Së shpejti mësohen shkaktarët kryesor të ndotjes së ajrit

Aktuale

Së shpejti mësohen shkaktarët kryesor të ndotjes së ajrit

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 18:02
Foto ilustrim

Sikurse në fund të 2017-tës dhe në fillim të këtij viti, qytetarët e Kosovës janë përballur me ajër të ndotur dhe të pashëndetshëm.

Kjo periudhë që zgjati me muaj, detyroi institucionet qendrore dhe ato lokale të ndërmarrin masa për të ndikuar të paktën në ulin nivelin e ndotjes..

Sipas matësit të cilësisë së ajrit të vendosur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka një javë që niveli i ndotjes renditet në kategorinë ‘i pashëndetshëm’, duke arritur në 191 pmm.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se më qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit në  vend, janë ndërmarrë dhe po ndërmerren një serë veprimesh duke përfshirë në rend të parë plotësimin e kornizës ligjore.

Zyra për informim e kësaj ministrie ka thënë për media se me inicimin e MMPH-së, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar planin e veprimit për reduktimin e ndotjes së ajrit si dhe tani kemi në kuvend për miratim ligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Si dhe me propozimin e saj, Qeveria e Kosovës ka krijuar task forcën ndërministrore për trajtimin e problemeve të ndotjes së ajrit.

“Nën udhëheqjen e koordinatorit të task forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja,  ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është mbajtur takimi i radhës i Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Pas vendimit të MASHT-it për ndalimin e përdorimit të thëngjillit ne Shkolla, me propozim të ministrit Matoshi, përfaqësuesit ndërministror të Task Forcës kanë aprovuar  propozim vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike, i  cili  është miratuar edhe në Qeveri dhe kjo sigurisht është një hap më shumë drejt vetëdijesimit të qytetarëve për mos përdorimin e thëngjillit për ngrohje duke marrë parasysh efektin e tij negativ në shëndetin e qytetarëve.”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Tutje ministria ka bërë të ditur se edhe në  takimin e fundit të kësaj task force, ka kërkuar nga ministritë anëtare që të përmbushin obligimet e tyre ligjore për reduktimin e ndotjes së ajrit në vend.

“Pas kërkesës sonë MZHE ka marrë vendim për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtoret e ndërmarrjes Korporata Energjetike e Kosovës. Me përkrahjen e Komisionit Evropian, MMPH ka  instaluar  softuerin qendror për mbledhjen e të dhënave të cilësisë ajrit nga stacionet monitoruese dhe paraqiten  e tyre ne kohë reale.   http://ihmk-rks.net/t/?page=1,21. Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë angazhimin në zbatimin e udhëzimit për kontrollimin e gazrave të veturave, me rastin e kontrollimit teknik të automjeteve si dhe fillimin e vendosjes së pullave ambientale nga janari i vitit 2019 ndërsa Policia e Kosovës do të asistojë Inspektoret e Komisionit për Miniera dhe Minerale për ndalimin e eksploatimit dhe shitjes së thëngjillit siç parashihet edhe me ligjin për miniera”, thuhet tutje në përgjigjen e MMPH.

Sipas MMPH-së, Ministria e Shëndetësisë do të punojë në informimin e qytetarëve për pasojat e përdorimit të thëngjillit për ngrohje dhe rëndësinë e mbrojtjes se ajrit nga ndotja.

Këto veprime ministria njofton se janë duke i ndërmarrë për reduktimin e ndotjes së ajrit që vjen nga thëngjilli, dhe njëkohësisht po vazhdon investimi nga MZHE për zgjerimin e rrjetit të koogjerimit në Prishtinë, në mënyrë që qytetaret të kenë një alternative dhe kështu ta ndalohet përdorimi i thëngjillit për ngrohje,.

“Problemi i ndotjes së ajrit është problem i shtresuar që nga pas lufta dhe nuk pritet që të kemi rezultate te shpejta sepse varet nga disa ministri se sa shpejtë arrijnë që të përmbushin obligimet e tyre ligjore ne fushën e mbrojtjes së ajrit. Ne jemi duke pritur gjithashtu rezultate e studimit të JICA-s për ndotësit kryesor të ajrit ne Prishtinë, rezultate këto që do të shpallen në fillim të muajit nëntor, e të cilit do të na shërbejnë për të ndërmarrë masa veprimi në këtë sezonë vjeshtë-dimër”, thuhet ndër tjerash në përgjigjet e ministrisë.

Në pyetjen se a ka gjasa të ndalohet qarkullimi me vetura për disa ditë, sikurse ndodhi muaj më parë, ministria potencon se mbrojtja e ajrit nga ndotja është në përgjegjësi të komunave të Kosovës, të cilat duhet të hartojnë planit e tyre të veprimit për reduktimin e ndotjes së ajrit.

“Pavarësisht kësaj ne kemi përkrahur komunat në tejkalimin e këtij problemi dhe do të përkrahim edhe gjatë kësaj sezone siç kemi përkrahur në fillim të këtij viti komunën e Prishtinës.  Pra çështja e ndalimit të qarkullimit të veturave në zona të caktuara në kryeqytet është në kompetencë të komunës dhe ajo varësisht nga niveli i ndotjes duhet të ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga ndotja e madhe e ajrit”, bën të ditur MMPH.

Ndërkohë, për këtë çështje ka reaguar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, i cili ka njoftuar se po i përcjell në vazhdimësi nivelet e larta të ndotjes së ajrit në Kosovë e veçmas në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë dhe Drenas e sipas .të dhënave të Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës janë mbi vlerat e lejuara.

Sipas IKSHP-së, efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të vdekjeve të parakohshme, të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.

 

Duke analizuar situatën aktuale Instituti Kombëtar, propozon që të reduktohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat; të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për ajrosjen e dhomave,  personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse ose të mbulojnë gojën e hundën me shall, të reduktohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht ndalimi i duhanpirjes brenda hapësirave të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat