BERZH-i kërkon llogari për projektet e vonuara nga Kosova

Aktuale

BERZH-i kërkon llogari për projektet e vonuara nga Kosova

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 14:44
Bedri Hamza dhe Jürgen Rigterink

Ministri i Financave, Bedri Hamza dhe zëvendës-presidenti i parë i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Jürgen Rigterink kanë zhvilluar sot një takim me ç’rast u tha se BERZH vazhdon të jetë ndër partnerët kyç dhe strategjik të Kosovës për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.

Gjatë takimit ministri Hamza i dorëzoi zëvendës-presidentit Rigterink kërkesën për financim të Projektit për ndërtimin e Qarkores së Prishtinës, për të cilin pritet që marrëveshja financiare të përmbyllet vitin e ardhshëm.

Hamza: Kërkojmë nga BERZH financimin e projektit për qarkoren e Prishtinës

“Unë sot ndihem tepër i nderuar që kam mundësi zyrtarisht t’ia prezantoj kërkesën tonë si Kosovë për financimin edhe të një projekti tjetër, jashtëzakonisht të rëndësishëm që është unaza apo rruga e rreth rrotullimit në Prishtinë, që është një projekt që kap vlerën afërsisht rreth 65 milionë euro. Por, ky nuk do të jetë projekti i fundit. Ne nesër gjatë takimeve tona të punës do të diskutojmë edhe për projekte të tjera që kanë rëndësi për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Hamza. 

Ndërsa, Rigterink ka thënë se gjatë viteve të kaluara, BERZH dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet shumë të fuqishëm, ku deri më tani shuma e përgjithshme e investimeve ka qenë 350 milionë euro për rreth 60 projekte, ndërsa pritet që këtë vit të shtohen edhe rreth 50 milionë euro të tjera.

Ai ka thënë se gjatë kësaj vizite në Kosovë do të diskutojnë edhe për neglizhencën e disa projekteve nga ana e institucioneve të Kosovës, të financuara nga BERZH

Rigterink: BERZH në tri vjetët e ardhshme do t’i ndajë 50-100 milionë euro

‘Besoj që do t’i shtojmë edhe 50 milionë euro të tjera. Duke e thënë këtë, ne porsa kemi përfunduar një rishikim strategjik dhe ne besojmë që në Kosovë do të mund të rriten edhe më tepër investimet, në mënyrë që të kemi nga 50 deri 100 milionë euro në tri vjetët e ardhshme. Ne do ta kemi një fokus të veçantë në sektorin privat, duke i mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Pastaj do të jenë projektet në fushën e diversifikimit të energjisë dhe projektet e ndryshme komunale. Kjo është një prej çështjeve që do ta diskutojmë nesër, sepse ka projekte të cilat kanë nisur që nga viti 2015, por që nuk ka ecur me ritmin e pritshëm. Kështu që ne do të diskutojmë këtë çështje dhe e kemi parasysh faktin që Kosova është vend i ri dhe ne sigurisht që do të bëjmë përpjekje që ta ndihmojmë në këtë drejtim”, ka thënë Rigterink.

Gjatë takimeve tjera të ardhshme që do të ketë ministri Hamza me zëvendës presidentin Rigterink gjatë vizitës së tij në Kosovë, pritet gjithashtu të diskutohet për progresin e projekteve në proces, duke identifikuar  mundësitë për tejkalimin e sfidave. Po ashtu, do të ketë diskutim për financimin e projekteve tjera në sektorin publik dhe privat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat