Kujt i paguajnë qira partitë politike?

Aktuale

Kujt i paguajnë qira partitë politike?

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 15:14
Në këtë hulumtim përmenden katër parti politike për selitë qendrore.

Disa nga partitë më të mëdha politike në Kosovë që nga formimi i tyre janë vendosur në objekte të ndërmarrjeve shoqërore apo ndërtesa private në qendër të Prishtinës. Për një kohë të gjatë të veprimtarisë se tyre, nuk është bërë e qartë se kujt ia kanë paguar qiranë – nëse kanë paguar fare.

Në këtë hulumtim përmenden katër parti politike, për selitë qendrore të të cilave Radio Evropa e Lirë ka raportuar edhe më parë.

PDK

Image
Selia e PDK-së

Selia qendrore e Partisë Demokratike të Kosovës, është e vendosur në Sheshin “Nëna Terezë” në qendër të Prishtinës. Kjo parti është themeluar në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë.

Basri Musmurati, sekretar në Partinë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka informacione nëse kjo parti i ka paguar dikujt qira deri në vitin 2011.

Objekti që shfrytëzon ky subjekt politik, sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka qenë në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore “Drithnaja”.

Kjo ndërmarrje është privatizuar në valën e 44 të privatizimit, konkretisht në fillim të vitit 2011, në një vlerë prej 371 mijë eurosh, nga Burim Marmullaku.

Nga ky vit nis edhe shpagimi i qirasë. Megjithatë, objekti nuk figuron i regjistruar në regjistrat kadastrale të Komunës së Prishtinës, në emër të pronarit të ri.

“Objekti ku gjendet selia e PDK-së në sheshin Nëna Terezë, evidentohet mbi parcelën kadastrale me sipërfaqe prej 2.827 metrash katrorë, në pronësi të Ndërmarrja për prodhimin e Drithnajës, pjesa e pronës ¼ dhe Oda Ekonomike e Kosovës – Prishtinë, pjesa e pronës ¾”, thuhet në një përgjigje me shkrim të zyrtarëve të Komunës së Prishtinës për Radion Evropa e Lirë.

Pas procesit të privatizimit në vitin 2011, Partia Demokratike e Kosovës ka lidhur kontratë për qira me dy pronarë, thotë zoti Musmurati.

“I kemi dy pronarë, të cilëve ua paguajmë qiranë. Njërit i paguajmë 2.890 euro në muaj, kurse tjetrit rreth 1.600 euro në muaj”, tha Musmurati, duke shtuar se njëri prej tyre është zoti Marmullaku, kurse tjetri është Rexhep Avdiu. Ky i fundit është pronar i një hapësire ku është vendosur Oda Ekonomike e Kosovës, në kuadër të selisë qendrore të PDK-së.

Zoti Marmullaku nuk ka pranuar të flasë për Radion Evropa e Lirë, kurse Avdiun më gjithë përpjekjet ka qenë e pa mundur të kontraktohet.

LDK

Image
Selia e LDK-së

Selia kryesore e partisë tjetër, Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjendet në kompleksin ‘Qafa’ në Rrugën e UÇK-së në Prishtinë.

Lutfi Zharku, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se objekti në të cilin vepron LDK-ja, është blerë para luftës në Kosovë dhe se është pronë e LDK-së.

Por, as “objekti në emër të LDK-së, nuk figuron i regjistruar në regjistrat kadastralë të Komunës se Prishtinës”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të kësaj komune.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të shpjeguar arsyen e mosregjistrimit në librat kadastralë.

AAK

Image
Selia e AAK-së

Edhe çështja e pronësisë së selisë ku ushtron aktivitetin politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngre disa pyetje. Në regjistrat kadastralë, kjo pronë evidentohet në emër të Institutit për Hulumtime Shkencore në Bujqësi.

Ky objekt është i vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë.

Instituti Bujqësor, funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës. Drejtori i këtij Instituti Fehmi Geci, ka thënë përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë se AAK- ja ka lidhur kontratë me këtë Institut më 11.04 2018 dhe paguan qira mujore prej 2.450 euro në muaj apo 2.5 euro për metër katror.

Hapësira e Objektit të shfrytëzuar, sipas Gecit, është rreth 980 m2.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka lidh kontratë për dhënie në shfrytëzim partisë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK. Vlera mujore e qirasë është 2,450 euro, ndërsa qiraja vjetore është 29,400 euro”, ka thënë Geci.

AAK si parti politike është themeluar në muajin maj të vitin 2000 - për 18 vjet me radhë nuk ka pasur kontratë të rregullt më Institutin Bujqësor.

Lulzim Leci, sekretar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se janë të rregullt në pagesën e qirasë mujore që nga lidhja e kontratës në muajin prill të këtij viti.

Vetëvendosje

Image
Selia e Vetëvendosjes

Partia tjetër parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, selia qendrore e së cilës gjendet në rrugën Kasëm Haxhimurati në lagjen Arbëria në Prishtinë, është pronë private. Bekim Gashi, drejtues i sekretariatit të financave në këtë parti, ka thënë përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, se objekti ku zhvillon veprimtarinë Vetëvendosje është në pronësi private dhe qiraja mujore bruto është 1,923 euro.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se objekti ku është vendosur selia e Lëvizjes Vetëvendosjes, “është në pronësi private me sipërfaqe 508 metra katrorë”. Emrin e pronarit ndërkaq nuk e kanë publikuar as zyrtarët e Komunës dhe as ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Raportet Financiare

Duke iu referuar viteve të para të pasluftës, Arton Demhasaj drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, thotë se partitë politike duhet të japin shpjegim pse nuk kanë paguar qira për aq vjet, pavarësisht se tani kanë filluar të paguajnë.

“Kjo nuk i amniston nga e kaluara dhe partitë e politike edhe sot janë të obliguara të tregojnë se çfarë ka ndodhur, pse nuk kanë paguar qira”, thotë zoti Demhasaj.

Transparenca rreth financimit dhe shpenzimeve të partive politike ka qenë dhe mbetet një prej ngecjeve të vazhdueshme të Kosovës, që është evidentuar gati se në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian.

Partitë politike thuhet se bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre u ndahen nga buxheti i Kosovës.

Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro.

Kjo shumë atyre u ndahet më pas mbi bazën e përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Madje, në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë.

Raportet e fundit financiare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Lëvizjes Vetëvendosje janë të vitit 2016. Derisa në ueb faqen e Partisë Demokratike të Kosovës nuk figuron asnjë raport financiar. /REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat