Tahiri : Votimi i të premtes - jetik për reformat në drejtësi

Aktuale

Tahiri : Votimi i të premtes - jetik për reformat në drejtësi

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 12:19
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri konsideron se miratimi i projektligjeve që janë në rend të ditës në seancën e të premtes në Kuvendin e Kosovës, është hap i rëndësishëm për fuqizimin e sundimit të ligjit, që do të reflektohet në konsolidimin e sistemit dhe përmbylljen e kapitullit për liberalizimin e vizave.

“Miratimi përfundimtar i projektligjeve si Projekt Kodi Penal, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale si dhe projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, shënon një shkëputje të rëndësishme në avancimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor, duke krijuar një rrethanë të re dhe të domosdoshme që do të prodhojë efekte të menjëhershme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe do të adresojë përgjegjësinë e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit konform normave më të larta të cilësisë, llogaridhënies dhe integritetit” thekson ministri Tahiri.

Ministri Tahiri fton deputetët që në seancën e radhës të miratojnë edhe Pakon e Ligjeve të Gjyqësorit dhe atyre që ndërlidhen me avancimin e qasjes në drejtësi, siç është ai për Trashëgiminë dhe Noterinë.

“Konsideroj se me miratimin e këtyre projektligjeve dhe hyrjen e tyre në fuqi, Republika e Kosovës dëshmohet si lider në rajon në gatishmërinë e plotë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin dhe përgjegjësitë publike”, ka thënë ai.

Në seancën e Kuvendit që do të mbahet të premten, në rend dite për miratim përfundimtar janë 9 projektligje, të cilat janë produkt i agjendës legjislative të Ministrisë së Drejtësisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat