“Harrohet” lënda për sulmin me granatë në Kuvendin e Kosovës

Aktuale

“Harrohet” lënda për sulmin me granatë në Kuvendin e Kosovës

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 10:46
Kuvendi i Kosovës

Janë bërë tetë muaj që kur Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin e katër të akuzuarve për sulmin në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Themelore e Prishtinës si duket e ka “harruar” këtë lëndë.

Katër të akuzuarit gjatë kohës kur janë arrestuar dhe ndaj tyre është zhvilluar një proces gjyqësor kanë qenë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Dy prej tyre, deputeti  Frashër Krasniqi dhe Adea Batusha i janë bashkuar Partisë Socialdemokrate, ndërsa Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti vazhdojnë të jenë pjesë e Vetëvendosjes.

Përveç zvarritjes së këtij rasti nga shkalla e parë, Prokuroria Speciale ende nuk e ka emëruar prokurorin e kësaj lënde, pasi  prokurori që në atë kohë është marr me këtë lëndë Abdurrahim Islami ka dal në pension.

E kjo neglizhencë, po shihet si dështim i gjyqësorit për të trajtuar lëndën me prioritet, ndërsa pala e akuzuar  po e konsideron si një lëndë e cila nuk po ngjall më interes për dikë.

Lënien pezull të rastit, i akuzuarit i cili njëherësh është edhe deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi e sheh si shenjë të qartë se kjo lëndë gjyqësore ka qenë politike.

Sipas tij edhe vendimi ka qenë politik, prandaj edhe gjykatësit po hezitojnë ta rigjykojnë lëndën e tyre, sepse verdikti final do jetë  pafajësia e tyre.

Krasniqi: Vendimi ndaj nesh ka qenë politik, prandaj heziton trupa gjykuese të marr vendim tjetër

“Para tetë muajsh Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim lëndën kundër nesh duke qenë se ka gjetur mungesë absolute të fakteve në të gjitha pikat në të cilat është thirrur Gjykata Themelore dhe ky rast nuk ka vazhduar fare, faktikisht qe tetë muaj askush nuk ka kontaktuar asgjë në lidhje me këtë rast që për mendimin tim është një shenj e qartë që ky proces ka qenë politik, vendimi ka qenë politik dhe vendimi i ardhshëm nuk mund të jetë tjetër veçse pafajësisë nëse bazohemi në vendimi e Gjykatës së Apelit, prandaj nuk ka kurrfarë interesimi prej asnjë gjykatësve ose prokurorëve që ta vazhdoj dhe ta ritrajtojë këtë rast meqenëse do të detyrohej ta nxjerr një vendim të pafajësisë“, thotë Krasniqi.

Avokati i  deputetit Krasniqi, Tomë Gashi u shpreh se lënda e aktivistëve  më nuk është prioritet i dikujt, pasi siç thotë ai përmes këtij gjykimi ka pasur tendenca të njollosjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij Gjykata Themelore në Prishtinë iu ka dhënë prioritet lëndëve të tjera. Ai shton se nuk kanë asnjë informacion se nëse ky organ  ka kërkuar nga Prokuroria Speciale për plotësim të aktakuzës apo jo.

Gashi: Ndjekja e aktivistëve më nuk është prioritet i dikujt

“Meqenëse tani prokurori i Prokurorisë Speciale i cili e ka përfaqësuar aktakuzën në këtë gjykatë mesa unë e di tani ka dal në pension, ne nuk kemi njohuri se prokurorisë a i është kërkuar nga gjykata plotësimi i aktakuzës me prova të tjera, apo gjykata do ta bëjë këtë zyrtarisht gjatë shqyrtimit, apo gjykimi i cili do të mbahet. Duket që thënë në mënyrë ironike më ndjekja e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk është prioritet i dikujt, dhe kjo mund të jetë një prej arsyeve që për tetë muaj nuk është caktuar asnjë seancë pasi që rasti është rikthyer në rigjykim dhe rivendosje. Sigurisht që në momentin që gjykata do ta caktoj këtë do të kemi njohuri të tjera shtesë se provat e reja që janë kërkuar a janë siguruar nga gjykata apo prokuroria që të kemi një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në të ardhmen..Gjykata Themelore në Prishtinë është posaçërisht e ngarkuar edhe me një pjesë të lëndëve ku shumica janë lëndë të shënjestruara nga Bashkimi Evropian që kanë të bëjmë me çështjen e liberalizimit të vizave” , tha Gashi.

Nga Gjykata Themelore e Prishtinës, kanë thënë se së  shpejti do të caktohet seanca gjyqësore për rastin e aktivistëve për sulmin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Nuk është caktuar ende për shkak të ngarkesës së punës së gjyqtarit të kësaj çështje, mirëpo seanca gjyqësore lidhur me këtë lëndë pritet që të caktohet së shpejti”, thuhet në përgjigje.

Moscaktimin e seancës  për aktivistët që akuzohen se kanë kryer sulm terrorist  nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shihet si dështim i gjyqësorit.

Betim Musliu nga ky Institut u  shpreh se kjo lëndë duhet të trajtohet me prioritet, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës ka bërë edhe shkelje të afateve ligjore.

 Musliu: Gjyqësori po dështon ta trajtojë këtë rast me prioritet

“Gjykata asnjëherë nuk është deklaruar se përse nuk është caktuar ende një shqyrtim për një prej rasteve më sensitive për të cilin edhe është bërë debat shumë, mirëpo konsiderojmë se ky rast është dashur dhe duhet që të trajtohet me prioritet absolut duke ditur rolin dhe rëndësinë e këtij procesi gjyqësor, për shkak se lidhet me një dimension tjetër që është edhe me përfaqësues të partive politike, prandaj në këtë rast gjyqësori është duke dështuar që ta trajtoj me prioritet ashtu siç kërkohet për t’i dhënë përgjigje përmes drejtësisë këtij rasti... në këtë rast pra kemi shkelje të afateve ligjore për të rinisur ky proces gjyqësor në rigjykim që është kthyer nga Gjykata e Apelit, prandaj në këtë rast do të duhej që gjykatësit e themelores të cilët  e kanë këtë lëndë në punë të nisin menjëherë dhe mos të keni asnjë arsyetim sepse nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë“, tha Musliu.

Sipas Musliut shkuarja e prokurorit të rastit në pension nuk paraqet problem për lëndën, pasi të njëjtën lëndë  mund ta trashëgojë  një prokuror tjetër pa asnjë problem.

Se lënda e aktivistëve të Vetëvendosjes duhet të trajtohet me prioritet e thotë edhe  kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala .

Ai dyshon se Gjykata Themelore e Prishtinës qëllimisht po e zvarrit procesin hetimor.

Shala:Gjykata po luan lojë politike me të akuzuarit

“Nuk është mirë as për Kuvendin, as për institucionet tjera të punojnë njerëz të cilët dyshohen për vepra të rënda penale kundër shtetit, por në anën tjetër nuk është mirë që aq të akuzuarit, apo të dënuarit të mbesin zvarrë në mos marrjen e një vendimi për zyrtarë, dhe po e shihni se me vetë faktin që është kthyer nga Gjykata e Apelit aty ka konstatuar se diçka nuk është në rregull dhe mendoj që megjithatë mund të jetë një lojë politike, e cila i mban nën presion këta që janë të dënuar apo të akuzuar”, thotë Shala.

Kp për disa javë ka pritur përgjigje nga Prokuroria Speciale, se a është caktuar prokurorit i rastit për sulmin në Kuvend, lëndë kjo që është kthyer në rigjykim por as pas disa javësh nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, më 26 shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin ndaj 4 aktivistëve të akuzuar për sulmin me granatë në  gushtit të vitit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Për këtë sulm i akuzuar ishte edhe Astrit Dehari i cili më 5 nëntor të vitit 2016 ka vdekur në rrethana të dyshimta në burgun e  Prizrenit.

Gjykata Themelore e Prishtinës nëntorin e kaluar kishte dënuar Atdhe Arifin me 6 vjet burg, deputetin Frashër Krasniqi me 8 vjet burg, Egzon Halitin me 5 vjet e gjysmë burg si dhe Adea Batushën me 2 vjet burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat