Parulla kundër Ramës, familjarët e Grupit të Kumanovës kërkojnë drejtësi për djemtë e tyre

Aktuale

Parulla kundër Ramës, familjarët e Grupit të Kumanovës kërkojnë drejtësi për djemtë e tyre

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 11:09
Pamje nga protesta

(E plotësuar) - Në ditën kur po zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, një grup qytetarësh kanë protestuar para vendit ku po mbahet takimi, duke kërkuar drejtësi për pjesëtarët e Grupit të Kumanovës.

Qytetarë, familjarë, miq të pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, me pankartat "Gruevski iku përmes Shqipërisë, ku mbetën djemtë e grupit të Kumanovës", kanë dalë sot në Pejë të shprehin pakënaqësitë e tyre për shkak të mbajtjes së familjarëve të tyre në burg.

Shyhrete Zekaj, nëna e Val Zekajt, i dënuar me burg të përjetshëm, kërkon drejtësi për djalin e saj.

Zekaj: Kërkoj drejtësi për djalin tim

"Kemi dal sot për kriminelët e shqiptarëve, Gruevskin, është krimineli më i madh i shqiptarëve. Për ata kemi dal. Bashkëpunim Shqipëria, Mali i Zi, po dihet tash. Po kërkojmë drejtësi për djalin tim, jo veç për djalin tim, po për të gjithë, po për të gjithë ata patriotë që janë aty", tha ajo.

Ndërsa, shoku i Val Zekajt, Driton Agusholli ka kërkuar sa më shpejt që qeveria të ndërmarrë masa.

Agusholli: Qeveria t’i lirojë sa më shpejt nga burgu

"Po kërkojmë nga qeveria të lirojë nga burgu sa më shpejt, të marrë masa edhe Qeveria e Shqipërisë, edhe e Kosovës", ka thënë ai.

Në grupin e qytetarëve të cilët kishin dalë për të kërkuar drejtësi ishte edhe Ismajl Qerimi, i cili për KosovaPress tha se dy qeveritë duhet ta respektojnë Kushtetutën.

Qerimi: Qeveritë ta respektojnë Kushtetutën

"Kemi dalë me kërkuar prej kryeministrit të Shqipërisë që të lexojnë Kushtetutën e vet, që të mbrojë të gjithë shqiptarët kudo që janë, edhe na po kërkojmë veç drejtësi, me dal e vërteta në shesh. Edhe drejtësia të triumfojë në fund. Tash që i kemi në apel procedurat me dal e vërteta. Kjo ka domethënie shumë të madhe se dy qeveritë po bëjnë marrëveshje për shqiptarët, për të mirën e shqiptarëve, atëherë le ta respektojnë kushtetutën ku shkruan me i mbrojt të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”, tha ai.

Ndërkohë, në qytetin e Pejës është duke u mbajtur mbledhja e dy qeverive, për nënshkrimin e marrëveshjeve të përbashkëta të tyre, ku ndër më kryesorja pritet të jetë ajo e lehtësirave për doganat.

***

Ka nisur në Pejë, ceremonia shtetërore e mirëseardhjes në Mbledhjen e Përbashkët të Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndërsa kryeministri Edi Rama i shfaqur tejet nervoz dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë takuar dhe kanë dëgjuar himnet kombëtare, në sfond shihen protestues me pankarta ku shkruhet “Gruevskin e ndihmuat, Val Zekën e tradhtuat”.

Ata janë familjarë të Grupit të Kumanovës, që kanë pritur mbështetje nga qeveria shqiptare. Parulla që spikat dukshëm dhe e ka shqetësuar Ramën vërehet pas shpinës së tij:  'Gruevski iku përmes Shqipërisë'.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat