Aktakuzë kundër ish-zëvendësministrit, Cena e pranon se kërkoi 30 mijë euro ryshfet

Aktuale

Aktakuzë kundër ish-zëvendësministrit, Cena e pranon se kërkoi 30 mijë euro ryshfet

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 16:03
Musa Cena

Nga një grant prej 200 mijë eurosh, zëvendësministri, Musa Cena planifikonte që t’i zhvaste 30 mijë euro. Tash, kur nuk e ka marrë asnjë cent dhe e ka humbur pozitën e zëvendësministrit, Cena e ka pranuar fajësinë. Të mërkurën ai pritet të dalë para drejtësisë.

Ish-zëvendësministër i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, e ka pranuar se i ka kërkuar pronarit të kompanisë, “Bylmeti”, Afrim Berisha, 30 mijë euro ryshfet në këmbim të një granti nga Ministria e Bujqësisë, në vlerë prej 200 mijë eurosh.

Cena, tashmë i shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit, të mërkurën pritet të dalë para drejtësisë. Aktakuza kundër tij tashmë është ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

Një kopje të aktakuzës e ka siguruar Insajderi.

Në aktakuzë thuhet se, ish-zëvendësministri Musa Cena, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Nusret Shala në Komunën e Rahovecit dhe bashkëpunëtori i tyre, Hazër Shala kanë pranuar fajin se kanë kryer veprën penale “Marrje Ryshferti”.

Ish-zëvendësministri Cena së bashku me drejtorin Komunës së Rahovecit kishin shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare që të përfitojnë në mënyrë të paligjshme një shumë prej 30 mijë euro nga Afrim Berisha pronar i kompanisë “Bylmeti”.

Cena dhe Shala planifikonin që Berishën ta shpallnin fitues të granitit në vlerë prej 200 mijë euro në Ministrinë e Bujqësisë. 20 mijë euro planifikonin t’i merrnin në fillim, dhe 10 mijë në fund të procesit.

Shumën e ryshfetit e kishin ulur në 25 mijë euro.

Hazër Shehu, në cilësi të konsulent ekonomik nga kompania “Bylmeti” i kishte ndihmuar Cenës dhe Shalës që shefit të tij t’i kërkonin shumën prej 30 mijë euro në mënyrë që kompania “Bylmeti” të shpallet fitues i grandit prej 200 mijë eurove.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar që Musa Cenës dhe Nusret Shalës t’ju ndalohet ushtrimi i profesionit dhe të ju ndërpritet paraburgimi.

“Këto vepra të pandehurit i kanë kryer në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar si në këtë aktakuzë dhe për këtë janë përgjegjës, meqë u vërtetua dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit me veprimet e veta i kanë kryer veprat penale me të cilën kjo aktakuzë i ngarkon”, thuhet në arsyetimin e aktakuzës, të cilën e ka siguruar media.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkarkuar zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat