Detajet se çka ndodhi me votat për Kosovën në INTERPOL

Aktuale

Detajet se çka ndodhi me votat për Kosovën në INTERPOL

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 18:46
Interpol

Edhe pse ishin caktuar datat 18-21 nëntor data zyrtare kur do të mbahej Asambleja e Përgjithshme e organizatës ndërkombëtare policore në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, aty pak ditë më parë kishin udhëtuar edhe delegacioni teknik i Kosovës, por edhe delegacioni nga Beogradi që po shantazhonte në vazhdimësi punën e institucioneve të Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, e cila lufton krimin, korrupsionin etj.

Kosova tashmë kishte marrë disa sinjale si do të shkojë votimi dhe sa vota do të ishin të favor të saj. Ajo që tashmë dihej ishtes se disa shtete të Bashkimit Evropian do të votonin kundër, sikurse Qipro, Spanja… Mirëpo, nuk pritej qëndrim kundër dhe i hapur nga Greqia e Rumania, gjë që ndodhi.

Befasues ishte edhe abstenimi i Hungarisë dhe votat kundër nga ana e shteteve si: Gjeorgjia e Moldavia.

Por, ajo që dihej ishte se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të ishin kundër, e Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia e Shqipëria pro Kosovës.

Ndërsa, krejt çfarë ndodhi në momentet e fundit, ishte befasuese edhe për delegacionin e Kosovës.

Pas presioneve e lobimit shumë të ashpër të Serbisë në shtetet e ndryshme e me mënyra të ndryshme, bëri që edhe disa shtete që kishin qëndrim pro Kosovës, në momentet e fundit të ndryshojnë qasje.

Japonia edhe pse e ka pranuar Kosovën shtet, sikurse në rastin e UNESCO-s edhe kësaj radhe ka abstenuar, e madje as shteti nikoqir i kësaj asambleje, Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë votuar pro Kosovës, por kanë abstenuar.

Këto dy shtete krahas Hungarisë dhe disa shteteve të tjera që ndryshuan qëndrim në momentet e fundit, demonstruan haptas dobësinë e diplomacisë së Kosovës për “betonimin” e votës pro Kosovës, shkruan Telegrafi.

Media mëson se delegacioni nga Kosova kishte marrë sinjale nga disa shtete, sikurse Sudani, Malajzia e shtete të tjera se do të votonin në favor të Kosovës, por që në fund ndodhi e kundërta, përderisa edhe disa vende nga Amerika Jugore, pas presionit dhe lobimit nga ana e palës serbe, kishin rrëshqitur nga konfirmimi i votës pro në kundër.

Sipas këtyre burimeve, pala serbe që nga fillimi kishte filluar të shpërndante dezinformata brenda dhe jashtë sallës ku mbahej Asambleja, kundër Kosovës, duke shpërndarë fletushka dhe duke ofruar investime të ndryshme në këto vende.

Po ashtu, Kosova ka dështuar të mbajë kontakte të rregullta diplomatike me shtete të ndryshme, të cilat e kanë pranuar Kosovën shtet të pavarur dhe kur vinte puna të kontaktonin me shtete si: Peruja e Republika Dominikane, thjesht nuk kishin kontakte.

Kosova ka dështuar që të mbajë qëndrime, takime të rregullta e marrëdhënie diplomatike me këto shtete në vazhdimësi, e jo t’i kontaktojë vetëm atëherë kur duhet vota, thonë burimet.

Për shantazhet, presionet e shtetit serb kishin reaguar edhe liderët e politika kosovare, duke thënë se Serbia po bën fushatë të egër e të pamëshirshme kundër Kosovës.

Për këtë fushatë agresive serbe ishin dëshmitarë edhe delegacionet nga vendet evropiane të cilat ishin prezentë në Asamble të INTERPOL-it, kryeqytetet e të cilave ishin të njoftuara.

Madje, sipas burimeve nga punimet e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, kjo arrogancë e palës serbe kishte irrituar aq shumë disa shtete, sa që disa kishin thënë tekstualisht se “tanimë po e kuptojmë Kosovën se sa e vështirë është të kesh një fqinj si Serbia”, shkruan Telegrafi.

Image

Pas dështimit për anëtarësim në INTERPOL, institucionet e Kosovës kishin shprehur shqetësimin e thellë për këtë dhe për qasjen shantazhuese të shtetit serb karshi zyrtarëve të INTERPOL-it dhe disa delegacioneve të vendeve afrikane.

Ministria e Punëve të Jashtme përmes një kumtese për media ka dënuar “mësymjen e zyrtarëve të delegacionit të Serbisë në tentativën e tyre të korruptimit përmes mitos për disa nga zyrtarët pjesëmarrës të vendeve anëtare në Interpol”.

Derisa në raundin e parë rreth anëtarësimit të Kosovës kanë votuar pro 76 vende, 56 ishin kundër dhe 22 tjera kanë abstenuar (në total kanë votuar 154 vende), në raundin e dytë kanë votuar gjithsej 135 vende, nga të cilat 68 ishin pro, 51 kundër dhe 16 kanë abstenuar.

Kosova me këtë nuk ka arritur të marrë 2/3 e votave për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it.

Ndryshe nga Kosova, dy shtete tjera që ishin në rend dite po ashtu për anëtarësim, Kiribatu dhe Vanuatu arritën të bëhen anëtare të kësaj organizate policore.

Me këto dy anëtarësime, arrin në 194 numri i shteteve anëtare të Interpolit.

Zgjedhja e shefit të ri të INTERPOL-it

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe disa shtete tjera që ishin dhe janë përkrahëse të Kosovës në arenën ndërkombëtare gjatë kësaj Asambleje të Përgjithshme të INTERPOL-it kishin një temë shumë të rëndësishme, siç ishte zgjedhje e kreut të INTERPOL-it, ku po kandidonte kandidati rus, Alexander Prokopchuk.

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit një ditë pas, zgjodhi kandidatin nga Koreja e Jugut, Kim Jong-yang, në postin e presidentit. Ai do të vazhdojë mandatin e Meng Hongweit, deri në vitin 2020.

Me zgjedhjen e Kim Jong-yang president të INTERPOL-it, vendet anëtare të organizatës ndërkombëtare policore kanë refuzuar kandidatin rus, Alexander Prokopchuk, i cili shihej gjerësisht si pretendenti për të pasuar kinezin Meng Hongwein, i cili ishte raportuar për disa ditë “si i zhdukur” në vendlindjen e tij në Kinë, gjatë shtatorit.

Ndërkohë, më vonë, Pekini zyrtar informoi INTERPOL-in se ai kishte dhënë dorëheqjen pasi ishte akuzuar për ryshfet.

Media ditë më parë kishte raportuar, se kori diplomatik gjithnjë e në rritje kritikësh i bëri thirrje INTERPOL-it që të refuzonte kandidatin rus për të udhëhequr organizatën ndërkombëtare policore, për shkak të frikës se Moska do të abuzonte për të shënjestruar kundërshtarët politikë.

Këtë Kremlini e denoncoi si “ndërhyrje” në votim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat