Foggo: Situata në Mitrovicë e paqetë, preferoj të kemi dialog paqësor

Aktuale

Foggo: Situata në Mitrovicë e paqetë, preferoj të kemi dialog paqësor

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 11:17
Pamje nga ceremonia

(E plotësuar) - Komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë Lorenzo D’addario me rastin e marrjes së udhëheqjes nga komandanti në largim i KFOR-it General Salvatore Coucci, ka thënë se për të ky është kthim, sepse ka qenë edhe më herët në Kosovë, në vitin 1999 dhe 2014.

D’addario ka folur lidhur me atë se si krijohet një mjedis i sigurt, dhe çka e krijon mundësinë e përparimit për gjeneratat e reja.

D’Addario: Kam nderin të shërbej në NATO

“Në veçanti e kam nderin të jem këtu, të shërbej në NATO, dhe në aleancë kam shërbyer disa herë  dhe më vjën shumë mirë që shërbej bashkë me 28 vendeanëtare të NATO-s, por gjithashtu më vjen mirë dhe kam nderim që shërbej në mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare ku së bashku me disa organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe me institucione të Kosovës, dhe vendet tjera partnere janë së bashku me vende të tjera në këtë përpjekje. Dua të nënvizoj se ajo që kam përzgjedhur sot është të bashkuar në angazhim  për shkak se mendoj se ajo çka kërkon një mjedis i sigurtë por edhe përparimi që duhet të jetë për gjeneratat e reja nevojitet angazhimi i të gjithëve që janë të interesuar në këtë gjë”, tha D’Addario.

Kurse, admirali i NATO-s, James Foggo, ka komentuar situatën e krijuar në veri pas vendosjes së taksës 100% nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Foggo: Situata në veri pak e paqetë, preferoj të kemi dialog paqësor

“Situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është pak e paqetë për shkak të zhvillimeve  të fundit në atë anë, e kuptoj hidhërimin të të gjithëve njerëzve që janë  të prekur nga kjo rritje e madhe e tarifave, gjithashtu po them se ka pasur disa protesta, dhe në një organizatë apo në një vend demokratik, ne po flasim për dy demokraci, po flasim për Kosovën edhe për Serbinë dhe kam mbetur gjithmonë i befasuar për të mirë që ata mund të protestojnë sepse kanë të drejtë, nëse ka protesta unë gjithmonë i kam inkurajuar që të jenë paqësore. Prandaj nuk është e nevojshme që t’i kemi aty kemi forcat e policisë së Kosovës, EULEX-in, apo edhe KFOR-in. Unë preferoj që të kemi dialog, një dialog paqësor, për këtë arsye e kemi edhe angazhimin aktiv të zyrtarëve, këto hidhërime këto frustrime duhet të jenë si rezultat i mënyrës së përzgjedhjes  apo mënyrës si i kanë zgjedhur zyrtarët e tyre”, tha ai.

Ai tutje u pyet lidhur me një pikë të rezolutës 1244, e cila parasheh kthimin epolicisë serbe në Kosovë për mbrojtjen e vendit.

Foggo ka thënë se nuk e sheh këtë moment si të përshtatshëm për të ndodhur diçka e tillë.

Foggo: KFOR-i është kogja i pranishëm në Kosovë

“Unë jam i familjarizuar me këtë pikë të veçantë të rezolutës 1244 që nga koha kur i mbronim edhe monumentet këtu, por nuk besoj se kjo do bëhet tani për shkak se kemi rreth 4 mijë pjesëtarë të KFOR-it që janë këtu përveç dhe qindra të tjerë që janë të EULEX-it që janë këtu për zbatim bashkë me Policinë e Kosovës, ne jemi këtu për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt edhe që siguria brenda territorit të Kosovës është në rregull dhe ne jemi me këmbë këtu, jemi kogja të pranishëm këtu”, tha ai.

Admirali i NATO-s: Procesi i shndërrimit të FSK-së në ushtri zgjat 10 vjet, dhe kjo është gjë e mirë

Përmes një ceremonie solemne është bërë ndërrimi i Komandës së KFOR-it, nga komandanti i deritanishëm, Salvatore Cuoci, te Lorenzo D’Addario.

Këtu u  vlerësua lart puna e KFOR-it në Republikën e Kosovës, dhe u tha se Kosova do të jetë gjithherë krah për krah me KFOR-in dhe NATO-n.

Ndërsa u dhanë porosi edhe për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri. Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke shprehur mirënjohje për punën e KFOR-it në Kosovë, vlerësoi lart kontributin e gjeneralit Cuocci, për të cilin tha se ka bërë një punë të shkëlqyeshme.

 Ai theksoi po ashtu se liria e Kosovës është një vlerë e përbashkët, vlerë e Kosovës dhe aleatëve të saj. Njëherësh, ai foli për thellim të partneritetit me KFOR-in dhe NATO.

Haradinaj: Gjithmonë krah për krah me KFOR-in dhe NATO-n

"Populli i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës janë përgjithmonë mirënjohës ndaj të gjithë burrave dhe grave që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në vendin tonë, duke mbështetur paqen, sigurinë dhe stabilitetin... Kosova do ta respektojë gjithmonë praninë e KFOR-it dhe NATO-s. Ne nuk planifikojmë të zëvendësojmë prezencën ushtarake të vendeve demokratike, dhe synojmë të forcojmë partneritetin... Ne gjithmonë do të jemi krah për krah me KFOR-in dhe NATO-n. Ne synojmë të anëtarësohemi në NATO dhe besoj se rajoni do të përfitojë nga rrugëtimi i të gjitha vendeve drejt NATO-s. Komandant i ri i KFOR-it, Gjeneral Lorenzo D’Addario ju do të keni gjithë angazhimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim, në bërjen e Kosovës dhe rajonit një ambient të qetë dhe të sigurt", tha ai.

E komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Salvatore Cuocci u shpreh i kënaqur me punën e kryer në Kosovë.

 Ai tha se ndjehet krenar për përparimin e arritur këtë vit, ku përkundër sfidave, sidomos në 12 muajt e fundit, siguria në vend është më e mirë se që ka qenë. Tutje, komandanti në largim tha se është jashtëzakonisht krenar që KFOR-i është institucioni më i besuar ndërkombëtar në Kosovë.

Image

Cuocci: Përkundër ngritjes së tensioneve të situatës së përgjithshme, siguria në Kosovë është dukshëm më e mirë se që ka qenë

"Këta 12 muajt e fundit kanë  qenë mjaft sfiduese, me disa ngjarje që mund të kishin penguar gjithë përparimin që është arritur më herët... Më vjen mirë që sot na janë bashkuar edhe disa përfaqësues të shteteve fqinje të Kosovës me të cilët kemi adresuar çështjet e sigurisë të zonës... Aktualisht, Forca e Kosovës mund të llogarisë në 4 mijë burra dhe gra të përkushtuara që vijnë nga 28 kombe kontribuuese... Fakti që sot KFOR-i ka rreth dhjetë herë më pak trupa se sa kishte para 19 viteve është thjesht një dëshmi e përparimit që ne e kemi arritur së bashku. Pa dyshim, mund të themi se përkundër ngritjes së tensioneve të situatës së përgjithshme, siguria në Kosovë është dukshëm më e mirë se që ka qenë, dhe po përmirësohet vazhdimisht", tha ai.

Gjenerali në largim vëmendje të posaçme iu kushtoi edhe raporteve të KFOR-it me Forcat e Armatosura të Serbisë.

Cuocci: Jam krenar për ngritjen e nivelit të raporteve me Forcat e Armatosura të Serbisë

"Jam posaçërisht krenar për përparimin e arritur këtë vit në ngritjen e nivelit të raporteve në mes të KFOR-it dhe Forcave e të Armatosura të Serbisë. Kjo rezultoi me rritjen e numrit të patrullave të përbashkët të KFOR-it të kryera në sinkronizim të plotë me Forcat e armatosura të Serbisë, duke krijuar kushte për siguri më të madhe përgjatë zonave të vijës administrative kufitare, si rezultat i komunikimit të shtuar dhe besimit reciprok", u shpreh Cuocci.

Ai përmendi si sukses të veçantë punëtorinë e organizuar nga KFOR-i, dedikuar prezantimit të perceptimeve të vendeve të ndryshme në lidhje me ekstremistët fetarë dhe luftëtarët e huaj. Punëtori kjo që sipas tij, ofroi një mundësi unike për të rritur vetëdijesimin mbi situatën në mënyrë që të zhvillohet një strategji e përbashkët për të trajtuar këtë dukuri.

Admirali i NATO-s, James Foggo, vlerësoi lart punën e Cuoccit në Kosovë, duke thënë se ky i fundit frymëzoi partneritet më të madh në të gjitha institucionet dhe organizatat partnere.

Ndërkaq, pas një historiku të KFOR-it, Foggo u ndal tek procesi i transformimit të Forcave të Sigurisë të Kosovës në ushtri, me ç'rast ftoi udhëheqësit e institucioneve që të mos nguten në këtë proces, pasi që sipas tij, të gjitha palët duhet të jenë të kënaqura.

Image

Foggo: Mos u ngutni me transformimin, të gjitha palët duhet të jenë të kënaqura

"Kam dëgjuar shumë diskutime gjatë vitit të fundit lidhur me çështjen e transformimit të FSK-së. Jashtë Kosovës, ky diskutim gjithmonë është mbajtur në aspektin e një kërkese për reformë kushtetuese . Unë nuk kam parë reformë kushtetuese në vitin 2018 për të mbështetur transformimin . Unë jam i vetëdijshëm për një dialog me palët e interesuara për këtë çështje, por jo të gjitha palët e interesuara. Burime të besueshme më kanë thënë se procesi mund të zgjasë dhjetë vjet dhe kjo nuk është një gjë e keqe. Do të ishte e mençur të mos nguteni dhe të keni kohë të nevojshme gjatë këtij procesi dhe të siguroheni që të gjitha palët të jenë të kënaqura me procesin e transformimit", tha Foggo.

Ndryshe, komandanti Salvatore Cuoci e kishte marrë komandën më 15 nëntor 2017.

Admirali Foggo kritikon Goran Rakiqin për dorëheqjen

Admirali James Foggo, ka hedhur kritika ndaj tashmë ish kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, i cili ka dhënë dorëheqje dje nga pozita e tij.

Foggo gjatë ceremonisë të ndërrimit të komandës së KFOR-it, ka kërkuar që në Mitrovicë të ndërtohen ura për prosperitetin e të gjithë popullit të Kosovës.

Ndërsa sa i përket transformimit të FSK-së në forca të armatosura, admirali Foggo ka thënë që kjo është diçka që kërkon reformë kushtetuese.

“Kjo gjë nuk ka ndodhur pasi autoritetet e Kosovës duhet të flasin me të gjithë akterët për këtë proces ndërsa Serbia dhe Kosova duhet të aspirojnë integrimet në institucionet euroatlantike për të mirën e dy popujve”.

Haradinaj i premton përkrahje komandantit të ri të KFOR-it, D’Addario për ruajtjen e sigurisë

Në kampin “Film City” në Prishtinë është duke u mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se populli dhe Qeveria e Kosovës janë përgjithmonë mirënjohës ndaj të gjithë grave dhe burrave që janë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në vend tonë duke mbështetur paqen, sigurinë dhe stabilitetin.

“Ne shprehim respektin tonë më të thellë dhe i kujtojmë të gjithë ushtarët që humbën jetën duke shërbyer në Kosovë. Liria jonë është një vlerë e përbashkët, vlerë e Kosovës dhe aleatëve të saj”, ka thënë Haradinaj, .

“Në ditën e ndërrimit të komandës në të gjithë mund të theksojmë punën e shkëlqyeshme të gjeneral Cuoci si komandant i KFOR. Komunikimi, koordinimi dhe bashkëpunimi me akterët në vendin tonë janë zhvilluar më tej. Ky vit i shërbimit në Cuoci u demonstrua të jetë një vit i thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. Kosova do ta respektojë përgjithmonë praninë e KFOR dhe NATO-s, ne nuk planifikojmë që zëvendësojmë prezencën ushtarake të vendeve demokratike dhe synojmë të përforcojmë partneritetin”.

Haradinaj ka thënë se prezenca e KFOR dhe NATO-s kanë ndihmuar vendin, rajonin dhe zhvillimin e përgjithshëm në dy dekadat e fundit.

“Ne synojmë të anëtarësohemi në NATO dhe besoj që rajoni do të përfitojë nga rrugëtimi i të gjitha vendeve drejt NATO-s”.

“Komandat i ri i KFOR, Lorenzo D’Addario – ju do të keni gjithë angazhimin e Qeverisë për bashkëpunim në bërjen e Kosovës dhe rajonit një ambient të qetë dhe të sigurt.

***

Mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Komandantit në largim të KFOR-it, gjeneralmajor General Salvatore Cupci dhe Komandantit në ardhje të KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’addario.  

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat