Përkrahet nisma për komision hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala

Aktuale

Përkrahet nisma për komision hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 16:24
PTK dhe Vala

Deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka, ka kërkuar formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.

Zeka tha se ‘piramida e krimit’ është pikërisht mbi këtë institucion duke mos i përjashtuar edhe institucionet e tjera.

“I ftoj ata që janë në sallë dhe ata që nuk janë në sallë të krijohet një komision hetimor. Vetëm kontrata e lidhur e Valës dhe Z-Mobile është kontrata më shkatërrimtare e parasë publike të qytetarëve të Kosovës. Z-Mobile i ka marrë gjitha shërbimet e Postës, Valës në këtë rast, dhe e ka shkatërruar këtë institucion”, tha ai.

Zeka tha se më mirë do të kishte qenë që Vala të shitej për 100 dollarë pasi, sipas tij, nuk kishte investuar dhe financuar “grupe kriminale”.

“Mbi bazën e kësaj ne duhet ta hetojmë këtë institucion dhe raportin final ta publikojmë në Parlament të Kosovës. Besoj se çdo deputet që nuk ka interes të drejtpërdrejt në këtë institucion është i interesuar me hetu këtë institucion”, shtoi Zeka.

Dardan Sejdiu nga PSD tha se Kuvendi duhet t’i fusë në përdorim çdo ditë e më shumë komisionet parlamentare.

“E përkrahim dhe Visar Ymeri do të jetë pjesë e komisionit prej PSD-së”, tha Sejdiu.

E Muharrem Nitaj nga AAK ka kërkuar nga deputeti Zeka që të përmbahet nga gjykimet e tij.

“Në pjesën kur thuani se PTK e ka nisë piramidën e krimit nuk duhet të paragjykohet rezultati përfundimtar ende pa e nisur punën. E lus të përmbahet nga gjykimet e tij për situatën e krijuar. Le t’ia len komisionit hetimor ta bëjë punën e vet. Nga GP i AAK në këtë komision e propozojmë Shkumbin Demalijaj”, shtoi Nitaj, shkruan kallxo.

Edhe Hajdar Beqa kërkoi nga Zeka që mos të raportojë para se t’ia nisin punës. Ai ka propozuar dy anëtarë në këtë komision, Blerta Deliu Kodra dhe Bekim Haxhiu.

“Kërkoj nga zoti Zeka mos të raportojnë para se me ja nis punës. Është punë shumë konfidenciale dhe në fund të arrijmë me raport komplet”, tha Beqa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat