Zbulohen kriminelë të rinj të luftës, dosjet e dorëzuara në Prokurorinë Speciale dëshmojnë edhe për masakrën e Mejes

Aktuale

Zbulohen kriminelë të rinj të luftës, dosjet e dorëzuara në Prokurorinë Speciale dëshmojnë edhe për masakrën e Mejes

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 15:29
Pamje nga lufta në Kosovë

U bënë shtatë kontingjente me qindra dosje e dëshmi që përmbajnë të dhëna për krimet e luftës në Kosovë. Që nga paslufta Gjakova tash ka dorëzuar kontingjentin e shtatë të kallëzimeve penale, ku ka emra të kriminelëve serbë që kanë kryer vrasje, dhunime, djegie të shtëpive dhe krime të tjera të luftës, por edhe emra të shqiptarëve që ishin bashkëpunëtorë. Në një bisedë përfaqësuesja e grupit ka treguar se në dorëzimet e fundit ka emra të rinj të kriminelëve dhe ka të dhëna për masakrën e Mejes

Që nga paslufta Gjakova ka dorëzuar gjashtë kontingjente të kallëzimeve penale në organet kompetente për krimet e luftës. Kështu ndodhi edhe sot: Grupi i Shoqërisë Civile ka grumbulluar dëshmi për krime të luftës dhe i dorëzoi 61 dosje me rreth 100 dëshmi në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Mevlyde Saraçi, përfaqësuesja e Grupit të Shoqërisë Civile, në një bisedë ka thënë se kjo është e vetmja rrugë e mirë për t’i identifikuar kriminelët e luftës, duke i mbledhur dëshmitë dhe dosjet, dhe duke i dorëzuar ato në Prokurorinë Speciale.

Me qindra dosje deri tani janë dërguar në Prokurori, e për to Saraçi thotë se po punohet nga ana e këtij institucioni të drejtësisë.

Mirëpo, ajo tregoi për Express se kësaj radhe, në këtë kontingjent të shtatë, ka edhe emra të rinj të personave, kriminelëve që kanë marrë pjesë në luftë dhe kanë kryer krime ndaj shqiptarëve.

“Kësaj radhe ka emra të rinj, ka edhe dëshmi të reja nga masakra e Mejes”, ka thënë Saraçi.

Përmbajtja e këtyre dëshmive daton nga vitet kur Kosova ishte në luftë, 1998 dhe 1999.

Masakra e Mejes ndodhi më 27 prill të vitit 1999 gjatë kohës së luftës në Kosovë në fshatin me po të njëjtin emër në rrethinën e Gjakovës, Kosovë.

Në këtë masakër nga forcat serbe janë masakruar shqiptarët nga Gjakova dhe rrethina e saj. Trupat e të pajetëve janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë.

Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001, një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.

E përfaqësuesja e këtij grupi tha se dorëzimi i dosjeve po ka efekt, pasi, sipas saj, policia ka nisur të marrë në pyetje dëshmitarët e këtyre rasteve.

Kujtojmë që në qershor të këtij viti, Grupi kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale më shumë se 150 kallëzime penale.

Media ka shkruar edhe në qershor për këto raste ku Saraçi kishte treguar se në mesin e kriminelëve serbë, janë identifikuar edhe disa shqiptarë që bashkëpunuan për kryerjen e terrorit ndaj shqiptarëve.

Përveç dëshmive të shkruara, familjarët kanë treguar dokumente, fotografi të personave të vrarë dhe kriminelëve, fakte, emrat e kriminelëve të cilët thonë se i njohin, se kanë kryer vrasjet gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Në luftën e viteve 1998-99 u vranë rreth 15 mijë persona nga forcat paramilitare serbe, mbi 20 mijë femra të dhunuara, u dëbuan mbi 8 mijë persona, kurse të zhdukur vazhdojnë të mbesin mbi 1600 persona.

Me hetimet dhe gjykimet e kriminelëve që kryen krime gjatë luftës në Kosovë u morën mekanizma ndërkombëtarë e vendorë.

Menjëherë pas luftës, filloi të merret me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës edhe Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë me seli në Hagë. Kjo gjykatë ka arritur të dënojë 6 serbë dhe 2 shqiptarë.

Në mesin e serbëve, është edhe ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, i cili më 11 mars 2006 u gjet i vdekur ne qelinë e tij në Hagë, disa muaj para se të përfundonte gjykimi.

Kurse, me krijimin e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) u akuzuan për krime lufte gjithsej 112 persona, 61 shqiptarë, 48 serbë dhe 2 malazezë.

E nga shteti serb, në vitin 2003 në Gjykatën e Lartë janë akuzuar për krime të luftës 20 shqiptarë dhe 15 serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat