Beriane Mustafa: Prokuroria duhet të hetojë SHIK-un për vrasjen e babait

Aktuale

Beriane Mustafa: Prokuroria duhet të hetojë SHIK-un për vrasjen e babait

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 13:17
Xhemajl Mustafa

Sot është përkujtuar 18 vjetori i vrasjes së veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Xhemajl Mustafa.

Homazhe për nder të vrasjes së Mustafës, janë bërë tek varri në vendlindjen e tij në fshatin Gllamnik të Podujevës.

E pakënaqur pse nuk janë zbuluar vrasësit e babait të saj është shprehur e bija e Xhemail Mustafës, Beriana.

Mustafa është shprehur mjaft e ashpër me institucionet e Kosovës, duke e cilësuar si dështim total të tyre.

Sipas saj, drejtësia  nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e këtij rasti. Mustafa, thekson se politika është ajo që e pengon zbardhjen e këtyre rasteve, duke thënë se Prokuroria e Kosovës duhet të hetojë Shërbimin Informativ të Kosovës dhe gjithë strukturën politike që dinë për këto vrasje.

Mustafa: Prokuroria duhet të hetoi SHIK-ut dhe komplet strukturën politike të Kosovës.

“Është dështim total i organeve të drejtësisë  mos me mbrri varg rasteve të vrasjeve drejtuar kryesisht aktivistëve të LDK-së mos zbulu asnjë i vetëm. Politika është ajo që po ndërhynë në këtë situatë, politika është ajo qe po e pengon këto vrasje, vetëm politikës duhet me iu drejtu... Prokuroria e Shtetit është ajo që duhet me hetu prej Shërbimit Informativ të Kosovës e krejt komplet strukturën politike të Kosovës qe fol se dinë për këto vrasje”, tha Mustafa.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, u shpreh se  duhet vazhdimisht të bëjnë presion organeve të drejtësisë që ky rast të zgjidhet. Sipas tij vazhdimisht në çdo përvjetor  po i përsërisin fjalët e veta, duke kërkuar drejtësi, sepse një gjë e tillë nuk po ndodhë. Veliu shtoi se askush nuk mund të jetë i qetë deri sa ky rast mos të zbardhet.

Veliu: Në çdo përvjetor po përkojmë drejtësi, shteti duhet të veproj në këtë rast

“Kujtojmë Xhemail Mustafën, ta përkujtojmë punën  dhe veprën e tij, sepse është njëri  ndër kontribuuesit më të mëdhenj për LDK-në dhe Kosovën. Fatkeqësisht dhe në këtë përvjetor, ne duhet të kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më shpejt të zbardhet rasti, sepse ne nuk po mund të jemi të qetë deri sa drejtësia ta thotë fjalën e vet. Në çdo përvjetor ne duam të kërkojmë një gjë ta tillë. Përfundimisht është mirë që organet e drejtësisë, shteti të veproj në këtë rast. Të zbardhet jo vetëm ky, por dhe raste të tjera që e kanë goditur LDK-në” tha Veliu.

Kurse, djali i Xhemail Mustafës, Besiani që njëkohësisht është dhe zëdhënësi i LDK-së, është shprehur se pa u zbardhur ky rast, nuk do të ketë drejtësi as për gjithë popullin e Kosovës. Sipas tij, në mënyrë që të çlirohemi nga krimi, këto vrasje politike duet të zbardhen sa më shpejt.

Mustafa: Pa u zbardhur ky rast nuk do të ketë drejtësi as për popullin e Kosovës.

“Pa u zbardhur rasti i  vrasjes së babit tim dhe gjithë atyre aktivistëve  dhe liderëve të tjerë të LDK-së, nuk do të ketë drejtësi vetëm për familjen tonë, por nuk do të ketë drejtësi as për tërë popullin e Kosovës, sepse fati i këtyre liderëve dhe fati i popullit të Kosovës janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Prandaj për të pasur drejtësi për popullin e Kosovës, për te pas drejtësi, rend dhe ligj per tërë Kosovën duhet fillimisht të ketë drejtësi për këto vrasje që ndodhën pas luftës, gjatë luftës... gjitha këto vrasje me karakter politik duhet të zbardhen sa më parë që të çlirohemi nga krimi”, tha Mustafa.

Xhemail Mustafa ka qenë njëri ndër veprimtarët e parë të LDK-së, bashkëpunëtor shumë i afërt me presidentin Rugova.

Familjarët dhe aktivistë të LDK-së gjithmonë kanë deklaruar se kjo vrasje dhe vrasje tjera të veprimtarëve të tyre janë bërë me qëllime politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat