Drejtori i shkarkuar nuk e liron zyrën, MI kërkon nga policia largimin me dhunë

Aktuale

Drejtori i shkarkuar nuk e liron zyrën, MI kërkon nga policia largimin me dhunë

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 14:26
Betim Reçica

Ish-drejtori i Prokurimit në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, përkundër shkarkimit, nuk e ka liruar zyrën dhe vazhdon të pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare dhe po bën nënshkrime të dokumentacioneve në formë të kundërligjshme.

Kështu tha sot ushtruesi i detyrës së sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri, Betim Reçica gjatë një konference për media lidhur më këtë çështje. Sipas Reçicës, ata kanë nxjerrë urdhëresa për pezullim të punës dhe ndalim të hyrjes në objektin e ministrisë të ish-drejtorit Krasniqi.

Reçica tha se momentalisht janë organet e rendit duke u marrë me këtë rast, mirëpo me gjithë këtë ai po vazhdon të pengojë zhvillimin e punës në divizionin e prokurimit.

Reçica: Ish-drejtori nuk është duke e liruar zyrën, nuk po e zbaton urdhëresën

“Kemi nxjerrë vendim në lidhje për këtë çështje, gjithnjë duke e bazuar në vendimet paraprake të gjykatave, të cilat janë vendime të formës së prerë, vendimi i sekretarit është i bazuar mbi këtë bazë. Personi ish-drejtori nuk është duke liruar zyrën, nuk është duke e zbatuar urdhëresën, nuk është duke e zbatuar vendimin, i cili është i detyrueshëm”, tha ai

Reçica shtoi se përkundër paralajmërimeve, Nexhat Krasniqi nuk e ka liruar detyrën dhe janë ndërmarrë hapa ligjorë, pasi divizioni që ai drejton nuk ka funksionuar si duhet.    

Reçica: Ne po presim organet e rendit të veprojnë

“Hapat ligjorë janë ndërmarrë. Janë organet e rendit që janë duke u marrë për këtë çështje. Ne po presim të veprojnë organet e rendit. Të lirohet zyra dhe me ec përpara me punë dhe detyra. Ajo çka ka qenë primare për pozitën e sekretarit  dhe organin aty është që mbi bazën e ligjshmërisë të veprohet mbi bazën e kërkesave ligjore për këtë rast”, tha ai

Ndryshe, në vitin 2015, Nexhat Krasniqi ishte dënuar me dy vite e dy muaj burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat