Pushteti dhe opozita adresojnë fajtorët për humbjen e betejës në INTERPOL

Aktuale

Pushteti dhe opozita adresojnë fajtorët për humbjen e betejës në INTERPOL

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Udhëheqësit shtetërorë e kanë fajësuar Serbinë për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, mirëpo janë përfaqësuesit e partive opozitare ata që thonë se humbja e kësaj beteje rëndon mbi supet e përgjegjësve institucional.

Kosova nuk arriti të bëhet pjesë e organizatës së bashkëpunimit policor, Interpol, as pas dy raundesh.

Edhe pse në raundin e dytë kundër Kosovës votuan 51 shtete, kurse 16 abstenuan, presidenti Hashim Thaçi thotë se Kosova ka plotësuar kriteret për anëtarësim në INTERPOL, e madje as nuk ka pasur nevojë për shumë lobim.

Ai ka thënë po ashtu  se askush nuk mund të ketë pritje se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Thaçi: Askush mos të mendojë se Serbia nuk do të na pengojë

“Në raport me INTERPOL askush mos të mendojë se Serbia nuk do të na pengojë, kur një vend ka kryer gjenocid ndaj popullatës shqiptare tash dikush mendon se ata s’do të na pengojnë, po ata po na pengojnë do të na pengojnë edhe të ardhmen. Askush mos të mendon se ata do të na lehtësojnë integrimin tonë në organizata ndërkombëtare, por para së gjithash askush nuk i vë ndonjë presion permanent Serbisë në këtë pengesë permanente që i bën Kosovës”, tha presidenti.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës njëherit ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli fajësoi Serbinë, duke thënë se kundërthëniet janë të mëdha dhe kjo e fundit bëri një luftë të pamëshirshme, me të gjitha mjetet kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

E fakti se Kosova ishte shteti i vetëm në agjendën për anëtarësim që dështoi t’i bashkohej organizatës policore, pasi Kiribati dhe Vanuatu u pranuan në INTERPOL, si duket e ka shqetësuar edhe më shumë Pacollin.

Pacolli: Serbia bëri një luftë të pamëshirshme karshi Kosovës

“Ne e pamë se dy shtete nga dy Oqeania, dy shtete të vogla u anëtarësuan pa asnjë problem dhe Kosova jo, oponenca është tepër e madhe, kundërthëniet janë të mëdha dhe Serbia bëri një luftë të pamëshirshme, me të gjitha mjetet kundër anëtarësimit të Kosovës. Ne na mbetet që të jemi konstruktiv dhe t’i japim rëndësi shumë të madhe dialogut. Ne duhet të krijojmë perspektivë për qytetarët e Kosovës, për rininë tonë, duhet të krijojmë paqe, t’ua heqim barrën të rinjve tanë dhe ata të ecin përpara. Unë e konsideroj se nuk duhet të ndalemi, ne duhet të angazhohemi edhe më tepër që të arrijmë deri paqja me Serbinë dhe çdo gjë duhet të jetë më e lehtë”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë dështim, ka reaguar edhe Qeveria Haradinaj, ku përmes një komunikate për medie ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.

Edhe kjo nuk ka lënë pa përmendur fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik. Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”, thuhet në reagimin e saj.

Të shumta kanë qenë reagimet e pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatën ndërkombëtare të sigurisë INTERPOL .

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate njëherësh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se mospranimi i Kosovës në Interpol është lajm i keq për ata që duan më shumë siguri, paqe e stabilitet dhe për gjithë ata që kanë nevojë për partneritet në luftimin e krimit dhe rrjeteve terroriste.

Sa i përket fushatës së Serbisë kundër Kosovës, Limaj thotë se Serbia dëshmoi edhe njëherë se nuk është për paqe e stabilitet në rajon.

 “Shpallja si fitore e Serbisë për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol shpërfaq edhe njëherë qartë së udhëheqja shtetërorë serbe as nuk ka qenë dhe as nuk është për paqe, stabilitet, normalizim e bashkëpunim në rajon”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Limajt.

E humbja e kësaj beteje për Kosovën e ka shtyrë shefin e GP të PDK-së, Memli Krasniqin, që të dal me një kërkesë për rritjen e taksës prej 10 përqind në 25 përqind për produktet e Serbisë që hyjnë në Kosovë.  Kjo pasi sipas tij, Serbia nuk ka lënë hapësirë mirëkuptimi me Kosovën.

Krasniqi: Taksa prej 10 përqind të rritet në 25 përqind

“Ta rrisni taksën, ne nuk mundemi realisht të rrimë duar kryq kundër kësaj sjellje absolutisht armiqësore të Serbisë në kuptimin e luftimit të Kosovës në çdo hap, në arenën ndërkombëtare dhe mendoj që ne duhet të ndërmarrim veprime konkrete. Besoj që së paku taksa prej 10 për qind duhet të rritet në 25 për qind, nëse jo edhe më shumë”, thotë  Krasniqi.

Shefi i GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se krahas fushatës së dëmshme të Serbisë, dëm më të madh në këtë proces paraqiti diplomacia e dobët e Kosovës. Ai tha se tha se përgjegjës kryesorë të humbjes së betejës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, janë ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe presidenti, Hashim Thaçi.

Sipas tij, Qeveria e pakicës nuk ka as vullnet dhe as dituri për të çuar përpara agjendën e konsolidimit të shtetësisë të Kosovës përpara”, teksa ka shtuar se diplomacia e dobët e Kosovës ka qenë dëmi më i madh në këtë proces.

Hoti: Diplomacia e dobët e Kosovës ka bërë që ta kemi këtë rezultat

“(Mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL) Është zhgënjim i madh për shtetin e Kosovës dhe është goditje për sigurinë dhe paqen në Ballkan dhe më gjerë. Policia e Kosovës dhe institucionet e Kosovës i kanë plotësuar të gjitha standardet... Është punuar shumë edhe në disa Qeveri paraprake për të ardhë deri këtu. Është zhgënjim shumë i madh që nuk kemi arritur të bëhemi anëtar të kësaj organizate. Një diplomaci e vrazhdë, e egër e Serbisë, ka penguar në këtë proces, por edhe një diplomaci shumë e dobët, e pa qartë, e pa krye e Kosovës, një mos koordinim i kësaj diplomacie me ndërkombëtare ka bërë që të kemi këtë rezultat”, u shpreh Hoti.

Ndërsa përgjegjësi dhe llogaridhënie nga përgjegjësit institucional në këtë proces ka kërkuar shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Ai kujtoi edhe dështimin e Kosovës në procese të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare  në UNESCO, dhe organizata të tjera, ndërkohë që sipas tij, askush nuk ka dhënë llogari për këto dështime.

Konjufca: Politika institucionale e Kosovës të jap llogari për këtë dështim

“Politika institucionale e Kosovës, ata që janë krerë të Kosovës, definitivisht duhet të marrin përgjegjësinë për këtë që ndodhi sot. Sepse është shumë kollaj të fshihesh dhe t’i akuzosh të tjerët. P.sh. Serbia ka bërë kundërfushatë. Për në nuk është befasi që Serbia ka bërë fushatë kundër Kosovës, këtë e dimë të gjithë por është dashur të ishim më të përgatitur që ta fitonim këtë betejë. Pra, nuk mundesh me thënë që e humbëm betejën dhe tash me vazhdu njëjtë sepse fajin e ka Serbia. Jemi lodhë duke e fajësuar Serbinë për punë një pjesë e të cilave është përgjegjësi e institucioneve të Kosovë”, tha Konjufca.

Sipas tij, do të kishte qenë më mirë sikur krerët shtetëror të kishin pranuar se këtë vit Kosova i ka gjasat e vogla për tu anëtarësuar në INTERPOL,, në mënyrë që të gjindej një alternativë tjetër, ndoshta edhe duke mos kandiduar fare këtë vit.

Ndërsa Dardan Sejdiu nga PSD, tha se anëtarësimi në Interpol nuk është punë e lobimit tre ditor apo punë e vizitës së një ministri apo presidenti në vendin ku votohet.

Sipas tij, në këso raste duhet të punohet me vite të tëra që të ketë sukses.

Sejdiu: Qasja ‘ad-hoc’ po na kthehet gjithmonë fytyrës

“Kjo qasja ‘ad-hoc’që e kemi karshi temave si këto po na kthehet gjithherë fytyrës. Pra, duhet me e trajtu vendin në mënyrë serioze. Përderisa nuk e trajtojmë vendin tonë në mënyrë serioze, as të tjerët nuk na trajtojnë seriozisht. Dhe, mendoj që njëra prej sfidave kryesore që i kemi si elitë politike, si vend, si qytetarë, është që me e marr shtetin seriozisht dhe me u angazhu për çdo betejë, çfarëdo qoftë ajo, qoftë për INTERPOL, qoftë ajo edhe kënga në Eurovision. Nuk ndërtohet as shteti, as republika, as nuk bëhen anëtarësimet nëse jemi gjithmonë në këtë modusin e operimi kritikues e vëzhgues. Pra, kritikues ne që nuk jemi në pushteti vëzhgues duke shpresuar që miqtë tanë ndërkombëtarë e kryejnë punën e ne i marrim pikët”, tha Sejdiu.

Ai thotë se puna kryesore e institucioneve vendore duhet të jetë forcimi i shtetit në aspektin ekonomik dhe ligjor.

Sot Kosova ishte shteti i vetëm në agjendën për anëtarësim që dështoi t’i bashkohej organizatës policore, pasi Kiribati dhe Vanuatu u pranuan në INTERPOL.

Para dy vitesh Kosova ishte tërhequr nga gara për t’u bërë anëtare e INTERPOL-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat