Flet Behgjet Pacolli pas dështimit të Kosovës për tu anëtarësuar në INTERPOL

Aktuale

Flet Behgjet Pacolli pas dështimit të Kosovës për tu anëtarësuar në INTERPOL

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 12:06
Ministri i Punëve të Jashtme, njeherësh zv/kryeministër i vendit, Behgjet Pacolli

Ministri i Punëve të Jashtme, njeherësh zv/kryeministër i vendit, Behgjet Pacolli është deklaruar pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol.

“Sot nuk ka fitues, nuk ka fituar as Kosova por as Serbia. Fitues i sotëm është e keqja. Më vjen keq që pavarësisht punës që kemi bërë kjo sot nuk u shpërblye”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ka kërkuar nga spektri politik i Kosovës unitet në këtë drejtim dhe sipas tij nuk duhet që kjo të habit askënd, por që duhet të jenë më të fortë për të ecur përpara.

“Një është e sigurt se kësaj iniciative nuk i ka munguar përkushtimi dhe puna, kur e them këtë e them me plot sinqeritet se nuk kemi lënë asgjë pa e bërë, kemi punuar por në fund e patëm se nuk arritëm t’i sigurojmë të gjitha”, ka thënë Pacolli.

Sipas zv/kryeministrit Pacolli ende nuk dihet se cilat vende kanë votuar kundër Kosovës, pasi është e vështirë për të arritur tek lista.

“Ne nuk e dimë listën e shteteve se si kanë votuar ata, por kam vërejtur që shumë shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën kanë kontribuar pro-Kosovës, cilat shtete e kanë njohur nuk kanë votuar por që kanë abstenuar duhet ta shohim. Do të jetë e vështirë të vijmë deri tek lista, por do të ishte interesant ta dimë si kanë votuar dhe të përqendrohemi tek këto shtete. Duhet të vazhdojmë të zhvillojmë diplomacinë tonë, të zhvillojmë marrëdhëniet me shtete tjera. E pamë sa e rëndësishme është të kemi marrëdhënie  të mira, të kontribuojmë në paqen dhe dialogun e perspektivën e të ardhmes sonë”,ka thënë Pacolli, shkruan Indeksonline.

Pacolli ka thënë se dy shtetet të cilat u pranuan sot në Interpol, janë vende të vogla që thuajse askush nuk di për to. Sipas tij e gjithë kjo do të thotë se Serbia ka bërë një “luftë” të pamëshirshme për mosanëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Na mbet të jemi konstruktiv të vazhdojmë rrugën konstruktive dhe t’i japim rëndësi të madhe dialogut, duhet të krijojë paqe dhe t’ua heqim barrën të rinjve tanë dhe që ata të ecin përpara bashkë me kolegët e vetë evropiane.Unë konsideroj se nuk duhet të ndalemi, ne duhet të angazhohemi edhe më tepër, që të arrijmë deri tek paqja me Serbinë dhe çdo gjë do të jetë sigurisht më e lehtë”, ka përfunduar Pacolli nga Dubai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat