Kurti: Thaçi do të jetë rrugës drejt azilit politik në Rusi, prezanton katër hapa për bisedimet me Serbinë

Aktuale

Kurti: Thaçi do të jetë rrugës drejt azilit politik në Rusi, prezanton katër hapa për bisedimet me Serbinë

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 14:45
Albin Kurti

(E plotësuar) - Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media ka propozuar alternativën me katër hapa për bisedime me Serbinë, pra për bisedime alternative, të përgatitura, sipas tij, mirë për zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme.

Kurti ka thënë se hapi i parë, është shqyrtim dhe vlerësim i dialogut gjashtëvjeçar (2011-2017) në Kuvendin e Republikës, që sipas tij, janë 33 marrëveshje me Serbinë dhe një raport 38 faqesh i Qeverisë së Kosovës mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e atyre marrëveshjeve.

Hapi i dytë, sipas Kurtit, Kuvendi i Republikës duhet ta përcaktojë qartë se cilat janë qëllimet e shtetit tonë dhe ato qëllime duhet të përkthehen mandej në listë kërkesash zyrtare ndaj Serbisë.  

Hapi i tretë, sipas tij, platforma me parime e Republikës së Kosovës për bisedime me Serbinë, si dhe hapi i katërt ekipi negociator me legjitimitet nga Kuvendi, me përbërje gjithëpërfshirëse, udhëheqje kredibile dhe strategji përkatëse.

Kurti: Dy hapat e parë mund të bëhen para zgjedhjeve të reja

 

 

 “Hapat e parë, shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut gjashtë vjeçar si dhe lista e kërkesave për Serbinë duhet dhe mund të jenë edhe para zgjedhjeve, sepse është dashur që të jenë edhe në mandatin e kaluar, në legjislaturën e pestë. Mirëpo dy hapat e tjerë, Platforma me parime dhe ekipi negociator me udhëheqje me Strategji, vijnë në shprehje vetëm pas zgjedhjeve të reja parlamentare. Sepse këto janë tema që nuk janë diskutuar në fushatën zgjedhore të qershorit të vitit 2017. Hapi I parë dhe I dytë mund të bëhen edhe para zgjedhjeve të reja, e unë besoj edhe që do të duhej të bëheshin që mos të humbim kohë, ndërkaq, hapat tre dhe katër pas zgjedhjeve”,  tha Kurti.  

Ai ka thënë se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, e ka inkurajuar Thaçin për këtë aventurën e tij për pazare territoriale me Serbinë, në emër të një demarkacioni të ri me të, të një korrigjimi tjetër nga i cili sërish Kosova del humbëse.

Kurti ka thënë se Haradinaj i dha 8 mijë e 200 hektarë për ulësen e kryeministrit, ndërsa, Thaçi e jep veriun për ulësen e presidentit, ndërkohë që shtiret se kjo është për ulësen e Kosovës në OKB.

Kurti: Korrigjimi për kufirin Kosovë-Mal I Zi, mbeti në letër

 

 

“Deklaratat e dy presidentëve për korrigjimin e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi, sot i ka mbushur nëntë muaj. Më 16 shkurt 2018 e nënshkruan bashkë, Thaçi dhe Vujanoviq, por sot jemi më 16 nëntor. Deklaratën e kemi, por korrigjimin nuk e kemi. 80 deputetë regjimi nuk mund t’i bënte asokohe pa këtë mashtrim.  I gënjyen deputetët se Çakorri, Zhlebi e Bjelluha do të jenë të Kosovës. Më lejoni të citoj: ‘Trupi I përbashkët punues në mënyrë specifike do të rishqyrtoj dhe korrektoj, në veçanti sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlebit’, kështu thuhet në deklaratën që mbanë nënshkrimin e Thaçit dhe Vujanoviçit . Votat i morën, tokat i dhanë korrigjimi ka ngelur veçse në letër”, theksoi ai.  

Lideri i VV-së tutje ka thënë se kot bredh Thaçi poshtë e lart si ‘paparaci’  derisa ai nuk ka mandat legjitimues nga Kuvendi dhe as ekip negociator nga Qeveria. Pa këto sipas Kurtit nuk do të guxojë të nënshkruajë marrëveshje me Vuçiqin.

Kurti i ka bërë thirrje AAK-së e Nismës që të mos formojnë ekip negociator i cili do t’i shërbente Thaçit për të dëshmuar para faktorëve ndërkombëtarë se ai nuk është i vetmuar.

Kurti: Edhe Thaçi – drejt azilit në Rusi

 

 

“Para dy viteve e gjysmë, pakkujt, në mos askujt, nuk ia ka marrë mendja që fiton Trumpi apo ngjan BREXIT-i. Mirëpo, para vetëm një viti e gjysmë askujt, ama bash askujt, nuk ia ka marrë mendja që ish kryeministri maqedonas Gruevski do të kërkojë azil politik në Hungari. Prandaj, asaj rruge është edhe Thaçi – drejt azilit në Rusi. Ne nuk mund ta ndalim në rrugën e tij. Por, ne mund dhe duhet ta ndalim që ai ta marrë Kosovën me vete. Kosova nuk futet dot në valixhe. Asnjëherë, të askujt. Toka jonë është e shkriftë, sepse historikisht është përplot gjak, lot e djersë të pa numër brezave. Të palarat e veta në valixhen e tij, Thaçi nuk i shkëmben dot me tokë të Kosovës”, tha ai.

Këtë propozim, Kurti tha se do ta prezantojnë kudo dhe çdo herë dhe, sipas tij qëllimi i tyre është që të fillohet me realizimin e hapit të parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat