Ngritja e taksës doganore, Bosnja nuk do të ndërmarrë kundërmasa ndaj Kosovës

Aktuale

Ngritja e taksës doganore, Bosnja nuk do të ndërmarrë kundërmasa ndaj Kosovës

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 16:24
Mirko Sharoviq

Bosnja dhe Hercegovina nuk do të ndërmarrë kundërmasa ndaj Kosovës për shkak të ngritjes së taksës doganore të mallrave prej 100 për qind, por kërkon që Prishtina zyrtare të heqë sa më parë masat e ndërmarra.

Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të BeH Mirko Sharoviq, sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Sarajevë, kërkoi që Kosova të heqë masat, siç u shpreh ai, diskriminuese.

"Këshilli i Ministrave miratoi dy konkluzione, i pari ka të bëjë me vendimin e palës kosovare që është në kundërshtim me CEFTA-n dhe i kërkojmë Kosovës që menjëherë të shfuqizojë këto masa diskriminuese. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave i ka kërkuar Komisionit Evropian që të bashkohet me këtë një problem që kërcënon të prishë zonën e tregtisë së lirë të CEFTA dhe të kërkojë nga Prishtina heqjen e këtyre masave ", tha Sharoviq. 

Ai theksoi se Komisionari i Zgjerimit të BE dhe Politikës së Jashtme Johannes Hahn ka kërkuar heqjen e masave të Kosovës. Sharoviq beson se BeH nuk ka provokuar një reagim të tillë dhe nuk ishte informuar apo konsultuar me rastin e marrjes së vendimit të Prishtinës.

"Është evidente që masat ekonomike kanë edhe arsye jo ekonomike, dhe kjo është e qartë nga shpjegimi i Kosovës. BeH nuk konsideron kundërmasat, sepse duam t'i japim rastin palës kosovare dhe Komisionit Evropian të zgjidhë rastin në një mënyrë tjetër", tha Sharoviq.

Ai theksoi se hapi i Kosovës për ngritjen e taksave doganore ndaj mallrave serbe dhe boshnjake  ishte "shkelja më serioze e marrëveshjes CEFTA në 12 vjetët e fundit”.

"CEFTA është absolutisht e tronditur dhe ngritet çështja e statusit të asaj marrëveshje. Ai mund të vijë në pyetje nëse kjo nuk zgjidhet", përfundoi Sharoviq. Qeveria e Kosovës dje vendoi ngritjen e taksës doganore ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga dhjetë në 100 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat