Djali akuzohet se babait i vodhi zinxhir ari dhe unazën me gur diamanti

Aktuale

Djali akuzohet se babait i vodhi zinxhir ari dhe unazën me gur diamanti

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 23:23
Pamje nga seanca

Shpat Bokshi dhe Sylejman Zatriqi, të akuzuar për vjedhje të stolive, dëshirojnë marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Teki Bokshi, avokati i Shpat Bokshit, të akuzuarit për vjedhje të rëndë, kërkoi nga Gjykata e Gjakovës që t’i jepet mundësia në emër të klientit të tij të negociojë me Prokurorinë pranimin e fajësisë, raporton www.kallxo.com.

“Në konsultim me të mbrojturin tim dëshirojmë që të bëjmë kërkesë pranë Prokurorisë, që të negociojmë një marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin e shtetit, andaj i propozojmë Gjykatës që seanca e sotme të shtyhet në mënyrë që të na jepet kohë për arritjen e një marrëveshjeje”,  tha në seancën e sotme avokati Teki Bokshi.

Propozimit të avokatit Bokshi për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme mbi pranimin e fajësisë, duke e mbështetur iu bashkëngjit edhe avokati Genc Juniku, mbrojtësi i të akuzuarit Sylejman Zatriqi.

Prokurori Enis Gashi nuk e kundërshtoi propozimin për negocim për pranim fajësie.

“Pajtohem me propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve, për negocimin e një marrëveshje për pranimin e fajësisë”, tha prokurori Enis Gashi.

Ndërsa gjyqtari Mentor Bajraktari iu dha një muaj kohë për negociata, duke e shtyrë seancën për datën 14 dhjetor.

Ndërkaq Prokuroria u obligua që ta njoftojë Gjykatën për ecurinë e nogocimit të marrëveshjes për pranimin  e fajësisë.

Në sallë të gjykimit ishte i pranishëm edhe i dëmtuari, babai i të pandehurit Shpat, i cili deklaroi se pajtohet nëse arrihet marrëveshja mes të akuzuarve dhe Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Shpat dhe Sylejman, kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Ethem Bokshi – babait të Shpatit dhe kanë marrë një zinxhir ari në vlerë 700 euro dhe një unazë me gur diamanti në vlerë prej 300 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat