Haradinaj: Ushtria e Kosovës nuk është e kufizuar, do të ketë qasje edhe në veri

Aktuale

Haradinaj: Ushtria e Kosovës nuk është e kufizuar, do të ketë qasje edhe në veri

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 14:12
FSK

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj sot gjatë një ligjërate para studentëve të Fakultetit filozofik, ka folur për ngritjen e cilësisë në arsim, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Interpol, dialogun me Serbinë dhe rolin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës.

Për sa i përket anëtarësimit në Interpol, kryeministri shprehi bindjen e tij se Kosova do të bëhet anëtare e kësaj organizatë ndërkombëtare për siguri. Mirëpo, për Qeverinë e udhëhequr nga ai tha se ka vërejtje.

Haradinaj: Qeverisja ime nuk është perfekt, ka gabime

“Qeverisja që e udhëheqim nuk është perfekt, ka vërejte, ka gabime, se kur punon edhe gabon. E dyta nuk është një Qeveri që po i mashtron njerëzit s’e po thotë diçka tjetër, po bën diçka tjetër. Ata që po i bëjmë janë bukur transparente, shihen, dihen dhe preken. Por, është një qeveri që s’ju ka frikësua temave me ec përpara. E kemi Interpolin, që të ne përjetohet Interpoli me emocione politike, por tri ditë më vonë s’ka politikë, tri ditë më vonë anëtarësimi i Kosovës në Interpol është vetëm mundësi që Kosova me ndihmuar luftimin e krimit. Pra, humb krimi fiton ligji me anëtarësimin e Kosovës në Interpol”, tha Haradinaj.

Studentja Njomëza Krasniqi ka pyetur kryeministrin se a ndihen fajtor që nuk e kanë mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave. Haradinaj, ka pranuar se ndihen fajtorë, por tha se janë duke punuar që heqja e vizave për qytetarët të ndodhë sa më parë.

Haradinaj: Kemi faj që s’ka liberalizim, por edhe kemi punuar si Qeveri

“Fajtor, po. Pse jo, po. Kemi faj. Mënyra me la këtë faj, është me punuar që me ndodhë liberalizimi. Dikush duhet me punuar, ka qenë një proces i mundimshëm, jo i lehtë. Çka është interesant dhe që duhet ta dini, pse në çka e kemi bazuar ne premtimin se do të ndodhë liberalizimi. E kemi bazuar në listën e kushteve. Listat me kushte që iu kanë dhënë Kosovës nga BE-ja, ne I kemi kryer. Jo vetëm kaq, ne vetëm në këto dhjetë ditë kanë ndodhur disa punë për forcimin e rendit dhe ligjit, agjendës së legjislativit të ligjeve që kanë peshë”, theksoi ai.

Haradinaj tha se Kosova ka nevojë për dialog me Serbinë, por sipas tij, vetëm për njohje reciproke e jo për korrigjim të kufijve, pasi ndryshimi i kufijve mund të paraqesë situatë të rrezikshme.

Haradinaj: Jemi për dialog me Serbinë, vetëm për njohje, jo për korrigjim

“Tani është koha me i zgjedhur çështje e hapur në dialog, por ne nuk kemi çështje të hapur me Serbinë për territore. Pra, çështja e mbetur dhe e hapur nuk është ndonjë aspekt territorial, është pranimi i njërit entitet nga njëri tjetri ose njohja reciproke. Nuk është se problemi mes Kosovës dhe Serbisë është një livadh, një arë, një liqe, një minierë. Ne jemi shtet i ri, na kanë njohur 100 e sa shtete. Kemi interes për njohje nga Serbia, edhe duhet të negociojmë njohjen. Ky është parimi im, jam me negociuar këtë njohje me Serbinë, por me paprekshmërinë të asaj që e kemi krijuar vet. Nëse fillojmë me hapur në atë që e kemi krijuar, është rrezik jo veç për ne, për atë që e kemi mbërri, por mund të jetë rrezik dhe mund të na nxjerrë një situatë të pa volitshme si vend”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për taksën 10 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, për të cilin vendim tha se mund të qëndrojë për një kohë të gjatë, por edhe të ngritet më tej.

Haradinaj: Vendimi ndaj mallrave serbe mund të mbetet gjatë

“Sa mundet me mbet kjo, mundet me mbetur gjatë, por edhe me u rritë dhe mundet me kaluar edhe në masa edhe më drastike. Nuk është asnjë provokim, kjo, është prej zori. Nëse ishte zbatuar marrëveshja e energjisë, atëherë pse edhe ne mos me shqyrtuar këtë 10 përqindëshi. Ne humbim rreth 30 milionë euro në vit për mos zbatim të marrëveshjes së energjisë dhe kemi probleme të natyrave të tjera deri edhe të sigurisë për këtë”, tha ai.

Po ashtu kryeministri është pyetur edhe për ushtrinë e Kosovës dhe për kompetencat e saj në veri. Haradinaj me bindje të plotë ka thënë se  nuk do të ketë kufizime dhe se ushtria do të ketë qasje në gjithë territorin e vendit tonë.

Haradinaj: Ushtria e Kosovës nuk është e kufizuar, ka me pasur qasje edhe në veri

“Ky mandate, s’ka asnjë kufizim. Unë jam keqkuptuar një ditë kur kam thënë se një regjiment do të shkojë në veri. S’jemi kah çojmë një regjiment atje te serbet në veri qoftë edhe për me i ngucë ata. Por, ajo mundet me u vendos çdo kund dhe e ka zonën e përgjegjësisë. Pra, nuk ka kufizime ushtria e Kosovës, nuk është me zgjerim kompetencash, është me mandat, është me ligje”, ka thënë ai.

Mirëpo, kryeministri prej të gjithë pyetje që iu bën nga student, vetëm në një nuk arriti me u përgjigjur, pasi nuk pati njohuri rreth ligjit të profesioneve, i cili është i miratuar.

Haradinaj: Ligji për profesionet, nuk di për besë me fol për të

“Ligji për profesionet, as nuk e di se çfarë etape është, por mundem me u interesuar. Nuk di për besë me fol për të”, ka thënë Haradinaj.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli ka kërkuar nga kryeministri që ta futet në prioritet arsimi. Për çështjen e arsimit, kryeministri ka thënë se si Qeveri për herë të parë kanë vënë në prioritet këtë sektor, edhe me rritje të buxheti për 12 për qind për vitin 2019. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat