Limaj porosi Presidentit: Dialogu me Serbinë ka dështuar, ishte edhe i dëmshëm - Bota Sot
Limaj porosi Presidentit: Dialogu me Serbinë ka dështuar, ishte edhe i dëmshëm

Aktuale

Limaj porosi Presidentit: Dialogu me Serbinë ka dështuar, ishte edhe i dëmshëm

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 10:36
Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka theksuar se janë duke biseduar me partitë opozitare, për të ardhur deri te objektivi, që në dialogun me Serbinë të jenë të gjithë të përfshirë.

I pari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka obligim kushtetues për të krijuar delegacion dhe për të kërkuar nga Parlamenti për ta votuar, po këtë e kanë kërkuar për faktin që jenë të përfshirë të gjithë.

Limaj: Ne jemi ende në konsultim me partitë opozitare

“Ne jemi ende në konsultim me partitë opozitare duke biseduar, për të ardhur deri te ky qëllim, apo objektiv. A do ta arrijmë, ta shohim, por jemi vonuar shumë, po unë besoj që janë ditët e numëruara ku ne duhet t’i japim përgjigje se a do të kemi një delegacion shtetëror apo do të ketë një rrugë tjetër të zgjidhjes, dhe unë besoj se ditët në vijim do të keni përgjigje se çka do të bëhet me këtë delegacion”, ka thënë Limaj.

Ai ka shtuar se janë duke biseduar fuqishëm dhe po insistojnë që të jenë së bashku me opozitën, por nëse nuk arrihet ky qellim, atëherë do të japin një përgjigje, duke mos treguar se cila do të jetë kjo përgjigje.

Limaj i cili është emëruar nga Qeveria për të udhëhequr delegacionin e Kosovës për bisedime me Serbinë, ka thënë se dialogu shtatëvjeçar ka qenë plotësisht i dështuar.

Limaj: Epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia

“Unë besoj që jo vetëm që ka dështuar por ka qenë shumë i dëmshëm në shumë fusha dhe prandaj duhet një rishikim komplet të kësaj çështjeje, një pozicionim të Kosovës, delegacioni shtetëror duhet të ketë një objektivë dhe platformë të qartë se çka duhet të bisedohet dhe paraprakisht duhet të dijë se pse po futet në dialog. Gabimi më i madh është ai që ka ndodhur, jemi futur në dialog pa e ditur cakun dhe ne si një delegacion shtetëror kudo që do të shkojmë, unë nuk do të kisha pranuar të futem në dialog pa e ditur epilogun e dialogut. Epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, anëtarësimi i saj në BE, tjetër çfarë kuptimi ka si dialog”, ka thënë Limaj.

Zëvendëskryeministri Limaj ka folur edhe për padinë që Kosova duhet të ngrisë ndaj shtetit të Serbisë, për krimet që ka kryer në Kosovë, i cili ka thënë se ndaj Kosovës janë bërë shumë padrejtësi me këtë temë.

Limaj: Kosova s’ka pas mundësi as këtu në Kosovë t’i ngrisë kallëzimet penale

“Jo vetëm që nuk e ka paditur Kosova Serbinë, po Kosova s’ka pas mundësi as këtu në Kosovë t’i ngrisë kallëzimet penale, të fillojë hetime për krimet që janë bërë në Kosovë, pra me qindra kallëzime penale, dëshmi që qytetarët e Kosovës ua kanë drejtuar organeve të Kosovës dhe ato rrinë në sirtare për arsye që institucionet nuk kanë mundur t’i fillojnë procedurat për hetime. Kështu që tash është krijuar mundësia për një gjë të tillë. E dini ju që ka dhjetëra dëshmi të grave të dhunuara, të patrajtuara”, tha ai.

Duke folur për këtë temë, e cila nuk është trajtuar nga drejtësia në Kosovë, ai ka treguar se janë 30 kryetarë komunash, 30 komandantë të stacioneve të policisë serbe, të cilët drejtpërdrejt kanë marrë pjesë në pastrimin etnik të qytetarëve të Kosovës në 99-tën, dhe ende nuk ka asnjë procedim ndaj tyre.

Limaj: Janë 30 kryetarë komunash

“Janë 30 kryetarë komunash, 30 komandantë të stacioneve të policisë të cilët drejtpërdrejt kanë marrë pjesë në pastrimin etnik të qytetarëve të Kosovës në 99-tën. Edhe ende nuk ka asnjë procedim ndaj tyre. E dhjetëra e dhjetëra raste të tjera që institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë seriozisht këtë temë. Ata që nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë gjë, ata të cilët neglizhojnë, duhet të mos kenë vend në institucionet tona”, ka thënë Limaj.

Në lidhje me rishikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Limaj ka theksuar se komisionet shtetërore kanë kohë dy vite që ta bëjnë këtë dhe ka pohuar se tani janë të rëndësishme duart e profesionistëve të komisioneve përkatëse, për të shikuar pikat kontestuese.

Limaj: Komisioni ka afat dyvjeçar

“Tani janë të rëndësishme duart e profesionistëve të komisioneve përkatëse për të shkuar e rishkiuar dhe për të shikuar sidomos pikat kontestuese, atë që ne e kemi kontestuar për të verifikuar, a ka pasur apo nuk ka pasur gabime, dhe në fund presim që komisionet profesionale të na sjellë një raport rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Limaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...