Përplasen pozitë e opozitë rreth mungesës së Thaçit e Haradinaj në komisionin për shtetasit turq

Aktuale

Përplasen pozitë e opozitë rreth mungesës së Thaçit e Haradinaj në komisionin për shtetasit turq

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 10:00
Mbledhja e komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq

(E plotësuar) - Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar, për hetimin e dëbimit të gjashtë turqve që ishte paraparë të mbahej sot ka dështuar.

 Ky dështim ka ardhur pas kërkesës së deputetëve nga koalicioni qeverisës që nga rendi i ditës të hiqet raportimi i presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, kërkesë që u kundërshtua nga deputetët e opozitës, e që bëri që të këtë përplasje mes tyre.

Presidenti i vendit aktualisht gjendjet në një udhëtim zyrtar në ShBA, kurse kryeministri Ramush Haradinaj në kohën kur mbahej komisioni ishte në Pejë, aty ku po mbahej mbledhja e dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.

Paraprakisht kryeministri, kishte lajmëruar komisionin se nuk do të merr pjesë ndërsa nga presidenti nuk kishte asnjë njoftim.

Ishte deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, ajo e cila kërkoi që nga rendi i ditës të hiqet raportimi i krerëve të shtetit, pasi që asnjëri nuk ishte në Prishtinë.

Musliu: Nuk dua të votoj në këtë mënyrë siç e ka propozuar kryetari rendin e ditës

“Nuk mundesh në mënyrë diktatoriale me na e imponua një rend ditës të cilin e din paraprakisht që nuk mund ta realizosh, unë thjesht nuk dua ta qoj dorën vetëm sa për sy e faqe dhe sa të them që po bëjë diçka. Nëse ti më bind që ma sjell presidentin dhe kryeministrin sot këtu në intervistë unë do ta qoj dorën për, përndryshe absolutisht nuk dua ta qes në rend të ditës, nuk dua të votoj në këtë mënyrë siç e ka propozuar kryetari rendin e ditës”, tha ajo.

Por, kryetari i këtij komisioni Xhelal Sveçla, u shpreh se ftesat ishin dërguar me kohë dhe që do të ishte mirë që të diskutohen përgjigjet që kanë marrë nga dy krerët e shtetit.

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, potencoi se do të ishte mirë që të trajtohen përgjigjet që kanë marrë. Madje, ai tha se nuk është e tyre që të arsyetojnë mungesën e askujt.

Selmanaj: Nuk është e jona këtu që ta arsyetojmë mungesën e askujt

“E dimë të gjithë që në Kosovë pushtetet janë të ndara, ne jemi Parlament, Qeveria i ka punët e veta, presidenti i ka punët e veta. Ne duhet ta miratojmë rendin e ditës kështu siç është dhe t’i trajtojmë përgjigjet që i kemi marrë zyrtarisht, nuk do të thotë kjo që nuk i mirëkuptojmë. Por, nuk është e jona këtu që ta arsyetojmë mungesën e askujt, po përgjigjet t’i diskutojmë ashtu siç na kanë ardhur zyrtarisht si institucion. Ne duhet ta miratojmë këtë rend të ditës dhe më pas të trajtojmë përgjigjet e tyre dhe vendosin si komision, nuk mundemi ne nëse nuk kemi përgjigje zyrtare nga ta t’i japim arsyetim ne sepse ne kemi pushtet tjetër”, tha Selmanaj.

Për këtë ka reaguar deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili ka thënë se komisioni duhet t’i kërkojë falje kryeministrit,që përkundër përgjigjes që ka dhënë se nuk do të jetë në këtë komision, përsëri është futur në rend të ditës.

Nitaj: Ky komision kryeministrit t’i kërkojë falje pse ka vendosur ta ftojë në intervistë sot

“Unë mendoj që ky komision kryeministrit t’i kërkojë falje pse ka vendosur ta ftojë në intervistë sot në kohën kur ai e ka pasur të caktuar mbledhjen e dy Qeverive përpara tre muajve. Në këtë sens është e vërtet që pushtetet janë të ndara, por punët duhet të bëhen me kujdes dhe personi duhet me u thirre në intervistë në kohën kur ai ka mundësi, e jo në ditën kur ai e ka mbledhjen e dy Qeverive.  Sepse është pak tendencioze me i thënë mbylle atë mbledhje hajde këtu në komision”, u shpreh ai.

Ai tha se është e pakuptimtë që edhe pse është ditur se në këtë mbledhje nuk do të jetë kryeministri i Kosovës, prapë të jetë në rend të ditës. Sipas tij, kjo është bërë vetëm që të thuhet se kryeministri nuk erdhi në mbledhje.

Komisioni ka rrëzuar kërkesën e deputetes së PDK-së Ganimete Musliut, për të hequr nga rendi i ditës raportimin e Thaçit e Haradinaj.

Më pastaj, në shenjë proteste deputetja Ganimete Musliu e edhe deputeti Muharrem Nitaj e kanë lëshuar mbledhjen.

Mbledhja është shtyrë pas një përplasje që ka ndodhur në mes kryetarit të komisionit Xhelal Sveçla dhe deputetit të PDK-së Hajdar Beqa. Ky i fundit ka akuzuar kryetarin e komisionit se po ndjek agjendë të tjetërkujt dhe jo të komisionit.

Beqa: Agjendë të dikujt tjetër po më doket që je tu e krye

“A bën Xhelal se je duke filozofuar shumë, nuk është mandati yt me filozofua o Xhelal, po të them shumë seriozisht. Nëse dëshirojmë të kryejmë këtë punë të komisionit deri në fund hajde ta gjejmë një harmonizim të qëndrimeve, nëse dëshiron të jesh pa raport na mbaroj mandati, se me ligj na tre muaj kemi mandat. Më mirë është me e krye punën tonë ose ne po e lëshojmë mbledhjen edhe atëherë duhet me u takua me u marrë vesh komisioni mes vete. Nuk po të shoh që je i interesuar me krye punën, po shoh që ke agjendë të dikujt tjetër po më doket që je tu e krye, vetëm të komisionit jo. Shumë është e thjeshtë kërkesa e Ganimetës”, deklaroi ai.

Menjëherë i është përgjigjur kryetari i komisionit Xhelal Sveçla.

Sveçla- Beqa: Agjendën e kujt jam duke e kryer se është akuzë

“Agjendën e kujt jam duke e kryer se është akuzë që. Atëherë a ki kuorum për rend të ditës. Jo. Atëherë çka po bëjmë, ne po kërkojmë hajde të harmonizohemi ta kryejmë takimin. Që një orë je duke filozofuar, duke na treguar përralla këtu, është propozim konkret, nuk kemi vota për rend të ditës Ganimetja e ka marrë tri herë fjalën, Muharremi e ka marrë tri herë fjalën, ti dy herë e unë po filozofoj. Na mbyte vallahin. Me qenë duke e udhëhequr unë mbledhjen unë nuk e bi në këtë situatë, po gjej kompromis me anëtarë të komisionit. Unë jam shumë i qartë. Sami nuk ka mbledhje që edhe ti nuk po filozofon, ti krejt diçka tjetër the, krejt tjetër gjë votove. Xhelal është e thjeshtë, ki propozim e qetë në rend të ditës kalon ose nuk kalon. Nëse dëshiron të kaloj duhet me gjet kompromis, nëse nuk dëshiron të kaloj atëherë nuk ka kompromis shkojmë me filozofi”, debatuan ata.

Debati mes tyre ka vazhduar edhe rreth asaj se kush është fajtor që mbledhja e komisionit dështoi.

Beqa- Sveçla: Ne kemi mundur me mbajt mbledhjen sot po ju po i sabotoni punën e komisionit

“Unë si kryesues e shtyj mbledhjen për një datë të radhës, ditën e mirë Hajdar. Më mirë kemi mundur me mbajt mbledhjen sot me sekretarin sesa me shty mbledhjen. Tash ju nuk po doni, Hajdar. Ne kemi mundur me mbajt mbledhjen sot po ju po i sabotoni punën e komisionit, se ne kemi mundur të mbajmë mbledhjen sot me një plotësim ndryshim teknik në rend të ditës. Ne deshëm po ju nuk deshët, se ne thamë po e mbajmë mbledhjen. Edhe me u tranu sot nuk mundemi me pas as presidentin as kryeministrin. Hajdar a po pyet ti si anëtar i komisionit a të ka lajmëruar presidenti që jam këtu apo nuk jam, unë duhet me lexua në telefon ku është presidenti. Ne jemi deputet, agjendat e presidentit dhe të kryeministrit kanë qenë publike që një muaj. Xhelali po e pengon. Valla Sami a të kanë dërguar ty a mu për këtë punë nuk e di”.

Në debat është përfshirë edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes Sami Kurteshi.

Kurteshi: E pengoni, po përsëri raporti ka me dal

“Hajt se e pengoni, po përsëri raporti ka me dal, hiç nuk ka problem, tregoni veç ku e keni frikën, mos u bëni merak”, tha ai.

Krejt në fund pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i komisionit Xhelal Sveçla, për media ka thënë se kërkesa e deputetëve të pozitës ka qenë e paarsyeshme. Madje, ai ka akuzuar se ata në vazhdimësi po tentojnë të pengojnë punën e komisionit.

Sveçla: Kësaj radhe ishte në mënyrë publike

“Obstruksionit plotësisht të paarsyeshëm të pozitës drejtuar punës së këtij komisioni, kjo po ndodh në vazhdimësi, vetëm se për dallim prej herave të tjera kësaj radhe ishte në mënyrë publike. Unë si kryesues i këtij komisioni e vlerësoj plotësisht të palogjikshme kërkesën e tyre që ne të paramendojmë apo ne të hulumtojmë për informata se ku personat të cilët komisioni i thërret për dëshmi ndodhen ata momentalisht. Ekzistojnë procedura të qarta ligjore që përcaktojnë mënyrën e komunikimit të institucioneve mes vete dhe ato procedura duhet të zbatohen në përpikëri”, u shpreh ai.

Sveçla deklaroi se kryeministri kishte dërguar një përgjigje që nuk do të merrte pjesë në komision, ndërsa nga Presidenca nuk kishte marrë asnjë njoftim.

Sa i përket punës së këtij komisioni, ai tha se janë në rrugë të mbarë për ndriçimin e këtij rasti, por që sipas tij puna po vështirësohej për shkak të pengesave që po bëheshin.

Në këtë mbledhje përveç presidentit dhe kryeministrit ishte paraparë që të raportonte edhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Lulzim Ejupi.

Kujtojmë se 6 shtetas turq ishin dëbuar nga Kosova me 29 mars të këtij viti, dhe për këtë rast Komisioni Hetimor deri më tani ka intervistuar disa persona.

***

Mbledhja e komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq ka dështuar të mbahet pasi që deputetët anëtarë të këtij komisioni nuk kanë arritur të dakordohen rreth rendit të ditës.

Në rend të ditës në këtë komision ka qenë raportimi i presidentit dhe kryeministrit të Kosovës.

 Deputetja e PDK, Ganimete Musliu, ka kërkuar që të hiqen raportimi i presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

 "Tek intervistimi duhet të bëhet një ndryshim, pasi kryeministri dhe presidenti nuk janë këtu. Presidenti është në SHBA dhe kryeministri është në mbledhje të dy qeverive në Pejë", tha Musliu.

Edhe deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, pati një kerkesë të tillë.

"Besoj që kemi gabuar nuk e kemi menduar i heqim këta dy kandidatë  dhe e lënë vetëm sekretarin", tha Nitaj.

Megjithatë deputetët e partive opozitare ishin që të mos largoheshin nga rendi i ditës dhe të diskutoheshin përgjigjet që kanë marrë.

Driton Selmanaj, i LDK, tha se duhet të diskutohen përgjigjet nga presidenti dhe kryeministri.

 "Ne duhet ta miratojmë rendin e ditës kështu sic është, t’i trajtojmë përgjigjet që kemi marrë. Nuk mundemi ne t’i japim arsyetimet", tha ai.

Deputeti i AAK-së  Muharrem Nitaj tha Komisioni do të duhej t’i kërkonte falje kryeministrit që e ka ftuar të raportojë sot kur e ka pasur të paracaktuar një ngjarje që tre muaj.

“Është tendencioze t’i themi mbylle atë mbledhje dhe eja këtu", tha ai.

 Kurse deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se po bëhet vetëm kinse po punohet.

"Mos të bëjmë vetëm këtu  kishe po punojmë. Konsideroj se duhet të hiqet presidenti dhe kryeministri nga rendi i ditës", tha Beqa.

Ndërsa deputeti Nitaj e ka velrësuar shumë qesharake që për një gjë që është  e ditur të votohet në komisionin.

“Ju e keni ditur se kryeministri ka mbledhjen e dy qeverive dhe e dini që nuk mund të jetë në të njëjtën kohë në dy vende”, tha Nitaj.

 Kryetari i komisionit Xhelal Sveçla, tha se kryeministri ka treguar se nuk di të jetë, ndërsa nga presidenti nuk kanë marrë njoftim.

 "Është e papranueshme që komisioni me i kërku falje dikujt për dicka ligjore. Ne në mbledhjen e ardhshme do ta ftojmë prapë kryeministrin. Kemi dërguar kërkesën na ka ardhë njoftimi, te tjetri kemi dërguar njoftimin nuk kemi marrë asgjë", tha Sveçla.

 Për këtë reagoi deputeti i AAK-së  Muharrem Nitaj.

"Nëse ju e keni marrë një përgjigje nga kryeministri se nuk do të jetë këtu, pse e keni lënë në rend të ditës", tha ai.

Përplasje me fjalë ka pasur edhe në mes deputetit të PDK Hajdar Beqa me kryetarin e komisionit Xhelal Sveçla e deputetin Sami Kurteshi.

Deputetja e PDK Ganimete Musliu dhe ai i AAK-së  Muharrem Nitaj e kanë lëshuar mbledhjen. Në fund nuk ka marrë vota as propozimi i deputetes Musliu.

Për rastin e tre shtetasve turq në raportim sot përveç presidentit dhe kryeministrit ishte i ftuar sekretari i MPB-së Lulzim Ejupi./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat