Dallimi ndërmjet djemve dhe vajzave në arsimim janë ende të pranishme

Aktuale

Dallimi ndërmjet djemve dhe vajzave në arsimim janë ende të pranishme

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 13:41
Kadri Veseli

Të drejtat e fëmijëve si e drejta për arsimim, përkujdesje shëndetësore, mbrojtje nga dhuna, janë vetëm disa nga të drejtat e fëmijëve që janë sfiduese në zbatim në Kosovë.

Kështu është thënë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e Fëmijëve, ku është potencuar se fëmijët në Kosovë ende nuk trajtohen me prioritet në agjendën shtetërore.

Për të shënuar këtë ditë, Grupi i fëmijëve “Respektoni të Drejtat Tona- RPR”, kanë organizuar një tryezë diskutimi me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, nga të cilët kanë kërkuar që të drejtat e tyre të respektohen.

Përfaqësuesja e këtyre fëmijëve, Trina Hoti, është shprehur se në Kosovë shpesh herë thuhet se fëmijët janë e ardhmja e vendit, por që ajo tha se ende nuk trajtohen si prioritet në Kosovë.

Hoti: Të drejtat si për arsim, përkujdesje shëndetësore janë sfiduese në zbatim

“Dëgjoj shpesh fjalime se fëmijët janë e ardhmja e vendit, është shumë e vërtetë. Mirëpo, duhet ta keni të gjithë të qartë se për të pasur një të ardhme të mirë dhe të tillë, duhet të kemi një të tashme të mirë. Edhe pse fëmijët për Kosovën janë pasuri, ata nuk trajtohen si prioritet superior i agjendës shtetërore të Kosovës. Ne mund të posedojmë akte ligjore që sigurojnë zhvillimin cilësor dhe adekuat për fëmijët, të cilat janë shumë të bukura në letra, mirëpo janë të shëmtuara nga ngecja e tyre në praktikë. Por, për këtë fakt duhet që më shumë sesa ta pranojmë si të tillë duhet të punojmë ta ndryshojmë. Të drejtat e fëmijëve si e drejta për arsimim, përkujdesje shëndetësore, mbrojtje nga dhuna janë vetëm disa nga të drejtat të cilat janë sfiduese në zbatim në Kosovë”, tha ajo.

Hoti ka përmendur disa nga çështje që ata si fëmijë i shqetëson, siç është arsimi, ku ajo ka thënë se kanë çanta kilogramësh në shpinë, por kanë tekste shkollore të vjetra. Ajo ka potencuar edhe mungesën e psikologëve në shkolla, ndërkohë që ka thënë se ndëshkimi përdoret si mjet disiplinimi.

Në këtë tryezë ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se Kosova është e përkushtuar në krijimin e perspektives për gjeneratat e reja.

Ai tha se Kosova duhet të përgatitë fëmijë konkurrentë dhe në hap me zhvillimet e kohës, për të qenë të gatshëm të përballen me sfidat.

Veseli: Ka mundësi që Kosova të ketë sukses, por edukimi është baza kryesore

“Ne kemi nevojë për një rini, e cila është e përgatitur. Përveç dashurisë që e kemi tradicionale, përkushtimit tonë, i cili është institucional dhe më tepër familjar, duhet të jetë edhe përkushtimi që është strategjik që kjo rini që krijohet të jetë e përgatitur, për vetë faktin se këta do të ballafaqohen me vetë të arriturat apo ngecjet të cilat janë në shoqërinë kosovare. Duhet t’i kemi më të përgatitur që të jenë më konkurrentë, të jenë më të suksesshëm dhe në të njëjtën kohë mund të ballafaqohen me problemet, të cilat jemi aktualisht duke u ballafaquar. Ka mundësi që Kosova të ketë sukses, por edukimi është baza kryesore”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit është shprehur se fenomenet e dhunës janë të pa tolerueshme, pasi krijojnë trauma në ambientin në të cilin rriten fëmijët, ndërsa porositi të rinjtë të largohen nga rruga dhe të integrohen në shoqëri.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, është shprehur se potenciali më i madh i Kosovës janë të rinjtë, e që ajo tha se shteti duhet të investojë në edukimin e tyre .

Apostolova: Dallimi ndërmjet djemve dhe vajzave në arsimim janë ende të pranishme

“Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës janë alarmante, dëshmon që 25 për qind shkallë të varfërisë në Kosovë, 10.7 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, ndërsa 6.8 për qind e fëmijëve tek puna e tyre është në kushte të rrezikshme. 61.4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14-vjeçare kanë vuajtur nga dhuna psikologjike dhe fizike. Vetëm 10 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shëndeti, nga shërbimet sociale dhe nga arsimimi. Diskriminimi i kategorive të caktuara të fëmijëve të pambrojtur është madje edhe më keq. Dallimi ndërmjet vajzave dhe djemve në arsim apo në të drejtat e trashëgimisë janë ende të pranishme, posaçërisht më ka prekur kur dëgjova për një rritje të fëmijëve viktima të dhunës familjare”, tha ajo.

Korniza politike dhe ligjore sa i përket të drejtave të fëmijëve, Apostolova tha se janë në harmoni me standardet ndërkombëtare. Por, ajo potencoi se zbatimi ka dëshmuar të jetë sfidues.

Apostolova u shpreh se si BE do të jenë gjithmonë të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, ku ajo tha se vetëm në arsimim që nga viti 2007 kanë investuar 34 milion euro.

Ndërkaq, kryesuesi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, u shpreh se do të jenë çdo herë në mbështetje të fëmijëve.

Sahin: Fëmijët e sotëm janë liderët e së ardhmes

“E ardhmja e Kosovës është në duart e juaja, fëmijët e sotëm janë liderët e së ardhmes, mësimdhënës të së ardhmes dhe ministra e politikanë të së ardhmes. Çdo ditë, të gjithë ne në UNICEF parashtrojmë vetës pyetje se si mund të punojmë së bashku me institucionet lokale, me partnerët, me BE-në, për t’i mbështetur më së miri dhe për t’i mbrojtur”, tha ai.

Grupi ROR (Respect Our Rights) përbëhet nga 24 anëtarë të moshave 14-17 vjeç të komunave të ndryshme të Kosovës dhe bën monitorimin e zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve në Kosovë dhe ligjeve vendore, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Dita Universale e Fëmijëve e Kombeve të Bashkuara u themelua në vitin 1954 dhe festohet më 20 nëntor në çdo vit për të promovuar bashkimin ndërkombëtar, ndërgjegjësimin e fëmijëve në mbarë botën dhe përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat