Prokurori tregon si ndodhi aksidenti me 4 të vdekur në Mramor

Aktuale

Prokurori tregon si ndodhi aksidenti me 4 të vdekur në Mramor

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 22:36
Foto ilustrim

Blerim Igrishta, prokurori në rastin e aksidentit të tre veturave ku mbetën të vdekur katër persona e u lënduan disa të tjerë, ka treguar me detaje mënyrën se si ka ndodhur aksidenti sipas ekspertëve dhe të dhënave që ka grumbulluar Prokuroria.

“Dua të sqaroj për opinion se në aksident nuk ka qenë e përfshirë eskorta e Ambasadës por ka qenë e përfshirë një veturë e Ambasadës sepse kur themi eskortë nënkuptojmë më shumë vetura. Kanë qenë tri vetura të aksidentuara, ‘BMW’ e Ambasadës, një ‘Opel Corsa’ dhe një xhip ‘Audi’. Kemi vërejtur që vetura e Ambasadës ka qenë në drejtimin Gjilan-Prishtinë, ndërsa vetura ‘Opel Corsa’ ka qenë në drejtimin prej Prishtinës për në Gjilan. Kur ka arritur në vendin kritik sipas të gjitha gjasave ‘Opel Corsa’ ka hyrë në tejkalim, në zonën ku është e lejuar. Shpejtësia e lejuar ka qenë 80 kilometra në orë dhe ka qenë me vija të ndërprera. Shpejtësia e këtyre dy veturave ka qenë në suaza të normales, përveç e veturës ‘Audi’ e cila ka qenë diku 100 km në orë”, ka deklaruar Igrishta.

Më tej Igrishta ka shpjeguar se fillimisht është goditur vetura e Ambasadës nga vetura ‘Opel Corsa’ e cila ka dalë në shiritin e kundërt për tejkalim dhe është goditur në pjesën e majtë.

Sipas ekspertëve vetura e Ambasadës është ndalur në momentin e goditjes për shkak të shpejtësisë që llogaritet të ketë qenë diku 53 deri në 60 km në orë edhe peshës që vetura ‘BMW’ e ka pasur.

“Ndërsa vetura ‘Opel Corsa’ ka lëvizur nga ana e djathtë dhe është larguar prej rrugës për shkak të goditjes. Mandej ka ardhur xhipi ‘Audi’ dhe e ka goditur veturën e Ambasadës në anën e majtë, te goma e anës së majtë, ia ka shkëputur gomën edhe e ka marrë me veti edhe e ka shty diku 45-46 metra, edhe nga goditja e pësuar, vetura e Ambasadës është rrotulluar në anën e djathtë, aty dyshohet se edhe kanë pësuar lëndime pasagjerët e veturës së Ambasadës ndërsa për fat të keq në veturën ‘Opel Corsa’ kemi katër viktima, dhe është një person i lënduar, pasagjeri në veturën xhip ‘Audi’”, ka rrëfyer Igrishta.

Prokurori ka thënë se nuk do të ketë trajtim ndryshe për këdo që del se ka qenë shkaktar i këtij aksidenti.

Sipas tij pikërisht për shkak të ndjeshmërisë të rastit kanë caktuar 3 ekspertë për aksidentin nga 1 sa e caktojnë zakonisht.

“Unë si prokuror ju kam drejtuar shtetit turk që nga vetura e markës ‘BMW’ të merret GPS-i i veturës që ka qenë në lëvizje në atë kohë që na e vërtetojnë saktësisht shpejtësinë. Ekspertiza është e gatshme mirëpo ne nuk po dojmë me dalë me ekspertizë pa e pasur edhe provën që është shumë e besueshme. Sa i përket alkool testit, nuk i kemi ende raportet mjekësore”, ka thënë Igrishta./kallxo.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat