Ndriçimi i rastit të dëbimit të shtetasve turq, mblidhet sërish komisioni - Bota Sot
Ndriçimi i rastit të dëbimit të shtetasve turq, mblidhet sërish komisioni

Aktuale

Ndriçimi i rastit të dëbimit të shtetasve turq, mblidhet sërish komisioni

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 07:16
Gjashtë shtetasve turq

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq pritet të mbajë sot mbledhjen e radhës në të cilën janë ftuar për intervistim krerët e lartë të shtetit të Kosovës.

Në mbledhjen e paraparë për ora 9.00, sipas rendit të ditës për intervistim do të jenë kryeministri Ramush Haradinaj, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Lulzim Ejupi dhe presidenti Hashim Thaçi. Ky i fundi gjendet në një vizitë në ShBA, ndërsa, kryeministri Haradinaj, do të jetë në orën 10:15, në Pejë, ku do të mbahet mbledhja e dy qeverive shqiptare.

Komisioni ka nisur punën në korrik dhe janë të mandatuar vetëm për katër muaj të kryejnë hetimet, që i bie deri më 15 dhjetor.

Policia e Kosovës  kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.

Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.

Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi. 

Në fund të muajit tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuar nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, pati deklaruar për media se ky komision dëshiron ta kuptojë të vërtetën se çfarë ndodhi ditën e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Ai nuk ka dashur të flasë në detaje, por ka shtuar se ka institucione të cilat nuk kanë dërguar të gjitha dokumentet që kanë në dispozicion lidhur me rastin.

Ndryshe,  deri më tani janë intervistuar tre zyrtarë policorë të aeroportit, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...