Fakulteti i Filozofisë ‘shpëtim’ për ata që nuk pranohen në tjera drejtime

Aktuale

Fakulteti i Filozofisë ‘shpëtim’ për ata që nuk pranohen në tjera drejtime

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 12:52
Fakulteti i Filozofisë

Në Fakultetin e Filozofisë, çdo vit ofrohen 100 vende për të studiuar filozofi në studimet themelore, por në afatin e parë, numri i tyre që aplikojnë arrin deri në 30. Ndërkaq, në afatin e dytë, kur në shumicën e departamenteve është mbushur numri, deri në 300 studentë aplikojnë për 70 vendet e lira të mbetura në Departamentin e Filozofisë.

Këtë e ka konfirmuar për kp vetë shefi i Departamentit të Filozofisë në UP, Kristë Shtufi. I pyetur se a ndikon kjo gjë në cilësinë e studimeve, Shtufi thotë se zgjedhja e studimeve është në dorën e vet studentëve dhe se departamenti i gëzohet një interesimi kaq të madh.

“Konsideroj që është në vullnetin e lirë e dëshirën e të interesuarve që ata të vijnë në filozofi apo jo. Universiteti i Prishtinës e shpall konkursin për filozofi në bazë të kërkesës së Departamentit të Filozofisë dhe me miratimin e Këshillit të Fakultetit dhe e njëjta gjë ndodh edhe për drejtime tjera, dhe Departamenti i Filozofisë ka kënaqësinë që mund t’i presë studentët e rinj që duan të studiojnë filozofi si qëllim i tyre”, thotë ai.

Ai po ashtu thotë se të rinjtë që studiojnë filozofi kanë një mori mundësish në tregun e punës.

Pavarësisht kësaj, vitin e kaluar disa komuna të Kosovës filluan reduktimin dhe largimin e lëndëve të filozofisë dhe logjikës nga planprogrami mësimor.

Ky veprim, u kritikua nga analistë e njohës të arsimit, e nuk po duket i arsyeshëm as për kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshin.

Ai thotë se para se të largohet apo të shtohet një lëndë, duhet të bëhen analiza të thella nga ekspertë të arsimit, ndërsa filozofinë e sheh të domosdoshme që të mësohet si lëndë para se të shkohet në universitet, në veçanti për ata studentë që zgjedhin shkencat humane.

Kurteshi: Filozofia është bazë për ata që duan të studiojnë shkenca humane

“Një pjesë e nxënësve që përfundojnë gjimnazin mund të shkojnë dhe të studiojnë lëndë shoqërore, e në mesin e tyre edhe filozofinë, por edhe nëse merren me shkenca politike apo shkenca humane, filozofia është bazë e shkencave humane e cila patjetër duhet të mësohet para se të shkohet në universitet”, deklaron Kurteshi.

Ndërkaq, tash e katër vite në Kosovë funksionon Shoqata e Filozofëve të Kosovës, që mëton të promovojë filozofët e rinj. Në mesin e filozofëve të kësaj shoqate, nuk ka vetëm studentë e të diplomuar të filozofisë, por edhe të rinj nga fusha të ndryshme të studimit apo edhe njerëz që nuk studiojnë ndonjë program akademik.  

Sipas nënkryetarit të kësaj shoqate, Ridvan Eminit, kriteri kryesor që duhet të përmbushë një person për të qenë pjesë e kësaj shoqate, është që të ketë dashuri për dije.

Emini thotë se Kosova u ofron mjaft hapësirë të rinjve që të merren me filozofi, dhe shtoi se shoqata e tyre është një ndihmesë shtesë për ata që duan të merren em filozofi edhe përtej nivelit akademik.

Emini: Filozofët e Kosovës më parë kanë qenë të mbyllur

“Ne si shoqatë merremi kryesisht me promovimin e atyre që e kane kryer filozofinë, po natyrisht si pjesë e agjendës ose qëllimit të shoqatës është që të kemi edhe një paraprije për brezin e ri, t’iu ofrojmë atyre projekte të ndryshme, në mënyrë që ata pastaj ta shohin edhe çka është filozofia dhe të kenë mundësi pastaj të vijnë e të studiojnë filozofi. I kemi pasë disa projekte të cilat kanë qenë më primare, ashtu siç e dini, filozofët e Kosovës kanë qenë të mbyllur, në kuptimin që nuk kanë qenë pjesë e ndonjë organizate ndërkombëtare ose rajonale për filozofi dhe në vitin 2016 ShFK është bërë anëtare e Formuit të Shoqatave të Filozofisë, të cilat janë në kuadër të UNESCO-s”, deklaron Emini.

E një grup tjetër që po mundohet ta kthejnë tek të rinjtë dashurinë për dije, janë studentësh e ish-studentësh të filozofisë, të njohur si Virtual Sophists, të cilët së fundmi kanë themeluar edhe Qendrën për Filozofi dhe Art.

Njëri nga themeluesit e kësaj qendre, Ardian Batusha, thotë se qëllimi kryesor i tyre është që ta nxjerrin filozofinë nga qarqet akademike dhe ta praktikojnë më shumë në jetën e përditshme.

Batusha thotë se po synojnë që këtë qendër ta shndërrojnë në një kafe të Parisit, ku synojnë ta promovojnë filozofinë ekzistencialiste.

Batusha: Filozofia nuk ka kuptim nëse nuk praktikohet në jetë

“Ne si grup e mendojmë filozofinë më shumë se sa një histori mendimesh. E mendojmë kështu sepse mendojmë që filozofia nuk ka kuptim nëse nuk praktikohet në jetë, domethënë nëse filozofia nuk është në raport me jetën, i humb kuptimi në një farë forme. Prandaj qëllimi ynë kryesor që e kemi themeluar këtë qendër është që ta bëjmë bashkë filozofinë dhe jetën, domethënë ta sjellim filozofinë në një nivel tokësor, pra, t’ia kthejmë jetës filozofinë. Mund t’iu jap një shembull se si e kemi konceptuar. Kur kemi filluar me bloëgun Virtual Sophists, qëllimi ynë ka qenë ta promovojmë filozofinë ekzistencialiste, edhe eksiztencializmi, edhe historikisht nëse shihet, e promovon pikërisht këtë, pra është filozofi e jetës”, ka thënë Batusha.

Përndryshe, ky grup organizon edhe Klubin e Librit dedikuar librave me karakter filozofik.

Së fundmi, në Kosovë janë botuar rreth tri revista me karakter filozofik, e aktivitete e kësaj natyre kryesisht vazhdojnë të mbahen nga organizatat dhe grupet joformale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat