Aksidenti në rrugën Prishtinë – Gjilan, shkon në tre numri i viktimave, edhe ambasadorja e Turqisë e lënduar

Aktuale

Aksidenti në rrugën Prishtinë – Gjilan, shkon në tre numri i viktimave, edhe ambasadorja e Turqisë e lënduar

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 18:43
Pamje nga aksidenti

(E plotësuar) - Vendi është tronditur nga një aksident i ndodhur në orët e pasditës në fshatin Mramor.

Tri vetura të përfshira, në mesin e tyre edhe eskorta e ambasadores turke në Kosovë kanë bërë që dy persona të ndërrojnë jetë në vendin e aksidentit, ndërsa një tjetër më pas në spital.

Viktimat janë Agron Shala, Ramiz Shala dhe Arife Shala.

Në gjendje kritike është edhe Osman Shala, i lënduari tjetër nga ky aksident.

***

Pas aksidentit që ka ndodhur sonte në Mramor të Prishtinës, ku kanë humbur jetën 3 qytetarë dhe janë lënduar 7 të tjerë, në QKUK ka qëndruar ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili ka njoftuar se në rrezik për jetë është edhe një i lënduar, ndërsa ambasadorja turke ka marrë lëndime të lehta trupore.

Mustafa: Fatkeqësisht kemi tri viktima

"Fatkeqësisht kemi tri viktima. Ju shpreh ngushëllime familjareve të viktimave. Njeri pacient është në gjendje të vështirë. Mjekët po e bëjnë punën e tyre për t'ia shpëtuar jetën. Pacientët e tjerë kanë disa lëndime në gjoks, prej dhjetë personave të përfshirë në aksident, 7 kanë lëndime, do të thotë tri automjete, për më shumë do të njoftoheni nga prokurori i rastit që ka shkuar në vendin e ngjarjes", tha ministri.

Ministri Mustafa njoftoi se gjendja e ambasadores së Turqisë, Kivilcim Kiliç, eskorta e të cilës është përfshirë në aksident, është e mirë dhe ka marr vetëm lëndime në krah.

Mustafa: Gjendja e ambasadores është e mirë

"Gjendja e ambasadores është e mirë, ka lëndime në krahun e djathtë, tash kontaktova me të, bisedova me të, ka pak dhimbje po përgjithësisht gjendja është e mirë", tha ai.

Në QKUK kanë shkuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ministri Mahir Jagxhillar, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnave, e personalitete tjera,

***

Në aksidentin që ka ndodhur sonte rreth orës 17:00 në Mramor të Prishtinës, kanë humbur jetën tre persona dhe 4 të tjerë janë lënduar.

Në mesin e të lënduarve është edhe ambasadorja e Turqisë në Prishtinë,  Kivilcim Kilic dhe zyrtarë të tjerë të eskortës së ambasadores.

Zyrtarë nga QKUK kanë bërë të ditur se të lënduarit janë sjellë para 45 minutave në QKUK, ku në mesin e të lënduarve është edhe ambasadorja turke dhe disa zyrtarë tjerë të Ambasadës. Sipas tyre, gjendja e ambasadores dhe ekipit të saj nuk është në rrezik jetë, ndërsa nuk dihet ende se si është gjendja e të lënduarve tjerë, të civilëve që ishin përfshirë në aksident.

Në aksident janë përfshirë tri vetura, ndërsa lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Shkon në tre numri i viktimave

Duke mos i përballuar lëndimeve të marra, ka vdekur edhe një person i cili u përfshi në aksidentin në Mramor.

Lajmin e ka konfirmuar, Flora Ahmeti.

Me këtë të fundit, shkon në tre numri i të vdekurve.

Pjesë e aksidentit të sotëm ku humbën jetën dy persona, është edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç e cila ka pësuar lëndime trupore.

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë- Gjilan, përkatsisht në fshatin Mramor të Prishtinës.

Ku si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën dy persona, ndërsa gjatë të tjerë janë të lënduar.

E në mesin e të lënduarve  është edhe Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kiliç e cila ka pësuar lëndime trupore dhe është duke marrë ndihmë mjekësore në QKUK.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë në Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka thënë se Kiliç është njëra nga personat e lënduar dhe është duke marrë ndihmë mjekësore.

Image

Aksidentohet eskorta e ambasadores turke, dy të vdekur dhe katër të lënduar

Në një aksident komunikacioni që ka ndodhur sot në fshatin Mramor të Prishtinës, dy persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë - Gjilan, saktësisht në fshatin Mramor, ka ndodhur nje aksident trafiku ku jane perfshire tri automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 6 persona, dy prej të cilëve në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërkohë që 4 personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor”, njoftoi Ahmeti.

***

Dy persona kanë ndërruar jetë dhe një person është lënduar rëndë në aksidentin ku është përfshirë edhe eskorta e ambasadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

Këtë e kanë konfirmuar burimet brenda Policisë.

Aksidenti ka ndodhur para pak minutash, në rrugën Prishtinë-Gjilan, më saktësisht në fshatin Slivovë.

Në ndërkohë, merret vesh se në këtë aksident janë përfshirë tre vetura, njëra me targa diplomatike dhe dy të tjerat me targa civile. 

Deri tash nuk dihen detaje të tjera lidhur me viktimat e këtij aksidenti të rëndë.

***

Eskorta e ambasadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç, është përfshirë në një aksident komunikacioni, para pak minutash, në rrugën Prishtinë-Gjilan.

Burimet nga Ambasada Turke kanë konfirmuar lajmin duke shtuar se ambasadorja Kiliç nuk ka pësuar lëndime nga ky aksident.

Megjithatë, ajo, sipas këtyre burimeve, ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Konfirmohet po ashtu se një person është lënduar pak më rëndë, në këtë aksident komunikacioni.

Shkaqet e këtij aksidenti ku është përfshirë eskorta e ambasadores turke në Kosovë nuk dihen ende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat