Moskoordinimi mes hallkave të pushtetit, vonon emërimin e ambasadorëve të rinj

Aktuale

Moskoordinimi mes hallkave të pushtetit, vonon emërimin e ambasadorëve të rinj

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme ka paralajmëruar që nga muaji mars emërimin e ambasadorëve të karrierës dhe atyre politikë. Mirëpo, procesi i emërimit të ambasadorëve të rinj, ende nuk ka përfunduar.

Edhe pse mandati i disa ambasadorëve të Kosovës nëpër botë ka skaduar, ende nuk ka emërime të reja.

Ndryshimi i përfaqësuesve diplomatik nuk po bëhet për arsye të mospajtimeve në emrat e propozuar.

Në MPJ thonë se ky proces nuk ka ndonjë afat të caktuar dhe është duke vazhduar.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, ka thënë se procesi i emërimit të ambasadorëve kërkon koordinim mes disa hallkave të pushtetit.

“Është proces që kërkon koordinim mes disa hallkave të pushtetit, nuk varet vetëm nga ministria e Jashtme por duhet konsultim me Komision e Jashtëm, Presidencën edhe Qeverinë, është proces që është duke u zhvilluar në vazhdimësi”, ka deklaruar Zyberaj.

Emrat e fundit që janë emëruar ambasadorë të rinj janë; Lirim Grajçevci në Holandë, Gjergj Dedaj në Maqedoni, Beqë Cufaj në Gjermani dhe Arbër Vllahiu në Çeki.

Ndërsa gjatë javës së kaluar në Komisionin për Punë të Jashtme, është proceduar për dekretim te presidenti emri i Avni Arifit, për ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe. Arifi tani ushtron detyrën e këshilltarit të kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Ndërkohë partitë opozitare kanë akuzuar ato në pushtet për shkelje të ligjit për MPJ-në dhe Shërbimit Diplomatik pasi sipas tyre po e tejkalojnë kuotën prej 50 për qind me emërime politike të ambasadorëve.

Theksojmë se Republika e Kosovës ka gjithsej 26 ambasada jashtë vendit dhe dy zyra ndërlidhëse në Egjipt dhe në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat