Avokati i ‘Burdushit’ komenton akuzat dhe veturat e konfiskuara - Bota Sot
Avokati i ‘Burdushit’ komenton akuzat dhe veturat e konfiskuara

Aktuale

Avokati i ‘Burdushit’ komenton akuzat dhe veturat e konfiskuara

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 20:54
Hysni Peçani-Burdushi

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Hysni Peçani, i njohur si “Burdushi”.

Pas ngritjes së aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj Hysni Peçanit, ka folur avokati i tij Asdren Hoxha.

Hoxha tha se klienti i tij i cili po mbahet në Qendrën e mbajtjes në Prizren po akuzohet për pesë vepra penale.

“Aktvendimi është në drejtim të pesë veprave penale: fajde, mashtrim, armëmbajtje, ushtrim i paligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi”, tha Hoxha.

Hoxha shtoi se në takimin me klientin e tij, ky i fundit ndjehet i pa fajshëm dhe i mohon të gjitha akuza pasi asnjëra nga to nuk qëndrojnë.

“Bisedova me klientin tim, ai i mohon të gjitha akuzat, pasi asnjëra nga to nuk qëndrojnë, nuk ka asnjë provë”, tha Hoxha.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren kanë bastisur sot shtëpinë e mjekut popullor i njohur në opinion si “Burdushi”.

Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij janë gjetur një armë e shkurtë dhe një e gjatë.

Për armët e konfiskuara, Hoxha ka thënë se të dyja kishin leje.

“Armët kanë qenë me leje të skaduar, do të thotë ka pasur leje për to”, tha Hoxha.

Ndërsa për veprën penale shmangie nga tatimi dhe ushtrim i paligjshëm i veprimtarisë mjekësore, Hoxha tha se nuk ka shmangie nga tatimit, pasi klienti  tij paguan tatim dhe ka licencë për veprimtarinë e tij.

“Ka licencë, janë dokumentacione. Është bërë më shumë një bujë kundër tij sesa që ka fakte për këto vepra”, tha Hoxha për kallxo.

Gjatë bastisjes së policisë, janë sekuestruar edhe 3 vetura në pronësi të Hysri Peçanit – ‘Burdushi’.

Avokati i tij, Asdren Hoxha thotë se dy nga veturat e sekuestruara janë të djemve të tij, ndërsa njëra është e tij.

“Ju kanë marrë pa asnjë arsyetim. Ai ka marrë kredi për këto vetura, ka prova për to, dihet ku i ka blerë por nuk dihet pse janë marrë”, thotë Hoxha.

Hoxha tha se ende nuk është caktuar se kur do të mbahet seanca ndaj klientit të tij, por i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Hysni Peçani.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, “Burdushi” akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ose për t`i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e të dëmtuarit.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, në këtë proces i akuzuari “Burdushi ” si mjek popullor, merret vesh me tashmë të dëmtuarin që t`ia shërojë një anëtar të familjes që vuante nga depresioni.

Sipas aktakuzës, marrëveshja ishte që ‘Burdushi” ta shëronte anëtarin e tashmë të dëmtuarit sipas Prokurorisë në kompensim të një shume prej 2 mijë euro, por që pas kalimit të një kohe pacienti nuk ka shfaqur shenja shërimi. Dhe si rrjedhojë këtu i akuzuari ”Burdushi ”, të dëmtuarin e vë në lajthitje dhe mashtrim, duke i shkaktuar dëm material, theksohet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Me këtë sipas aktakuzës i njëjti ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, për veprën penale të mashtrimit sikurse në aktakuzë, nëse gjatë gjykimit vërtetohen faktet se i njëjti ka kryer veprën penale si në aktakuzë, Kodi penal parasheh dënim me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test