Haradinaj: Iliri kthehet tek vendi ku u nis, ku u nis për lirinë e atdheut - Bota Sot
Haradinaj: Iliri kthehet tek vendi ku u nis, ku u nis për lirinë e atdheut

Aktuale

Haradinaj: Iliri kthehet tek vendi ku u nis, ku u nis për lirinë e atdheut

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 16:36
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar Gjeneral Major Ilir Konushevci, Hero i Kombit dhe Hazir Malaj, Dëshmor i Kombit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar Gjeneral Major Ilir Konushevci, Hero i Kombit dhe Hazir Malaj, Dëshmor i Kombit, e cila u mbajt nën patronatin e Kryeministrit Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast në një fjalë rasti tha se, sot është një ditë e ndjeshme për atdheun, kombin tonë, sepse u deshën 20 vjet që edhe njëherë të kujtohet rruga e vështirë deri në liri, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Kryeministri Haradinaj, fillimisht falënderoi familjen e Hazir Mala, që si në ditët e luftës, nuk e lanë Ilirin vet as sot, duke rënë dakord që familjari i tyre të pushojë në tokën shqiptare, në Kosovë, Prishtinë.

Po ashtu, një dëshirë e kuptuar drejtë e të gjithëve nga baca Halit, që Iliri të pushojë në Prishtinë, u vlerësua dhe u falënderua nga kryeministri Haradinaj.

“Në Prishtinë, ai kthehet tek vendi ku u nis, ku u nis për lirinë e atdheut, ku e filloi jo vetëm krijimin e idesë së luftës për liri, por fitoi besimin e besnikëve të atëhershëm të atyre që ishin të njohur në luftën për liri, të komandantit Zahir Pajaziti”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ata të cilët e kanë njohur Ilirin, e mbajnë mend për një djalë shumë të formuar, për një bashkëluftëtar të lehtë, që asnjëherë nuk nxori vështirësi në punë.

Po ashtu në njoftim thuhet se kryeministri duke vlerësuar lart figurën e Gjeneral Ilir Konushevci, tha se ka pasur nderin që edhe ai, edhe familja e tij dhe shumë bashkëluftëtarë, të jenë bashkë në atë kohë, të përgatitjes për luftë, sikurse u përjetua rëndë rënia e tij, por edhe e Hazirit.

“Dëshira ime është që porositë më të mira të veprës së Ilirit e të Hazirit, të jetojnë ndër breza, të jetojnë me fëmijët, me ata që do të rriten në Kosovën e lirë, që të gjithë ne të punojmë së bashku dhe të jemi të bashkuar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ashtu siç ishte e vështirë të arrihet deri te liria, poashtu është vështirë të ruhet ajo.

Kryeministri Haradinaj tha se forcimi i lirisë bëhet duke forcuar të gjitha ato shtylla të jetës, të cilat kanë një emër për Kosovën, janë institucionet, shteti, ushtria që mbron vendin dhe të gjithë ne që e duam atdheun.

“Sot, sado pak duhet të ndihemi të lehtësuar, sepse një borxh e përfunduam ndaj atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Për ata që kanë rënë për liri, përulem me respekt. Lavdi e përjetshme”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu në njoftim thuhet se në këtë Akademi kryeministri Haradinaj u ka ndarë dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, familjeve të Heroit të Kombit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, Dëshmor i Kombit.

Në këtë akademi, nga një fjalë rasti mbajtën edhe Rrustem Mustafa, në emër të bashkëluftëtarëve, Rifat Jashari nga Familja Jashari, Sabit Brokaj ish ministër i Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë derisa në emër të familjeve Konushevci dhe Malaj, ka folur Besim Malaj.

Pas homazheve dhe Akademisë, Kryeministri Haradinaj mori pjesë edhe në rivarrimin e Heroit të Kombit Gjeneral Major Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, Dëshmor i Kombit, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani e cila u bë me nderime të larta ushtarake.

Të gjitha këto aktivitete janë organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...