Kryesia vendos për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit

Aktuale

Kryesia vendos për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 11:16
Kryesia e Kuvendit

(E plotësuar) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se Serbia po jep para të mëdha për t’i bindur vendet e caktuar për të votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, megjithatë është shprehur optimist që kësaj radhe Kosova do të pranohet në këtë institucion të sigurisë.

Veseli këto komente i bëri pas mbledhjes së kryesisë, ku tha se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca parlamentare.

Veseli: Të enjten vazhdimi i seancës për çështjen e politikës së jashtme

“Kemi seancë parlamentare ditën e enjte, do të jetë një vazhdim i seancës së jashtëzakonshme të kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për çështjen e politikës së jashtme të Kosovës dhe në të njëjtën kohë do të kemi ditën e premte vazhdimin  me pikat e mbetura, një seancë të re plenare nga ora 14:00, në të cilën janë të përfshira të gjitha ligjet, përkatësisht draftligjet të cilat janë aktualisht në listën e pritjes për agjendën e reformave evropiane”, tha ai.

Sipas tij, komisionet parlamentare janë duke punuar mirë dhe se gjatë këtij viti janë miratuar 65 projektligje.

Veseli duke komentuar mundësinë që nesër Kosova të anëarësohet në Interpol, është shprehur optimist se një gjë e tillë do të ndodh. Megjithatë ka deklaruar se Serbia, është duke tentuar në vazhdimësi për të penguar një gjë të tillë.

Veseli: Jam shumë optimist që Kosova do të anëtarësohet në Interpol

“Institucionet tona e kanë bërë një punë të mirë, por nuk dua të flas, pa u kryer puna. Jemi optimist në qoftë se më pyet, jam shumë optimist, por nuk duhet të flasim pa u kry puna. Pra për vet faktin se Serbia është duke luajtur një rol destruktiv dhe duke futur para të mëdha në procesin e bindjeve të vendeve të caktuara, të cilat kanë nevojë për aq bashkëpunim dhe pështjellim, po ja, shkakton vështirësi, duke tentuar t’i bëjë vështirësi Kosovës, por nuk ka me mujt”, ka shtuar Veseli.

Ai madje është shprehur i bindur se do të ndodh transformimi i FSK-së në ushtri, megjithatë nuk ka dhënë datë të caktuar. Sipas tij, kjo do të ndodh shumë shpejt dhe në partneritet me bashkësinë evropiane.

Në lidhje me pronat e AKP-së që i janë dhënë në shfrytëzim komunave serbe, ai tha se nëse ka pasur gabime, ligji do të merret me këtë çështje.

Veseli: Nëse ka pasur ndonjë gabim do ta vërtetojë Gjykata Kushtetuese

“Koalicioni do të qëndron për aq sa interesi dhe nevoja e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ne do ta vazhdojmë që të mbrojmë interesat e vendit, anëkënd Kosovës. Në të njëjtën kohë ta integrojmë dhe avancojmë pozitën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran tek vendet e Bashkimit Evropian dhe tek vendet e NATO-s. Ligji do të respektohet në përpikëri. Në qoftë se ka probleme të cilat ndërlidhen drejtpërdrejt me mos zbatimin e ligjit, mund të siguroj si lider i këtij koalicioni se do të ketë respektim një qind për qind të asaj të cilën e nxjerr vendim Gjykata Kushtetuese dhe ligjet në fuqi. Në qoftë se ka pasur gabime e konstaton Gjykata Kushtetuese, do të kemi edhe rikthim të çështjeve të cilat janë në vendin e duhur”, tha Veseli.

Kadri Veseli madje është shprehur i bindur se do të ndodh edhe liberalizimi i vizave gjatë muajit dhjetor të këtij viti. Ai ka thënë se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, duke shtuar se kjo çështje është teknike dhe jo politike dhe se nuk ka arsyeje që të ndodh e kundërta. 

A do të vazhdojë edhe më tutje koalicioni qeveritar? Flet Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca plenare.

"Edhe këtë javë do të jetë e mbushur me disa projektligje që kanë të bëjnë me agjenda evropiane. Çështja e liberalizimit të vizave është çështje teknike, Kosova nuk e turpëron BE-në. Kemi seancë plenare të enjten, vazhdim i seancës së thirrur nga LDK dje Vetëvendosje,  po ashtu edhe të premten seancë tjetër. Deri tani janë miratuar 65 projektligje, komisionet parlamentare janë duke punuar”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit është optimist se nesër do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

"Institucionet tona kanë bërë punë të madhe, jemi optimist, por nuk duam të flasim derisa të kryhet puna. Serbia është duke e penguar një gjë e tillë", tha Veseli.

Ndërsa, sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri ai u shpreh i bindur që një gjë e tillë do të ndodh. Lidhur me pronat e AKP-së që i janë dhënë në shfrytëzim komunave serbe, Veseli tha se nëse ka pasur gabime, ligji do të merret me këtë çështje. Ndërsa tha se koalicioni qeveritar do të vazhdojë edhe më tutje.

***

Në mbledhjen e sotme, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të enjten të mbahet seanca e jashtëzakonshme për politikën e jashtme.

Në ndërkohë, në këtë mbledhje është vendosur që vazhdimi i seancave të papërfunduara të mbahet të premten në ora 10:00 ndërsa po në këtë ditë do të ketë edhe seancë të re me fillim nga ora 14:00.

Në mbledhjen e kryesisë kanë qenë të pranishëm të gjithë shefat e grupeve parlamentare.

Të premten, seanca e thirrur si e jashtëzakonshme për të diskutuar politikën e jashtme të Kosovës, dështoi.

Mungesa e ligjvënesve dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, shtyri thirrësin e këtij debati, LDK-në, të tërhiqet.

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur mbledhjen me shefat e grupeve parlamentare, ndërsa tash po flasin për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat