Arrestohen dy zyrtarë shëndetësorë për keqpërdorim të mjeteve financiare

Aktuale

Arrestohen dy zyrtarë shëndetësorë për keqpërdorim të mjeteve financiare

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 15:55
Ministria e Shëndetësisë

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit, më 19.11.2018, pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore-Prishtinë, ka bërë arrestimin e dy personave të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘përvetësim në detyrë’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

I dyshuari Sh. S. viti i lindjes 1981, m/k/sh, në cilësinë e inspektorit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë ka vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, pasi dyshohet se ka bërë zotime të mjeteve për avance për zyrtarët e AKPM-së.

Në komunikatën për media thuhet se nga viti 2015 deri në vitin 2018, janë bërë zotime në kundërshtim me ligjin, pa pasur aprovimet paraprake dhe nuk ka fare dokumentacion që arsyetojnë zotimin e mjeteve. Shuma e këtyre avanceve është 1,127,499.00 € (një milion e njëqind e njëzetë e shtatë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë).

Ndërsa e dyshuara N. (Sh.) F. viti i lindjes 1981, f/k/sh, në pozitën e u.d. shef i Personelit në Qendrën Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, në cilësinë e zyrtares zotuese alternative për AKPPM-në, nga data 28.03.2014 deri 17.12.2014 ka kryer zotimet e mjeteve në shumën 99,415.00 € (nëntëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e pesëmbëdhjetë).

“Për zotimet e realizuara nga e dyshuara gjithashtu mungojnë aprovimet paraprake dhe nuk ka fare dokumentacion që e arsyeton zotimin e këtyre mjeteve. Këto mjete të zotuara nga të dyshuarit më pas i ka tërhequr nga banka i dyshuari M. S., i arrestuar nga Policia e Kosovë më 28.03.2018”, thuhet tutje në njoftim.

Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore-Prishtinë dërgohen në ndalim për 48 orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat