjë shqetësim për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

Haradinaj: Nuk mund të bie qeveria pse e ka marrë një vendim dhe është hidhëruar Lista Serbe

“Qeveria mund të bie, por nuk e shoh qeverinë që bjen për shkak se ka marrë një vendim të caktuar dhe është hidhëruar në këtë rast Lista Serbe, edhe për faktin se ne i kemi respektuar Listën Serbe dhe ata janë pjesë e Kosovës, dhe ky është një kontest mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo mes Kosovës dhe Listës Serbe, nuk ka kuptim me u përzi temat. Por nuk shohim shqetësim për me shku në zgjedhje”, thotë ai.

Për deklarimet e Listës Serbe ka folur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli.

Ai ka thënë se nuk pranojnë asnjë shantazh nga Lista Serbe.

Veseli: Nuk pranojmë asnjë shantazhim nga Lista Serbe

“Në momentin që cenohet ose dikush tenton me shantazhuar minimalisht qenësinë e shtetit të pavarur dhe sovran, po flas karrige nuk na intereson asnjë moment, e bartim vullnetin e qytetarëve prapë te sovrani, do të thotë nuk ka kushtëzime dhe nuk pranojmë asnjë shantazhim nga askush, lere më nga Lista Serbe. Do të thotë që Republika e Kosovës dhe ne konkretisht si partner të koalicionit jemi të vendosur ta qojmë deri në vitin 2021 si PAN, por në të njëjtën kohë nëse ka tentativa për shantazhim të procesit të koalicionit, asnjë ditë nuk mund ta shantazhojnë askënd”, thotë Veseli.

Por, sipas presidentit të vendit, Hashim Thaçi, vendimi i Listës Serbe ka vënë në turbulencë funksionimin e Qeverisë, dhe siç ka deklaruar Thaçi, ekzekutivi duhet të konfirmojë zyrtarisht se a ka shumicën apo jo.

Thaçi: Vendimi i serbëve për të dalë nga institucionet

“Vendimi i tyre për të dalë nga institucionet, nga parlamenti dhe qeveria dhe institucionet lokale, mendoj se nuk është fare ndihmues për shtetin e Kosovës, as për komunitetin e tyre, por në të njëjtën kohë ka vu në turbulencë edhe funksionimin e institucioneve të vendit, në veçanti të Qeverisë, sepse qeveria tash duhet të konfirmojë edhe zyrtarisht e ka shumicën apo nuk e ka.... Kjo (zgjedhjet) është vendim i partive politike, ndërsa unë si president natyrisht se do të kryej obligimet dhe do të marrë vendimet duke respektuar kushtetutën por duke bërë edhe interpretimin e autoritetit tim si president, nëse qeveria aktuale e dëshmon se e ka shumicën, atëherë vazhdon punën, nëse nuk e ka atëherë shikohet mundësia e interpretimeve të tjera të cilat janë në përputhshmëri me kushtetutën”, u shpreh ai.

Lista Serbe ka kërkuar tërheqje të menjëhershme të vendimit të Qeverisë, për masën prej 10 për qind për mallrat e Serbisë, pasi sipas tyre, kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë e kërcënon mbijetesën e serbëve në Kosovë duke i rritur çmimet e ushqimeve bazë.

Kujtojmë se më 10 shtator të 2017’ës, në punimet e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, u votua qeveria Haradinaj, me 61 vota për dhe 1 abstenim.

Votimi ishte bërë vetëm pasi në sallë kishin arritur deputetët e Listës Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat