Pas vendimit të qeverisë për rritje të taksës reagon edhe Faton Topalli

Aktuale

Pas vendimit të qeverisë për rritje të taksës reagon edhe Faton Topalli

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 16:37
Faton Topalli

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës nga 10 në 100 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia, e ka mirëpritur edhe Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli.

Topalli në një bisedë për media ka thënë se meqenëse Serbia po vazhdon ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme, si kjo e fundit në Interpol, vendimi për rritje të taksës duhet të mbështet.

Sipas tij parimi i reciprocitetit është një prej parimeve themelore të ndërtimit të marrëdhënieve, qofshin ato miqësore, qofshin jo miqësore.

“Serbia ka penguar dhe bllokuar publikisht anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Rasti i fundit është ai i anëtarësimit në Interpol. Shikuar ne këtë prizëm vendimi i qeverisë, për mendimin tim, është i drejtë dhe duhet të përshëndetet e mbështetet”, ka deklaruar Topalli.

Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës për 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia, në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Qeveria e Kosovës e ndryshoi vendimin e 6 nëntorit te Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila vendosi masë mbrojtëse 10% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe obligohen institucionet ta zbatojnë menjëherë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj pas aprovimit të vendimit në qeveri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat